Malet digjen e mediat krihen…/ Iliaz Shehu reagon pas indiferencës së institucioneve

117

Pak minuta mëparë përmes një statusi në faqen e tij ish-kandidati Shehu ka ngritur një shqetësim, aspak për t’u shpërfillur.

Lexojeni të plotë reagimin e Iliaz Shehut:

Ndërkohë që debatet janë drejtuar për kah çadrat e plazhit dhe shezlongët, mali i Oroshit në Mirditë po përpihet nga flakët.

Media s’po ndihet. Veç disa lajme kalimthi. Nuk po them që s’përbën shqetësim çështja e pushuesve dhe e plazheve publike, mirëpo nuk është urgjente dhe prioritare.

Zona që po digjet në Mirditë është trashëgimi natyrore që nuk mund të rikuperohet lehtë. Përveç dëmtimit natyror, ajo sjell një sërë pasojash të tjera negative. Denigrim të kulturës lokale dhe për pasojë shpopullim. Njëlloj para ca ditësh u shkrumbua edhe zona e Balldrenit në Lezhë.

Nëse në vendet e civilizuara zjarret vijnë nga ndryshimet klimatike apo në mënyrë aksidentale, në Shqipëri vijnë nga dorë e planifikuar për interesa ngushtësisht private. Kjo ndodh çdo vit dhe askush nuk merr përgjegjësi.

Ndihem i shqetësuar pasi ekziston një indiferentizëm i skajshëm institucional.
Nëse ka organizata ambientaliste në Shqipëri, më mirë t’u ndërprihet fare financimi sepse s’po bëjnë aspak punë për ndërgjegjësimin e opinionit publik.

Nëse ka shoqëri e organizata civile, të mos u jepet më vëmendje mediatike sepse s’po merren me çështje që kanë rëndësi jetike.

Nëse ka opozitë, për më tepër “konservatore”, të mos u besohet më se s’po merren me ruajtjen e vlerave të paçmueshme e të patjetërsueshme, që janë ato të natyrës.
Nëse ka qeveri, më mirë ta lëmë t’i bëjë gjëmën këtij vendi dhe ta dimë njëherë e mirë që e kemi humbur luftën.