Ky artikull nuk do të kishte ekzistuar po të mos kish ndodhur diçka e çuditshme këto dy ditët e fundit.
Gjë e cila edhe na shtyu të bëjmë një studim krahasues të betejës online midis dy kandidatëve kryesorë për 14 Majin në Lezhë.
Në harkun e dy apo tre ditë ka ndodhur çudia. Faqja zyrtare në Facebook e kandidatit Gjoni ka pësuar një rritje supersonike nga 2 mijë ndjekës në 20 mijë ndjekës.
Një çudi e madhe për besë!
Në fakt jo, nuk është aspak e çuditshme. Ilaçi që ka gjetur doktori është shumë i thjeshtë: ai ka tundur paratë.
Rezulton se në postimet e fundit, dhe faqja e kandidatit janë majmur me ndjekës për shkak se ai rezulton të ketë sponsorizuar nëpërmjet Facebook. E thënë shkurt, i ka blerë ndjekësit.
Edhe pse Facebook ka një rregullore strikte për sponsorizimet elektorale, ky është një shteg dhe një argument të cilin kemi vendosur të mos jetë objekt i këtij artikulli.
Arsyetimi ynë shtrihet dhe kufizohet deri aty ku trasparenca për publikun e lejon. Nuk jemi ne arbitrat e lojës, por sigurisht, nëse ka parregullsi apo “hile” në lojë, patjetër që mund ta themi tonën.
Le të kthehemi, tek pagesat.
Si ia gjeti anën doktori për ta rritur faqen me kaq shpejtësi? Si e dhjetëfishoi? Pse nuk e bëri mëparë? Kandidati Gjoni po bën 3 apo 4 muaj që publikon rregullisht aktivitetet e tij, pse tani pra, dhe si ia doli kaq shpejt?
Në fakt ai s’ka bërë asnjë nga këto. Ai thjeshtë mund të ketë paguar agjensinë e marketingut dhe pastaj janë ata ustallarët e vërtetë që e bëjnë ilaçin të efektshëm. Ustallarët në këtë rast, ose agjensia, quhet Creative Sharks, ose Peshkaqenët Krijues. E cila ka paguar, sipas të dhënave të Facebook, për llogari të faqes Pashk Gjoni, sponsorizimet të postimeve me shënjestër Lezhën dhe faqes “Pashk Gjoni” me shënjestër gjithë Shqipërinë.
Ajo që vihet re është se këto sponsorizime nuk janë bërë në kuadrin e një kandidati, por si një faqe normale në Facebook, duke i anashkaluar kështu politikat kufizuese të Facebook në këtë rast.
Pse kjo rendje për të rritur faqet?
Shumë e thjeshtë. Sepse njerëzit i shohin numrat, dhe ato numra duan kohë dhe përpjekje për t’u bërë, ose kur nuk ke kohë e përpjekje mund të tundësh të hollat dhe i blen që të dyja, por ama, për të mos u “hedhur hi syve” publikut kjo meriton transparencë.
Kanditati tjetër, Pjerin Ndreu, ndërkohë, nga të dhënat zyrtare të publikuara nga Facebook nuk rezulton të ketë patur asnjë publikim me pagesë dhe historiku i faqes së tij ka ardhur me një rritje të qëndrueshme graduale organike, kjo për shkak të rrjetit të tij dhe sigurisht edhe të postit.