Kjo garë nuk është e barabartë…

1610

T’i japësh votën dikujt është si t’i japësh çelsat e shpisë.

Cilido kandidat që fiton, do futet në shtëpinë tënde, tonën, çdo banori të Lezhës, dhe do heqë ca të holla nga kasaforta apo portofoli yt. Pastaj, me shumë qetsi, pa u dëgjuar fare, do të ketë dalë prej aty.

… dhe tani fillon momenti për të kuptuar ku dallon njëri nga tjetri.

Njëri kandidat, po doli fitues, do marrë ca të holla nga portofoli yt, dhe do zhduket nga sytë këmbët, e s’do ia shihni ma bojën, siç thotë populli.

Kandidati tjetër, pasi t’i ka hequr ca të holla nga portofoli, do e mbyllë derën shumë butë, dhe prej atyre të hollave do shohësh se rruga te pragu i oborrit tënd, po shtrohet me asfalt, pemët në anë të saj krasiten e mirëmbahen, shkurret e ferrat shkulen e priten rregullisht, koshi i mbeturinave pastrohet përpikmërisht, e në ato raste kur hallet apo puna të kthejnë me natë në shpi, e ke rrugën e ndriçuar deri te dera.

Pra kujt mendon se duhet t’ia japësh çelsat e shpisë, dikujt që të vjen të merr paratë (taksat) çdo muaj, dhe këput qafen për katër vite të tjera, apo dikujt që i përdor për të mirëm e përbashkët ato taksa.

Prandaj, bashkë me thirrjen tonë për ta vlerësuar maksimalisht dhe mençurisht votën, është detyrë që të sjellim në vëmendjen tënde edhe disa gjëra shtesë që të marrësh një vendim të informuar.

Se cili kandidat është më i mirë, këtë mund ta thonë vetëm lezhjanët me votë me 14 Maj. Këtë nuk e thotë dot askush tjetër, aq më pak ne.

Por ne ama, mund të sjellim disa të dhëna objektive, konkrete, të bazuar në fakte, se përse njëri kandidat i ka shanset më të larta sesa tjetri për të fituar me shumicë votash.

Arsyetimi ynë, do të duket skajshmërisht i njëanshëm në sytë e lexuesit sipërfaqësor, apo militantit të verbuar nga pasionet, njëkohësisht do të jetë thelbësisht me vlerë për lexuesin e mprehtë.

Këtë artikull e kemi shkruar për këta të dytët.

Arsyeja e parë pse kjo gara është e pabarabartë

Ndreu nuk ka 2 muaj që është në politikë, Ndreu ka 20 vite në politikë. Domosdoshmërisht kjo i jep avantazhin e parë kundrejt çdo kandidati tjetër.

Gjithashtu, për katër vite me radhë ka qënë në krye të punëve të Lezhës, dhe në këto 1460 ditë është e sigurt që i ka takuar minimumi 10 banor në ditë, i ka dëgjuar hallet e tyre, ua di emrin, vendbanimin, shqetësimin, dhe 1460 ditë të tjera para këtyre, ka qenë deputet i Lezhës. Kjo e bën natyrshëm një njohës me detaje të hartës elektorale të Lezhës. Ai e di në gjumë të natës kush është i majtë e kush i djathtë e kush gri, e kush i pabojë. Cilat familje e mbështesin atë, lidhjet midis tyre, e qindra e qindra fije sociale që vetëm përvoja t’i mëson.

(Ish-kryebashkiaku Frrokaj ishte makineri votash pikërisht prej kësaj arsyeje sepse mikro-menaxhonte, njihte me detaje njerëzit, familjet, dhe lidhjet midis tyre. Kjo njohuri, edhe atij i buronte nga përvoja.)

Kandidati tjetër në garë, Dr. Pashk Gjoni, nuk e ka të njëjtën përvojë. Ai ka vite që ofron shërbimin e tij, ka takuar e njohur shumë persona, por ai u njeh vetëm shqetsimet për artikulacionet, nyjet, densitetin kockor lezhjanëve. Ai nuk njeh detajet e hartës elektorale të Lezhës, as historikun e bindjeve politike të një X qytetari, sado që mund ta këshillojnë ata përreth tij. E kjo, është një e dhënë objektive, në disfavor të tij.

Arsyeja e dytë pse kjo pabarazi favorizon Ndreun

Është e gabuar ta mendosh Ndreun si person, ai më shumë sesa një person është një dinasti politike, kjo për shkak se gjithë këto vite në politikë ka patur në dorë të bëjë ndere, lëshime, e të ndihmojë pafundsisht njerëz, pa u kërkuar asgjë në këmbim, fatet e të cilëve shtrihen ku e ku përtej Lezhës, e për shkak të një ligji të madh të pashkruar, “Ligjit të Reciprocitetit”, që thotë “se kur dikush na bën një nder duhet t’ia kthejmë në të njëjtën mënyrë.” Tani ka ardhë kohë e artë për të gjithë që t’ia kthejnë.

Kandidati tjetër, jo për shkak të vullnetit, por për shkak se ka ofruar një shërbim, për të cilin paguan taksa, i ka prerë faturën çdokujt. Ndaj, në krahasim me Ndreun nuk na rezulton të ketë ndere të pambledhura.

Arsyeja e tretë

Bashkia Lezhë nuk është një institucion që shërben për të matur demokracinë e një vendi. Ka emër tjetër institucioni që merret me atë punë. Bashkia në thelb, nuk është tjetër veçse një makineri që prodhon projekte. Plane, skica, genplane, harta terreni, situacione, studime fizibiliteti, projekte arkitekturore, industriale, pra zyra më e rëndësishme e një Bashkie është urbanistika. E kjo zyrë duhet të prodhojë aq shumë projekte saqë në çdo dhjetë që i përcillen Qeverisë të paktën një prej tyre të marrë dritën jeshile.

Si mundet një zyrë të prodhojë e t’i miratohen kaq shumë projekte në 4 vite nga Qeveria.

Shumë e thjeshtë.

Për shkak të lidhjeve dhe rrjetit të tij, Ndreu, ka sjellë në dispozicion të arkitektëve të Bashkisë edhe trurin e arkitektëve më të mirë të kompanive të ndryshme në Shqipëri, të ndërtimit e të projektimit.

Ku do t’i gjejë këto burime njerëzore dhe intelektuale kandidati tjetër në garë. Ai mund të njohë me preçizion cila kompani ka grafinë, skanerin, apo rezonancën më të mirë, sepse kjo është përvoja e krijuar në profesionin e tij. Ndaj e ka të vështirë, pa kaluar ca vite të mira, që të arrijë në pikën për të kuptuar se cili sipërmarrës ka kapacitetin që t’i delegojë risurse.

Për të mos folur pastaj për pjesën e miratimit nga Qeveria, gjë për të cilën duhet bërë një punë lobuese pandërprerje, sepse janë edhe 60 e ca Bashki të tjera në radhë që presin fonde, jo vetëm Lezha.

Në përmbyllje, i mëshojmë arsyetimit se kandidati Gjoni është më pak i avantazhuar kundrejt Ndreut, të paktën në tre qasjet e mësipërme.

A mundet të arrijë dhe ai të njëjtën fuqi ndikuese siç e ka Ndreu. Sigurisht që po, por do t’i duhet kohë.

Kështuqë, për ta shtrirë arsyetimin më tutje, një shumicë e kandidatit Gjoni, do t’i shkaktonte Bashkisë Lezhë një humbje kohe të stërmadhe në rastin më të mirë, dhe në rastin më të keq Bashkia Lezhë do të përfundonte në paaftësi paguese, siç i pati ndodhur dikur, dhe do të mbyllej duke përfunduar me të njëjtin fat si Bashkia e Kavajës, çelësat e të cilës iu dorëzuan Qeverisë.

Logjika e ftohtë të çon në përfundimin se Dr. Pashk Gjoni është një kandidat i mirë për Ministër Shëndetësie, dhe thjesht i papërshtatshëm për Kryetar Bashkie.

Nga ana tjetër…

Historia e ka treguar sesa herë Bashkinë e Lezhës e kanë patur të djathtët ajo ka përfunduar si Titaniku.

Të duash t’i votosh ata përsëri, është njësoj si të kërkosh të hipësh në atë anije edhe pse e di mirë si përfundon ajo.

Për ta kuptuar këtë, mjafton pak kujtesë, asgjë më shumë, nëse duam të jemi zgjedhës e qytetar racional, ashtu siç Kushtetuta e nënkupton shtetasin zgjedhës.