Nëse shkon në çdo qytet tjetër të Shqipërisë dhe pasi prezantohesh natyrshëm me dikë pyetja e pashmangshme e radhës është: nga jeni?
E kur përgjigjesh… “jam nga Lezha, keni qënë në Lezhë ju?”, ata me siguri në mbresat e tyre do të kenë dy të forta. Njëra për njerëzit dhe tjetra për natyrën. “Lezha ka natyrë dhe bregdet të bukur, dhe lezhjanët janë shumë arsimdashës.”, kjo është fraza me gjasat më të shumta që do të dëgjoni.
Nuk është rastësi pse Lezhës i ka ‘dalë nami’ si qytet arsimdashës.
Mund ta thonin këtë për Cërrikun, Tepelenën, Kukësin, por jo! E thonë vetëm për Lezhën.
Kjo është një veti e mirë dhe na bën të ndjehemi krenarë sa herë që e dëgjojmë, dhe familjet lezhjane vazhdojnë ta ruajnë me shumë fanatizëm këtë karakteristikë, ata janë shumë kërkues dhe shumë të kujdesshëm, dhe sakrifikues në shkollimin e fëmijëve të tyre. Të bësh deri në vetë-sakrificë për shkollimin e fëmijës, nuk duhet tjetër për t’u quajtur një person arsimdashës.
Por në ditët e sotme nuk është aq e thjeshtë, të jesh arsimdashës nuk mjafton. Duhet edhe të dish çfarë arsimi do për fëmijën tënd!
Shkollimi i fëmijës është një çështje kritike në çdo familje, sepse aty ndahen rrugët, nëse zgjidhet shkolla e gabuar, fëmija merr shoqërinë dhe rrugën e gabuar, nëse zgjidhet e sakta, fëmija nderon veten, prindin, e qytetin.
Shkollat e sotme ndahen në dy kategori: janë ato që i përgatisin nxënësit për të shkuarën dhe janë ato që i përgatisin nxënësit për të ardhmen.
Një shkollë që i detyron nxënësit të qëndrojnë 6 orë në bankë duke dëgjuar formula e teori që zor se do t’i përdorin ndonjëherë, çdo ditë për 8 apo 9 muaj të vitit, e që nxënësit mezi presim të gjejnë një gënjeshtër për të ikur nga mësimi, është një shkollë e modelit të vjetër, e së shkuarës, e projektuar për të nxjerrë nxënës të përgatitur për të shkuarën, jo për të tashmen, as për të ardhmen.
Nga ana tjetër, një shkollë që ka në themel të saj “Ëmbëlsinë dhe Dritën”, (“Sweetness and Light”) është një shkollë që ka rrokur principet moderne të mësimdhënies. Ëmbëlsia qëndron për dashurinë dhe mirëkuptimin e ndërsjellë të nxënësit me mësuesin, sepse pa u krijuar ky raport është e pamundur të transmetohet drita, dituria (Light).
Ne do të flasim për një shkollë të tillë sot, që kemi fatin ta kemi në qytetin tonë. E themeluar nga dy njerëz vërtetë arsimdashës.

Një shkollë ku parimi “Ëmbëlsi dhe Dritë” mishërohet çdo ditë. Një shkollë ndryshe nga shumë të tjera ku nxënësi nuk trysnohet të mësojë me përdhunë nëpërmjet kërcënimit me notë në regjistër apo paralajmërime përjashtimi. Ekziston një fakt madhor: dija nuk mund të transmetohet kurrë me dhunë, me imponim, me forcë, por vetëm ëmbëlsisht.
Atyre banorëve të Lezhës që u qëllon herë pas herë rruga për të kaluar nga Pazari i Lezhës, nuk mund t’u kenë shpëtuar nga sytë ca nxënës e nxënëse me uniforma blu me libra të trashë të mbështetur në bel që ecin të qeshur në drejtim të shkollës.
Ata janë pra nxënësit e Lezha Academic Center dhe sot duam t’i kushtojmë ca rreshta historisë së kësaj shkolle që u bë më e famshmja në Lezhë.
Gjithçka nisi si një ëndërr… si një ëndërr për të sjellë në qytetin e vogël te Lezhës një dimension tjetër të sistemit arsimor.
E projektuar fillimisht si nje gjimnaz Lezha Academic Center hapi dyert për të parën herë në shtator te vitit 2011.
Pas shumë përpjekjesh e sakrificash puna filloi ne nje godinë te vjetër tejet të amortizuar që vetëm si shkollë nuk ngjante ndërsa nxënësit e regjistruar në atë kohë, numeroheshin me gishtat e dorës, vetëm 7.
Në vetëm një muaj, falë këmbënguljes së themelueses se shkollës Klementina Shahini dhe mbështetjes së bashkëshortit Dini Shahini dhe familjes së saj e shumë e shumë njerëzve të tjerë që besuan në këtë ëndërr gjithçka filloi të merrte formën e duhur.

Zoti ishte aty dhe mirësia e tij nuk lejoi që grupi i themeluar për realizimin e këtij projekti unik të dorëzohej përpara vështirësive dhe sfidave të asaj kohe.
Në 11 Shtator 2011 Lezha Academic Center filloi punën si shkolla e vetme e Krishterë ne Shqiperi e cila promovonte dhe vazhdon te promovojë integritetin, kuriozitetin intelektual, rritjen shpirtërore, dhe shërbimin komunitar, si një ndihmë të madhe për botën.
Brenda vitit të parë të punës Lezha Academic Center u rrit në numër duke e mbyllur vitin shkollor me 30 nxënës dhe me shpresën në Zot që kjo familje do të zgjerohej edhe më tej, e ashtu ndodhi.
Ëndrra e asaj kohe ishte që Lezha Academic Center të shndërrohej në një shkollë që do ngjante me një familje dhe sot mund ta themi me bindje se ëndrra tanimë është realizuar!
Lezha Academic Center sot numëron plot 171 nxënës nga klasa e parë në klasën e 12 dhe plot 185 te diplomuar në këtë shkollë të cilët kanë vijuar jetën e tyre në vendet e ndryshme të botës si USA, Canada, Lituani, apo vende të Europes duke u bërë të suksesshem dhe duke bërë krenar prindërit dhe mësuesit me arritjet e tyre.
Godina e Lezha Academic Center e vendosur fare pranë qendrës së qytetit të Lezhes të jep ngrohtësinë e një ambjenti miqësor.
E pajisur me ambjente sportive dhe kabinete mesimore bashkekohore kjo shkollë është kthyer tanimë në ëndrrën e fëmijëve lezhjanë dhe jo vetëm si një mundësi për një edukim ndryshe ku vlerat shpirtërore marrin formën e duhur në fjalën e Zotit.
Perfaqësimi i suksesshëm i nxënësve të kësaj shkolle në aktivitete kombëtare siç është AMUN janë prova që Lezha Academic Center është çelësi i suksesit për brezat e rinj të qytetit tonë.
Ndërsa vitet kalojne shkolla rritet dhe ndryshon çdo ditë, përmirësohet dhe mëson bashkë me nxënësit e saj pa lënë pas edhe komunitetin sidomos shtresat në nevojë.
Projekti me familjet e komunitetit rom është një tjetër krenari për shkollën tonë pasi që nga tërmeti i 2019-ës dhjetra nga këto familje janë mbështetur financiarisht. Është kënaqësi të shohësh persona nga ky komunitet të perfshihen vrullshëm në nismën e shkollës dhe Kishës për shuarjen e analfabetizmit. Dhjetra nxënës të moshave të ndryshme pjesë e këtij komuniteti janë bërë pjesë e klasave për mësimin e shkrimit dhe leximit ndersa emocioni që përjetohet kur shikon lumturine në sytë e tyre kur arrijnë të shkruajnë emrin e tyre apo të fëmijëve të tyre është i pa përshkrueshëm me fjalë.
Si një çift që e kanë provuar emigrimin edhe në kushte të vështira çifti Shahini me mbështetjen e donatorëve nga Amerika dhe më gjërë, iu është gjendur pranë edhe familjeve afgane te akomoduara në Shëngjin. Organizimi i aktiviteteve kulturore dhe bashkëndarja e kohës mes të rinjve dhe anëtarëve të komunitetit afgan dhe atij të Lezha Academic Center i ka dhëne shkollës mundësine për t’u quajtur një familje që mbështet familjet në nevoje që përkrah shtresat në nevojë dhe që në rrugën e Zotit ajo është e palëkundshme.
Të marrësh kurajon e të hapësh një shkollë është përgjegjësi shumë e madhe. Shkolla nuk duhet vetëm për sot, por edhe për nesër. Prindërit u besojnë pasurinë më të madhe të tyre: fëmijët. Të gjithë aty punojnëë pa u lodhur për të realizuar të gjitha zotimet e marra para prindërve dhe komunitetit ku jetojmë.
Kjo shkollë është pjesë e jetës së secilit prej tyre. Nxënësit që rriten aty i duan, i edukojnë, i mësojnë, i kritikojnë, i lavdërojnë ashtu si prindi fëmijën.
Komuniteti lezhjan e ka perkrahur shkollën Lezha Academic Center në çdo hap të sajin dhe kjo u ka dhënë mundësinë atyre që të bëjnë më të mirën në përmbushjen e misionit fisnik që është mësimdhënia dhe edukimi i brezit të ri që janë e ardhmja afatgjatë dhe vazhdimësia e Lezhës.