“Ky pallat ka mbet kopil…”, si qëndron e vërteta me pallatin 88 në Lezhë

3639
©Lezha Press

Jo më shumë se një muaj mëparë kryeministri i vendit u dorëzoi çelësat e shtëpive të rindërtuara banorëve të Pallatit 88 në Lezhë.

Ceremonia e rastit u shoqërua me daulle e tupana nën tingujt e Muharrem Ahmetit, për të kulmuar me puthjen e dorës, gjest me të cilin u morën 5 studio televizive në emiosionet e tyre të asaj mbrëmjeje.

Diçka ndodhi gjatë natës megjithatë, dhe festa u prish.

Pallati nuk hapej.

Kyçja e derës kryesore të Pallatit pas festës së tij, ngjante më tepër si një mohim, si një mos-leje, si një ogur, ose një mister, për shpjegimin e të cilit logjika e përditshme nuk mundte dot.

E kur logjika pushon së gjeturi një shkak, në anën tjetër hapësira dhe zelli për prodhimin e teorive konspirative, e lloj lloj fantazie në lidhje me faktin se përse një pallat i ndërtuar për bukuri, me të gjitha kushtet nuk u dorëzohet banorëve të shtyn të mendosh se duhet të ketë një pengues të mistershëm, një hije, një dorë e zezë që ngatërron gjithçka.

A mos vallë këta banorë nuk lejohen të hyjnë sepse nuk janë të denjë për bukurinë e atij pallati?

Apo ndoshta nuk lejohen të hynë sepse po thuren plane të reja për ato hyrje?

A thua janë racistë ata të Bashkisë?

Pyetje dhe enigma si këto kanë një muaj që ndjellin ethe e ankth në këtë lagje. Madje thuhet se disa gojë të liga kishin shkuar deri aty sa të thonë nëpër mejhanet e lagjes se i kanë trajtuar si atë qenin që ia tundin copën e mishit para syve dhe pastaj e hanë vetë.

Pse nuk hapet Pallati 88?, Është pyetja ngulmuese e tyre dhe kjo pyetje ka marrë përgjigje dhe shpjegime po aq sa ka banorë ajo lagje.

Por cila është e vërteta? A është ky pallat vërtetë kopil, siç shpreh një qytetar për Lezha Press?

E vërteta është shumë e thjeshtë.

Që pallati të hapet e banorët të hynë brenda, ndërtuesi duhet të dorëzojë çelsat, dhe ndërtuesi i dorëzon çelësat atëherë kur inxhinierët dorëzojnë akt-ekspertimet finale për sigurinë e plotë teknike të të gjithë godinës. Pasi të dorëzohen çelsat i hapet rruga Oshee dhe Ujësjellësit të furnizojnë me ujë e drita pallatin.

Shpjegimet në lidhje me këtë çështje ia kërkuam atij që është në krye të punëve të qytetit.

Kryetari i Bashkisë shprehet se ato shtëpi janë për atë komunitet dhe se pallatin nuk e fut dot në xhep askush, është çështje tërësisht proceduriale, po lidhen uji dhe dritat, Këshilli ka bërë miratimet përkatëse, dhe se shumë shpejt do të bëhet e qartë se fantazitë dhe dyshimet për racizëm janë pjellë e mendjeve të sëmura që zhvillimin e shohin me parcela partish dhe krahinash.

E kundërta është e vërtetë, ai pallat do të jetë simbol i trajtimit të barabartë të këtij komuniteti siç gjithë të tjerët., përmbyll Ndreu përgjigjen e tij.