Siguria mjedisore dhe problematikat që hasen në bregdetin e Lezhës

59

‘Siguria mjedisore’ është një term që u praqit zyrtarisht në Kartën Botërore për Natyrën në mesin e vitit 82, me qëllim që të gjitha kombet pjesëmarrëse të angazhohen ndaj kërcënimeve të mundshme që mund të ndikojnë në mjedis . Siguria mjedisore konsiderohet si pjesë e mbrojtjes në mbarë botën, që rrjedh nga veprimet e vogla të njeriut deri te vendimet e qeverisë.  Rëndësia e sigurisë mjedisore qëndron në parandalimin e ndikimit negativ në shoqëritë e ardhshme për shkak të gjurmës së njeriut në mjedis. 

Kushtetuta e Shqipërisë e konsideron zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen mjedisit si një nga objektivat kryesorë të Shtetit.  Ligji nr. 10431 “për Mbrojtjen e Mjedisit”, i ndryshuar, siguron bazën për akte specifike ligjore që rregullojnë përbërës të ndryshëm të mbrojtjes së mjedisit. Kushtetuta shqiptare e konsideron zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjen e mjedisit si një nga objektivat kryesore të vendit. Mbrojtja e mjedisit dhe ruajtja e natyrës njihen si vlera themelore kushtetuese, për të cilat të gjithë kanë përgjegjësinë t’i mbrojnë dhe përmirësojnë.

Disa çështje parësore që përfshin siguria mjedisore janë:

  • Shkretëtirëzimi i sipërfaqeve të gjelbra
  • Ndryshimet klimatike
  • Zhdukja e specieve
  • Peshkimi i tepërt
  • Mungesa e burimeve ujore
  • Djegia e pyjeve
  • Thatësirat, etj. 

Bregdeti përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të territorit, për shkak të pozicionit, vlerave natyrore, biodiversitetit dhe trashëgimisë kulturore e historike që përmban. 

Qarku i Lezhës është një nga qendrat më të rëndësishme të territorit veri-perëndimor të Shqipërisë. Territori është i ndërthurur dhe është pjesë e kësaj zone, ku të gjitha kushtet për zhvillimin e faunës dhe florës janë mjaft të larmishme. Në këtë territor, bashkëjetojnë një shumëllojshmëri ekosistemesh, të tilla si lumenj, vijë detare, bregdetare, gjelbërim të përhershëm dhe gjetherënës dhe të përziera pyje halore, livadhe dhe kullota. 

Zona kryesore ku efektet e ndryshimit të klimës kanë filluar të ndjehen qëndron në Deltën e Lumit Drin dhe Mat dhe është identifikuar si një rajon i prekshëm kritik për ndryshueshmërinë e klimës dhe efektet e tij të pritshme. Rritja e presionit njerëzor ka çuar në ndryshime të konsiderueshme në mjedisin e zonës së Deltën e Lumit Drin dhe Mat. Në të gjithë zonën e Deltën e Lumit Drin dhe Mat, rritja e shpejtë e popullsisë po modifikon mjedisin natyror përmes përdorimit të tepërt të burimeve bregdetare, detare dhe grykëderdhjes me pasoja të pakthyeshme si: humbja e habitateve bregdetare, detare dhe grykëderdhëse; zhdukja e veçorive të rëndësishme gjeomorfologjike (dunat e rërës); humbje e konsiderueshme e bimësisë bregdetare, florës dhe faunës; zhdukja e zonës buferike; ndryshimi në shpërndarjen e specieve aliene (pushtuese); reduktimi i kapacitetit rigjenerues të ekosistemeve duke rritur nivelet e detit dhe ndryshimin e klimës; depërtimi i ujit të kripur. 

Disa  nga territoret e rrezikuara nga faktorët e erozionit detar në bregdet, janë: Bashkia Lezhë, ku si zonë e kërcënuar shihet ajo e grykëderdhjes së lumit Drin nga Balldreni i Ri deri në zonën e Tales, nga erozioni detar dhe përmbytjet e bregdetit (nga ishull Shëngjini) deri në grykëderdhjen e lumit Mat. Gjithashtu, futja e ujit të kripur në zonën e ishull-Shëngjinit dhe erozioni detar nga grykëderdhja e lumit Drin deri në grykëderdhjen e lumit Mat rrezikojnë përmbytjen e tij.

Evidente është edhe problematika e erozionit detar dhe ndryshimet klimatike , shkatërrimit të biodiversitetit përgjatë rivierës , ndotja portuale dhe detare , ndotja nga mbetjet urbane dhe ujërat e përdorur,  depozitimi i mbetjeve urbane në zona që nuk plotësojnë standardet mjedisore dhe janë të vendosura në vende të papërshtatshme dhe të paplanifikuara bregdetare; depozitimi i mbetjeve të ngurta pranë deltave lumore kanë bërë që ato të shihen si emergjenca mjedisore; menaxhimi joefiçient i mbetjeve urbane si dhe problematika e depozitimit të mbetjeve direkt në zonat bregdetare të Qarkut të Lezhës. Mungesa e një landfilli sanitar në bregdet si dhe mungesa e impiantit të trajtimit të ujërave të përdorur ose mos shtrirja e funksionit të tij në të gjithë hapësirën e zonave bregdetare të Qarkut Lezhë, janë vlerësuar gjithashtu si një problematikë mjedisore. 

Në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se bregdeti në qarkun e Lezhës është në rrezik si pasojë e grumbullimit të mbetjeve të ngurta urbane, shkarkimit nga lumenjtë që përshkojnë zonat urbane dhe mos trajtimi i ujërave të ndotur urban. Ndërsa, cilësia e ujit të plazheve në vend, ende është nën kufijtë e ndotjes, dhe kjo nuk vjen për shkak të menaxhimit të kujdesshëm të tyre, por thjesht nga frekuentimi jo masiv. Një faktor shumë i rëndësishëm që rrezikon ekosistemet ujore është ndryshimi klimatik, i cili i ka dhënë efektet e tij tashmë në Shqipëri. 

Enri Hide

Sildi Koqini

(maj 2022)

Ky artikull u realizua në kuadrin e projektit të “Fuqizimit të Këshillave Vendorë të Sigurisë Publike”, mbështetur nga Bashkia e Lezhës, nëpërmjet RELOAD.