Siguria ushqimore dhe HACCP: Një udhëzues për profesionistët e rinj të shërbimit

83

Siguria Ushqimore është proces qarkullues dhe i rëndësishëm që prek dhe përçohet nëpërmjet të gjithë ekosistemit tokësor. Si i tillë është mëse e kuptueshme se garantimi i tij është një sipërmarrje e vështirë dhe e ndërlikuar, dhe kjo veçanërisht për atë që kjo siguri nënkupton për shëndetin e njeriut por edhe të gjallesave të tjera. ( Fani, Zusi, & Tako, 2021)

Cilësia e ushqimit dhe siguria ushqimore janë thelbësore për shëndetin publik dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Përmirësimi i sigurisë ushqimore është i nevojshëm dhe ekziston, kur të gjithë njerëzit, në të gjitha kohët, kanë qasje fizike, sociale dhe ekonomike në ushqim të mjaftueshëm, të sigurt dhe ushqyes, i cili plotëson nevojat e tyre për të pasur një jetë aktive dhe të shëndetshme. Mjafton të cilësojmë se, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 200 sëmundje janë të përhapura nëpërmjet ushqimit, si dhe 1 në 10 njerëz sëmuret nga ngrënia e ushqimeve të ndotura dhe për pasojë 420,000 vetë vdesin çdo vit për këtë shkak.

Akoma më e madhe është nevoja për garantimin e sigurisë ushqimore kur bëhet fjalë për shërbimin në sektorin e Hoteleri Turizmit. Ky sektor lëviz me shpejtësi, është dinamik dhe shumë konkurrues. Njërëzit e punësuar në këtë sektor, pritet të jenë profesionistë të trajnuar mirë dhe me etikë shumë të lartë pune. Mbi të gjitha pritet të kenë njohuri dhe të zbatojnë me detaje protokollet e sigurisë ushqimore në vendin e punës. 

Çfarë përfshin higjiena e ushqimit?

  • Praktika të mira që çojnë në vende të pastra të punës dhe prodhim të sigurt të ushqimit
  • Higjienë personale
  • Pastrim dhe dezinfektim
  • Parandalim i shumimit të çdo organizmi
  • Shkatërrim i çdo bakteri të dëmshme duke gatuar, përgatitur ose ruajtur në mënyren e duhur
  • Hedhjen e produkteve dhe ushqimeve të papërshtatshme ose të kontaminuara

Konsumatorët aktualisht jo vetëm që kërkojnë cilësi më të lartë, higjienë dhe standarde shëndetësore në produktet që ata blejnë, por gjithashtu kërkojnë sigurimin e origjinës së produkteve, verifikimin e metodave të prodhimit, certifikim të produkteve dhe sistemeve të prodhimit. 

Çfarë e garanton sigurinë ushqimore?

Çdo prodhues ka mjete në dispozicion për të tregtuar një produkt të sigurtë nga pikëpamja ushqimore. Më i rëndësishmi, është HACCP, i cili u prezantua me Udhëzimin Nr. 20 datë 25.10.2010; një udhëzim me rëndësi të qartë kombëtare, i cili erdhi nga përafrimi i legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian (Rreg. KE 852 e vitit 2004), i cili rregullon higjienën dhe vetëkontrollin brenda industrive ushqimore.

HACCP është shkurtimi i emërtimit anglisht Hazard Analysis and Critical Control Points-HACCP, që në shqip do të thotë  Analiza e Rrezikut dhe Kontrolli i Pikave Kritike. Ky sistem menaxhimi na lejon të identifikojmë dhe vlerësojmë rreziqet potenciale në të gjitha fazat e prodhimit dhe përpunimit të produkteve ushqimoredhe synon sigurinë e ushqimit në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor. 

Ky sistem përfshin shtatë parime themelore që përdoren në zbatimin e HACCP

  • Analiza e rrezikut
  • Proçedurat e monitorimit
  • Veprimet korrigjuese
  • Identifikimi i pikave kritike të kontrollit
  • Vendosja e limiteve kritike për secilën pikë kontrolli
  • Proçedurat e verifikimit
  • Dokumentimi me regjistrimet përkatëse

Avantazhet e zbatimit të sistemit HACCP:

  • Qasje sistematike për identifikimin dhe zgjidhjen e problemeve
  • Zvogëlim kostosh në para dhe kohë për problemet e sigurisë ushqimore
  • Produkte më të sigurta ushqimore për konsumatorin
  • Eficencë më e lartë
  • Rritje e besueshmërisë dhe kënaqësisë konsumatore
  • Rritje e konkurueshmërisë në tregun vendas
  • Mënjanon barrierat e tregtisë ndërkombëtare

Njohja dhe evidentimi i çdo hallke të zinxhirit ushqimor është i një rëndësie të veçantë për garantimin e shëndetit publik dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorit në përgjithësi. Çdo hallkë e zinxhirit ushqimor është e përbërë nga një kompleks standardesh, zbatimi dhe kontrolli i të cilave, garanton sigurinë ushqimore.

Enri Hide

dhe Sildi Koqini

(Maj 2022)

Ky artikull u realizua në kuadrin e projektit të “Fuqizimit të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike”, mbështetur nga Bashkia e Lezhës, nëpërmjet RELOAD.