Festivali i muzikës elektronike, e që shpresojmë në këtë edicion jo më i “hashashit”, “harlisjes”, dhe i “kush pi drogë më shumë”… ka krijuar përçarje në lidhje me ofrimin e shërbimit taxi.
Në edicionet e shkuara, shprehen drejtuesit e UNUM ka patur abuzime të paskrupullta me çmimet nga ana e drejtuesve të mjeteve.
Ndaj, duke u nisur nga kjo përvojë negative e edicioneve të shkuara të këtij festivali në Shëngjin, drejtuesit kanë vendosur ta adresojnë këtë çështje duke kontraktuar një kompani taksish që operon në Tiranë që të mbulojë transportin kundrejt pagesës 10 euro nga porti deri te Rana e Hedhun, ndryshe nga herët pararendëse ku kërkohej 20 apo 30 euro për një gjë të tillë.
Kjo zgjidhje e njëanshme e çështjes është kundërshtuar “en bloc” nga drejtuesit e taksive në Lezhë.
Ata janë mbledhur pranë derës kryesore të Bashkisë në përpjekje për të ndikuar disi që kjo kontratë shërbimi të jetë më gjithpërfshirëse sa i takon pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në të.
E thënë shkurtimisht me fjalë klubi, “taksistët po i kërkojnë Pjerinit të flasë me drejtorin e UNUMIT që ta gjejë mënyrën ta fitojnë ndonjë lekë edhe taksistët e Lezhës, jo vetëm të Tiranës.”