Pse lezhjanët e kanë harruar shëtitjen e mbrëmjes…

1525

Nëse shkoni sot në dyert e klinikave më të mira në Lezhë dhe pyesni cilat janë 3 sëmundjet kryesore prej të cilave vuajnë lezhjanët specifikisht, ato janë:

  • Të parat: kardiopatitë (sëmundjet e zemrës)
  • Të dytat: diabeti (sëmundja e sheqerit)
  • E treta: artriti/reumatizma (sëmundja e kockave)

Të trija këto, tashmë sëmundje të njohura, për kurimin apo lehtësimin e tyre mjekët çuditërisht bashkohen në sugjerimin që u japin pacientëve: Ecni! Ecni më shumë! Passeggiare.

Ati themelues, i famshmi i betimit, Hipokrati vetë, pati thënë se nuk njihte kurë më të mirë për shëndetin e njeriut sesa ecja.

Por fatkeqësisht, ndryshe nga Vlora, Shkodra, Korça, Rrësheni apo qytete të tjera lezhjanët nuk po ecin më, ose po ecin shumë pak krahasuar me banorët e qyteteve të tjera.

Duket sikur xhiron e mbrëmjes po e anashkalojnë gjithnjë e më shumë.

Ndryshe nga shumë qytete të tjera në Shqipëri, Lezha ka një metabolizëm urban të atillë që i lejon asaj të transformohet në një qytet të super-të-pedalueshëm, në një hapësirë ecjeje që të përcjell në pika fundore të një natyre të pashoqe, i shëtitshëm pra.

Shumë qytete nuk e kanë këtë veti, pasi organizimi urbani i tyre është bërë duke patur industrinë në mendje dhe jo shëndetin e atyre që do të jetojnë në të, e për rrjedhojë nuk janë qytetet të shëtitshme.

Për ta qartësuar lexuesin, kur themi “të shëtitshme”, me këtë nuk duam të nënkuptojmë se atyre qyteteve u mungojnë rrugët për të ecur.

Çfarë e bën pra një qytet të shëtitshëm?

Çfarë e bën një qytet të shëtitshëm? Së pari, duhet të ketë dyqane dhe shkolla brenda distancës në këmbë nga vendi ku jetojnë njerëzit. Për më tepër, cilësia e shëtitjeve nëpër qytet duhet të jetë e lartë – kjo do të thotë, ecje të rehatshme, të sigurta dhe interesante. Rrugët duhet të jenë të dekoruara në mënyrë të këndshme.

Dhe, sigurisht, duhet të ketë shumë hapësirë ​​të gjelbër.

E fundit, por jo më pak e rëndësishme, vendkalimet rrugore duhet të projektohen në mënyrë që të moshuarit të mund të lëvizin me lehtësi.

E gjithë kjo mund të tingëllojë si një prioritet i këndshëm – dhe jo realist. Por përfitimet e një qyteti të shëtitshëm janë të mëdha. Qasja e lehtë në dyqane dhe zyra çon në më shumë aktivitet ekonomik. Po kështu edhe vetë akti i ecjes: disa ekonomistë kanë treguar se ka një korrelacion negativ midis sa kohë kaloni në një makinë dhe produktivitetit tuaj ekonomik.

Me planifikimin e arsyeshëm të qytetit që ndikon në përfitimet e ecjes, paseggiata nuk ka pse të jetë një fenomen ekskluzivisht italian. Qytetet e së ardhmes duhet të jenë të lehta për t’u ecur, të aksesueshme, të sigurta dhe të këndshme për të gjithë.


Ndaj është për t’u vlerësuar që Lezhës po i shtohet një pedonale e re, dhe shumë e këndshme, që të përcjell në vende akoma më të bukura.

Një pedonale që shpresojmë të jetë fillimi i një epoke që do ta bëjë Lezhën qytetin më të shëtitshëm të Shqipërisë.

Pse të mos ekzistojë mundësia që të shkohet në këmbë nga qendra e Lezhës deri në Shëngjin?

Lezha duhet të bëhet qyteti më i shëtitshëm, më i ecshëm, e më i pedalueshëm në Shqipëri, e për rrjedhojë më i jetueshëm, më i shëndetshëm, dhe i lumtur.

…dhe lezhjanët duhet t’u rikthehen shëtitjeve.