Ulsi Manja: “Ndalu beg se ka hendek”, Pashk Gjoni: “Nuk dini si veproni dhe çfarë deklaroni!”

533

Ditën e djeshme, aktiviteti elektoral i dy kampeve kryesore në garë ka patur shkëndija midis tyre.

Nga njëra anë ka qënë ministri Manja, i cili në një takim të socialistëve me banorë të lagjes Skënderbeg, u kërkoi atyre që t’i thonë “Jo” hijeve të Berishës në Lezhë, dhe nga ana tjetër ka qënë kandidati Gjoni, i cili ka replikuar me një status ndaj deklaratës së zotit Manja:

Deklarata e Manjës:

Në lagjen Skënderbeg, aty ku më 14 maj me votën për Pjerin Ndreun dhe Partinë Socialiste do i thonë Sali Berishës dhe Pashk Gjonit “ndalu beg se ka hendek”

Qytetarët e Lezhës më 14 maj duke votuar Pjerin Ndreun dhe Partinë Socialiste do t’i thonë JO Sali Berishës dhe gjithë hijeve të tij në Lezhë, që nuk patën burrninë si malësor t’i kërkojnë një ndjesë publike Lezhës dhe Pjerin Ndreut si qytetar i parë i saj, për gjithë llumin e shpifjeve që nxorrën nga goja për një grusht vota!

Lezha është e lezhjanëve dhe e njerëzve të punës, dhe jo e atyre që turpin që Sali Berisha donte ti vishte Lezhës e hëngrën me bukë!

Më 14 maj do marrin përgjigjen që vetëm Lezha di tua japë, atyre që mbi Lezhën vënë Sali Berishën dhe xhepat e tyre!

Replika e kandidatit Gjoni:

Reagim i detyruar ndaj ministrit të Dosjes 184 !

Ministri famëkeq i zhdrejtësisë dhe sejaminët e tij, bashkë autorë të masakrës zgjedhore të Dibrës, dosjes 184, janë në ditët e tyre më të vështira, ndaj kanë humbur logjikën e veprimeve dhe deklaratave .

Nuk kanë për t’ia dalë me lezhjanët, do të pësojnë humbjen më të madhe që rilindasit kanë marrë ndonjëherë në Lezhë.

Mos luani me zjarrin se keni për tu djeg të parët, dhe kurrë lezhjanët.
Nuk iu dhimbset aspak Lezha se, realisht nuk iu lidhë asgjë me të. E keni parë si plaçkë prej 4 vitesh, ndaj më 14 Maj, do dilni të turpëruar nga qyteti që jeton edhe më qetë pa praninë tuaj nëpër këmbë.

Ngjarja kriminale e Shëngjinit duhet të zbardhet me çdo detaj, larg ndikimit politik dhe pa asnjë ndërhyrje.

Nuk i përkas asaj rrace politike që të përfitoj nga një vrasje kriminale të një bashkë qytetari tim.

Jam e kundërta juaj dhe modelit tuaj.Ndaj, neveri për gjithë atë që deklaroni.
Nuk do të merrem më me ju që të bie në batakun që kërkoni të fshiheni.
Bashkë me mijëra banorë në katër anët e Lezhës, më 14 Maj, shpëtojmë të ardhmen që absolutisht, do të jetë krejt ndryshe nga modeli që ofroni ju!