Institucionet dhe shoqatat vihen në lëvizje për të shpëtuar Urën e Matit

37

Në një mbledhje të kryer midis përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës dhe përfaqësuesve të Europa Nostra, është diskutuar në lidhje me hapat dhe strategjitë që duhet të ndiqen për të shpëtuar nga degradimini total Urën e Matit.

Ministra Margariti postoi në faqen e saj zyrtare edhe mesazhin në lidhje me këtë tryezë diskutimesh:

Zgjidhja e problematikës së Urës së Matit na uli sot në një tryezë me përfaqësues të Europa Nostra: Peter Bond, Pedro Ponce de Leon dhe Lida Miraj.

Pasi dëgjuam shqetësimet e tyre, së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, Eugen Kallfani dhe dekanin e Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës, Armand Vokshi i bëmë me dije të gjitha nismat e ndërmarra deri më tani, që nga ngritja e grupit ndërinstitucional të punës, nën drejtimin e zv.kryeministres Balluku, hartimin e projektit në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës dhe institucionet e linjës, me financimin e Ministrisë së Kulturës, si dhe planin e masave në vijim.

Nga ana tjetër i bëmë ftesën Europa Nostra-s të jenë pjesë e zgjidhjes së problemeve përmes pjesëmarrjes konkrete, me ekspertë e mundësi financimi dhe jo vetëm me evidentim të tyre pasi përballemi me to.