Java që shkoi nuk ka qënë aspak e qetë për socialistët e Lezhës, në kuptimin e axhendës së punimeve të organizatave.
Ajo e qytetit dhe në ato të të gjitha Njësive në të gjithë territorin e Bashkisë Lezhë janë thirrur për ri-organizim dhe konkretizim të asaj që pritet prej tyre në këto zgjedhje lokale.
Pika e kuqe e shënjestrës është fitorja e zgjedhjeve lokale, që do të thotë, ri-konfirmim i Ndreut në detyrë, si dhe garantimi i shumicës në Këshill.
Fushata, ajo e heshtura, tashmë ka filluar dhe strukturat e PS në të gjithë Bashkinë e Lezhës e kanë të qartë planin e punës.
Nga ana tjetër, demokratët e Lezhës, me përjashtim të disa shkëndijave nga Rrësheni, nuk japin shenja të “jetës politike” në Lezhë, ata duken të përçarë më shumë se kurrë, asnjë emër apo kandidaturë e mundshme nuk duket përbashkuese për ta. Ata nuk po e gjejnë “Bardh Spahinë e Lezhës”. Të paktën jo deri më sot.
A është herët për të folur?
Kjo është një pyetje e vështirë për t’iu përgjigjur, por ajo që mund të themi është se Ndreu i përket asaj kategorie kandidatësh me përvojë politike të gjatë mbi supe, dhe ai e njeh shumë mirë atë maksimën e famshme nga “Arti i Luftës” së Sun Tzu, ku thotë se: “Çdo betejë është fituar, përpara se të niste lufta.”