Fundi i një pritjeje çerekshekullore. Fshatarët e Rrilës bëhen pronarë të tokave të tyre, ashtu siç u takon me të drejtën e Zotit e të njeriut.
Por si erdhi kjo ditë.
Fshatarët e Rrilës mundet, pa frikë, të hyjnë në librin e rekordeve Guiness, si njerëzit që janë gënjyer sistematikisht që nga koha kur Maradona luante futboll me Napolin.
Për ata nuk ka qënë aspak e lehtë sepse janë përtallur, mashtruar, gënjyer, nëpërkëmbur e përdorur nga politikanë të të gjitha ngjyrave, duke ua kaluar topin ‘mes shalëve’ me këtë driblim elektoral, gjithnjë parazgjedhjeve.
Këtë tallje elektorale me Rrilakët e ka bërë gjithkush ka kaluar andej për vota… Aldo Maradona, Preç Maradona, Paloke Maradona, Viktor Maradona… por jo vetëm ata, lista do të vazhdonte gjatë me të tjerë gjithashtu, të cilët këtë premtim e kishin sa për t’u bërë golin rrilakëve ditën e zgjedhjeve.
Aq shumë ishin regjur këta banorë me këtë premtim të pambajtur saqë e përdornin si mënyrë për të zbuluar çdo gënjeshtar që kalonte andej. Mjaftonte të të dëgjonin t’u përmendje tokat dhe pastaj e kuptonin vetë si mbaron filmi.
E njëjta gjë ndodhi edhe me Pjerin Ndreun, e pritën me mosbesim, pandehën se po i gënjejte kur u thoshte se do ta merrni tokën tuaj, por shtresëzimet e forta të mosbesimit, të krijuara nga pararendësit e tij, në nënndërgjegjen e këtyre njerëzve, u thyen copash ditën kur shtëpi më shtëpi postieri çonte zarfin me vendimin e kalimit të tokës nga përdorimi në pronësi, e pastaj nga pronësia në certifikatë pronësie.
“Ndjehem krenar”, u tha Ndreu sot rrilakëve, që më ftuat në kafe dhe jam përballë jush për një premtim të mbajtur.
Këta njerëz sot janë pronarë të ligjshëm të tokës së tyre. Nëse dikur merakoseshin, që s’do ta merrnin kurrë, që njëri apo tjetri e ka marrë për vete, që një dorë e fshehtë e bllokon procesin, tashmë të gjitha këto ankthe morën fund.
Me certifikatën e pronësisë ata kanë të drejtë ta punojnë tokën, të blejnë, të shesin, të japin me qira, të ndërtojnë, të aplikojnë për programet mbështetëse të Bujqësisë e sa e sa të drejta të tjera që i ka çdo zotërues prone në Republikën e Shqipërisë.