Edicioni i dytë i kampionatit të mini kalçetos i zhvilluar nga Bashkia Lezhë është përmbyllur me suksesin e ekipit të Serranit.
Ky eveniment tërhoqi shumë vëmendje, veçanërisht në edicionin e parë të tij të fituar nga ekipi i Balldrenit. Në edicionin e dytë u bënë përmirësime në shumë aspekte organizative dhe shumë ekipe iu përgjigjen thirrjes për pjesëmarrje.
Mbarëvajtja e aktivitetit ka qënë kryefjala e këtij edicioni, dhe kujdesi i veçantë që të mos ketë kontestime, kundërshti, apo tension mes ekipeve ishte puna e cila u krye me përgjegjshmëri nga organizuesit.
Sa u takon ekipeve që morën pjesë, edhe ato, në shumicën prej tyre, hynë në garë për luajtur kryesisht, por edhe për të bërë marketing në mënyrë inteligjente, kujtojmë se ekipi fitues sponsorizohej nga Serrani dhe ekipi finalist nga Delia Dent. Kjo është një mënyrë e mençur e të luajturit.
Të gjithë pjesëmarrësit meritojnë respekt, ekipi i Tales për lojën e bukur, dy ekipet finaliste për grintën, cilësinë e lojës, sjelljen sportive, dhe përgëzime kampionëve për fitoren.