Agimit nuk i po i shijonte fare. E kishte pritur me shumë dëshirim fillimin e këtij botërori, e kish pritur si një mundësi për t’u shkëputur, ikur nga përditshmëria e tij në Lezhë, madje në disa raste e kishte përjetuar si një emigracion psikologjik nga kronikat e vendit të tij, aq shumë shpresa i kish varur tek ky botëror për mirëqënien e tij mendore.
Botërori nisi dhe Agimit nuk po ia krijonte dot atë vlimin pasionant si herët e tjera, “ky botëror më jep atë shijen e domateve në janar”, – kishte filluar t’i thoshte gjithnjë e më shpesh gruas së tij.
Ndoshta për shkak se në trurin e tij shija bio e domateve të verës ishte thellësisht e lidhur me kënaqësinë e një botërori. E për shkak të saj nuk i dukej aspak botëror bio.
Ndërsa ndiqte ndeshjen e Gjermanisë, skuadrën e tij e zemrës, ai shpesh herë e kishte bërë zakon ta hidhte shikimin përtej dritares tek kopështi i vogël që mbante përpara shtëpisë me të mbjellat e stinës.
Më shumë sesa për kopështin Agimi e hidhte vështrimin tej dritares, sepse në tanën e hardhive ai kishte varur mishin për ta tharë.
Kaq shpesh e bënte këtë veprim saqë kish filluar të vërente një ngjashmëri midis valëvitjeve të flamujve në stadium, me valëvitjen e copave të mishit të varura në tanën e tij. Kjo ishte shumë e rëndësishme për të jo vetëm që nuk duhet t’ia cënonin macet e fqinjëve, por edhe sepse sa herë që dëgjonte në lajme se ky i sivjetshmi do të jetë një dimër shumë i vështirë për ekonominë e familjeve, atij gjithnjë i shkonte mendja tek sigurimi i ushqimit për të ngrënë, dhe mishi i thatë me groshë, ishte pjata e vetme që ia shuante sëkëlldisjen prej atij lajmi të ftohtë.
Qielli po zymtohej, era e shtonte forcën, “shumë shpejt do bjerë shi prap”, – mendoi ai, dhe në mendjen e tij po njehsonte nëse ato 6 minuta shtesë të pjesës së parë të ndeshjes, do të ishin shumë vonuese për të dalë të hiqte mishin e varur atje në tanën e hardhive, pa ia zënë shiu.
Agimi vendosi të priste përfundimin e pjesës së parë, përpara se të dilte të hiqte mishin. Por qe e pamundur sepse në momentin që i mendoi këto, te porta e oborrit pikasi Markun, fqinji i tij me të cilin kalonte pasditet.
“Siç duket ka ardhë për pjesën e dytë të ndeshjes, ngaqë po sheh se Gjermania po luan dobët”. – mendoi Gimi.
Zymtësia e qiellit po bëhej akoma më kërcënuese, Agimi i hapi derën Markut e me atë rrugë, ky i dyti i dha një dorë të fuste mishin brenda.
Marku ishte nga ata tipat që e politizonte çdo gjë, edhe ngjyrat që vishje i shihte sipas përkatësisë partiake, edhe bojën e portës së oborrit, edhe të makinës, edhe atë të llaskave të motorrit, të enëve të kuzhinës, duke i pëlqyer së tepërmi ato me ngjyrë blu, kjo sigurisht i buronte nga mbështetja e tij për demokratët.
Agimi ishte me Edi Ramën. I pëlqente si lider, si orator.
Nuk vonoi shumë dhe Gimi e kuptoi se Marku kishte ardhë pikërisht në momentin kur Gjermania po luante dobët, fiks për të bërë atë lidhjen politike me preferencat e Gimit.
Pra mesazhi për t’u nënkuptuar ishte i qartë, “ashtu si ekipi yt i zemrës po ashtu do të katandiset edhe partia jote”.
Përfundoi pjesa e parë, Gimi mori pultin e televizionit dhe ndërroi kanal.
Flitej për përmbytje, ndërroi përsëri kanal.
Flitej prapë për përmbytje, dhe në heshtje, Gimi u dorëzua, e nuk ndërroi më.
“Si ka mundësi që këtu tek ne në Barbullojë, nuk kemi përmbytje këtë vit?”, pyeti me stil Gimi.
Marku uli gotën e rakisë në tavolinë dhe pa ia hedhur fare vështrimin iu përgjigj:
“Je tu dasht me than se kryetari jot ka pastru kanalet?!”
“Sapo e the vetë”, ia priti Gimi.
“Po mor poooo…, kryetari jot që e mori Bashkinë falas”, – shfryu Marku.
“Bashkinë falas e mori dhe hapi kanalet e nuk përmbytemi as unë as ti, ashtu si në kohën e gjithë atyre para tij që e kishin marrë Bashkinë pa-falas.”
Gimi nuk e fshihte dot acarimin sa herë Marku e thoshtë atë fjali. E kishte në majë të gjuhës, “e mori Bashkinë falas”, “e mori Bashkinë dhuratë”.
“Cilën Bashki mori qyl?”, ia priti Gimi.
“Bashkinë që e kishte mbuluar myku, që trashësia e shtresave të pluhurit sipër dosjeve konkurronte atë të shkresave?!
Apo Bashkinë që e kishte drejtorinë e shërbimeve të decentralizuar nëpër mejhane? Cilën pra mori falas, Bashkinë që i çonte punëtorët të kërkonin karrocë dore borxh në lagjen më të afërt?
Apo Bashkinë që trashëgoi 4 miliardë borxhe? Bashkinë e falimentuar e të shkallmuar mori falas?
Apo mori falas Bashkinë e drejtorëve që deri në 10:00 ishin në kafe e pastaj ndaheshin, çereku në rruspihane e gjysma në kumarhane.
Është njësoj si me të dhanë ty Mark dhuratë një biznes të falimentuar, të kalbur brenda dhe jashtë, të mbytur në borxhe, me punonjës që s’dinë ku e kanë zyrën, edhe me të thanë “tashti merre këtë dhuratën dhe na drejto punët e Lezhës.”
Kështu që të lutem mos ma përsërit herë tjetër këtë frazën, “mori Bashkinë falas, sepse vetëm Bashki nuk ishte ajo që mori falas, më mirë thuaj i “ngecën në dorë një gërmadhë”.
“A din si më dukesh nganjëher ti Mark?”
“Hëëë…”, tha Marku, duke hapur sytë.
Nganjëherë më dukesh si ai që pasi e ka parë disa herë filmin e Titanikut, thotë dua të hyp në atë anije.
Kështu është edhe partia jote kur i hyp bashkisë, është e njëjta gjë sikur të kesh parë sesi përfundon “Titaniku”, e pastaj të duash të hipësh në atë anije. Kaq është kjo histori. Përfundimi i anijes dihet.
Gimit nuk po i dilte e keqja, kaq shumë donte ta shfrynte dufin me Markun, ndoshta këtë gjendje po ia krijonte edhe loja e dobët e Gjermanisë që ia kishte ngacmuar disi nervin.
Donte të vazhdonte prap me të tjera por ia ndërpreu hovin gruaja kur u afrua me një pjatë turshi, ca djathë dhie, mish të sapo skuqur, dhe ua mbushi sërish gotat e rakisë.
“Lenje mor politikën, se ato kanë shku aty me fitu për vete e jo për popullin”, – tha ajo dhe i fërkoi duart në përparëse për t’i pastruar.
“Çoje se filloi pjesa e dytë”, tha Marku duke çuar gotën e rakisë.