Demokratët po i lëvizin të gjithë mekanizmat ligjor në dispozicion për të paraqitur në Kuvend atë që quhet Reformimi i Reformës Territoriale.
Çfarë është kjo me fjalë të tjera?






Shumë e thjeshtë. Demokratët kërkojnë që në Shqipëri të shtohen edhe 20 Bashki të reja, ku dy prej tyre vetëm në Lezhë. Zëra të shumtë blu thonë se Shëngjini dhe Shënkolli duhet të jenë Bashki të më vete.
Në takimin e thirrur sot, të cilin e ka bërë publik ndër të parët Inxh. Pashk Ndoci, është pikërisht me këtë fokus. Ja çfarë shkruan Inxh. Pashku:
Ekspert dhe njohës të administrimit të Pushtetit Vëndor nga Qarku Lezhë, e prëmte, ora 18.00 tek Grande Stella Lezhë, takim me Komisionin Parlamentar të Partisë Demokratike për të dhënë mendimet tona për ndarjen e re territoriale!






Ky ishte njoftimi që sapo mora. Unë u them se hyrja është e lirë për demokratët, për specialistët dhe ekspertët.
E KONFIRMOVA TË JEMË NË TAKIM,#EJAEDHETI, PËR KËTO ARSYE:
1. Është një moment shumë i rëndësishëm të percjellim mendimet tona edhe nëse do ta organizonte një grupim tjetër politik, është tërësisht për hallet tona,
2. Kemi vëndosur politikisht të heqim dorë nga bojkoti ndaj kundërshtarit politik, aq më tepër nuk bojkotoj një komision parlamentar të partisë time.






3. PD duhet të bashkohet, të bashkuar duhet të qëndrojnë demokratët nëse pretëndojnë të fitojmë ndonjëherë, nesër këtë shëmbull duhet ta japë seicili nga ne, të marrim pjesë, e kam fjalën për ata që vertetë janë të lirë…
Demokratët kanë gati skicën e hartës së re territoriale që synojnë të implementohet në zgjedhjet lokale te 2023.
Bashkëkryetarja e komisionit bipartizan Dhurata Çupi ka zbuluar më herët propozimin e demokratëve që parashikon shtimin e 20 Bashkive te reja.
“Pas analizave dhe ekspertizave, dhe pasi kemi dëgjuar të gjithë mendojmë se do i bënte mirë kësaj reforme që të ketë 80 Bashki. Nga eksperienca edhe e vende të rajonit Bashkitë janë edhe Bashki urbane, Bashki urbane dhe rurale apo dhe vetëm Bashki rurale. Dhe në këtë këndvështrim do i mundohemi t’i japim qytetarëve shqiptar 80 Bashki me këtë qasje”, tha Çupi .






Grupimi i Berishës nuk është i përfaqësuar në komisionin e reformës, por për hartën e re territoriale demokratët janë në një mendje.
“Patjetër që duhet të jetë një version rindarje që merr parasysh edhe realitetet e krijuara, i cili do çonte mbi 80 Bashki”, tha Bylykbashi.
Shtimi i Bashkive kërkon rishpërndarjen e atyre aktuale. Dhurata Cupi tregon disa nga njësitë e reja vendore që parashikon të shkrijë apo zgjerojë propozimi i demokratëve.
“Leskoviku 50 km larg Bashkisë së Kolonjës. Qytetarit nga Leskovikut i duhet të udhëtojë 50 km që të shkojë dhe 50 km në kthim. Pse nuk duhet të jetë një Bashki me vete që tu shërbeje qytetarëve edhe me afër. Për shembull Orikumi, si mundet që mos të jetë Bashki më vete. Në veri në qarkun ku jam deputete në Dibër, ne kemi një zonë me traditë dhe me histori, vetëm nga emri nuk mund të zhbëjmë zonën e Kastriotit apo Maqellarës”, tha Çupi .
Në të shkuarën kalkulimi elektoral ka qenë parimi që ka udhëhequr partitë politike të përfshira në proces, për shkak të efektit që ndarja territoriale ka në numrin e mandateve.
Demokratët synojnë zhbërjen e të ashtuquajturve “ishuj” elektoral që sipas tyre kanë favorizuar Partisë Socialiste për shkak të bojkotit që të djathtët i bënë reformës në 2014.
“Në fakt ajo që ka ndodhur në Bashkinë e Tiranës është tipikisht shembull ku nuk janë respektuar kriteret dhe është krijuar ishull elektoral siç është Paskuqani për të kaluar me Zall Herrin. Por, këto duhet të rregullohen jo për efekte elektorale por për t’i dhënë shërbime qytetarëve”, u shpreh Çupi .
Miratimi i hartës së re territoriale kërkon 84 vota që Partia Socialiste e vetme nuk i ka, ndaj dhe konsensusi me opozitën është i domosdoshëm.