Inxhinierin Pashk Ndoci e njeh e gjithë Lezha.
Ai ka studiuar hidroteknikën dhe urbanistikën, dhe zor se mund të jetë kush tjetër më kualifikuar se ai për të folur në lidhje me përmbytjet në Lezhë.
Inxh. Pashku nuk ngutet me deklarata të nxituara, përmbahet në ato që thotë, tregohet profesional dhe i kujdesshëm, sepse e ka të qartë se përmbytjet e Lezhës nuk lidhen as me Bashkinë as me Ministrinë.
Ajo çfarë Inxh. Pashku thotë është se çështja e përmbytjes së Lezhës shkon më thellë se një apo dy mandate legjislative, kërkon koordinim të gjërë faktorësh dhe mbi të gjitha punë të vërtetë studimore. Si njohës i mirë i situatës hidroteknike në Lezhë ai e ka shtrirë bisturinë deri në palcë të problemit, duke sugjeruar 10 etapa që do të shpëtonin Lezhën njëherë e mirë nga përmbytjet. Etapa këto që do të donin, në hamendësimin tonë, të paktën nga një vit kohë secila për t’u implementuar me sukses.
Mëposhtë gjeni arsyetimin e Inxhinierit:
Lezha një Nyje Hidraulike e ndërlikuar e pazgjidhur, histori dhe aktualitet.
Gjeografia dhe rezervat ujore, ishin percaktuese për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral. Sot zhvillimi, realitet krejt tjetër!
Historia e SISTEMIT UJOR. Varfërisë, skamjes dhe malaries si bashkëudhëtare të përhershëm të Lezhjaneve, Zadrimorëve e Bregamatësve u është bashkangjitur edhe një armik tjetër po aq i rrezikshëm dhe konkretisht “përmbytjet e vazhdueshme” nga ujrat e jashtëm të lumenjve ashtu dhe nga ato të brëndshme që vinin si rrjedhojë e reshjeve dhe mungeses së bonifikimit të fushave, sistemimit të përrenjëve dhe argjinaturave lumore e detare.
Po t’i hedhim një sy te kaluarës së hidhur, ose të pyetën ato që kanë jetuar periudha të tilla, iu kujtohen shumë mirë vuajtjet që kanë kaluar nga përmbytjet e shpeshta të cilat i rrëmbenin mundin dhe djersen e derdhur për të siguruar bukën e gojës.
Atë që bënte lumi Mat në pjesën jugore të Lezhës, ujrat e të cilit duke kaluar shtratin natyral duke vërshuar përmes fshtrave Pllanë, Gajush, Rrilë e Barbullojë dhe pasi bashkoheshin me kënetën e Lymit Sykaj, përmbytnin zonën e Bregut Matit, në mënyrë akoma më të egërsuar, e përkeqësonin më tepër ujrat e lumit Bunë, që një degë e saj përhapej gjatë gjithë gjatësisë së kënetës së Kakarriqit, duke shkaktuar përmbytjen e tokave të ulëta të Zadrimes e cila ndodhej nga ana tjetër nën agresionin e lumit Gjader dhe të një pjese të lumit Drin.
Si rrjedhojë e kushteve të vështira që krijoheshin në tokat e ulta fushore të Lezhës të rrethuara nga lumenjtë e kënetat, me një ndryshueshmëri të theksuar klimaterike sidomos për sa i përket sasisë dhe intensitetit te reshjeve nga një zonë në tjetrën, kanë vështirësuar zhvillimin normal të bujqësisë gjatë gjithë kohërave.
Historikisht dihet se deri nga Sh.XIX-të rrjedha e lumit Drin kishte drejtimin nga Lezha. Ai, pasi bashkohej me lumin Gjadër, vazhdonte rrugën e tij duke gjarpëruar nëpër fushën e Zadrimës, kalonte qytetin e Lezhës dhe derdhej në detin Adriatik. Në vitin 1846 gjatë një plotë të jashtëzakonshme, Lumi Drin devijoi duke formuar një shtrat të ri drejt Bahçallekut të Shkodres, ku u bashkua me lumin Buna dhe vazhdoj rrugën për në det. Lumi Gjader dhe një pjesë e lumit Drin vazhdonte të ndiqte afërsisht shtratin ekzistues të sotëm të këtyre lumenjëve. Ndersa për shumë kohë një degë e Lumit Buna mbasi bashkohej me lumin Drin derdhej nëpërmes fushes së sotme të Kakariqit.
Asnjë përpjekje dhe asnjë studim nuk njihet të jetë ndërmarrë lidhur me sistemimin e tërësise ujore për bonifikimin dhe ujitjen nga specialistët tanë apo të huaj perpara ardhjes së sistemit komunist në Shqipëri. Edhe studimi i inxhinierit Italian, Brioti i cili mendonte ta devijonte Drinin e Shkodres në drejtim të Lezhës ishte i parealizueshem për atë kohë kur ai propozoi studimin e tij.
Muaji tetor i vitit 1953 shënoi hapin e parë që mori qeveria e asaj kohe me anen e vendimit:”Mbi masat për përmirsimin e Zadrimës”(2/3 e saj i takonin Lezhës) që synonte përmirësimin e tokave ekzistuese dhe përvetësimin e tokave të reja nëpërmjet punimeve bonifikuese.
Unë do të rendis detyrat kryesore të ekspertëve shkencor që përcaktojnë zgjidhjen e problemit të përmbytjeve në zonen e Lezhës dhe Nënshkodres:
1.Hartimi i një batimetrie(plan rilevimi topografik me kuota) për fushen e Zadrimës, Lezhës, Kakarriqit dhe zonës së Nënshkodres përfshirë lumin Buna dhe liqenin Shkoder. Kjo batimetri do të mundësonte modelimin hidraulik të gjithë kësaj zone, duke dhënë zgjidhje përfundimtare në kompleks për veprat ujore dhe kapacitetet e tyre që duhet të rindërtohen.
2. Hartimi i një plan projekti për të thelluar lumin Buna. Kjo do të rriste kapacitetet e tij, do të ulej kuota maksimale për më shumë reshje nga këto që kemi kaluar, për rrjedhojë nuk do të ndikonte në filtrimin e ujrave kryesisht tek benti Torovicë që shkakton përmbytjen e kësaj fushe.
3.Ridimensionimi i shtratit të lumit Drini Lezhë sipas studimit të Akademisë Shkencave viti 2005, pastrimi dhe thellimi i tij, zgjerimi nga grykëderdhja deri tek përroj Fildanë dhe më gjërë nga Gryk Zeza deri në bashkimin Gjader-Dri.
4. Ndërtimi skolieres veriore në grykëderdhje të lumit Drini Lezhë. Kjo do të mundësonte mbajtjen hapur të grykës që mbushet me rërë nga baticat dhe zbaticat, kuota -4.00m në grykëderdhje do të bënte funsional 30% të shtratit të lumit Drin,
5. Shpronësimi i shesh depozitimit të inerteve që kanë shërbyer për pastrimin e lumit Drin me dragen lundruese, këto sheshe janë ndarë apo tjetërsuar nga shteti tek privati. Blerja e një drage lundruese për të pastruar lumin Drini Lezhë,
6. Pastrim i kanaleve të Ujrave Larta, pastrimi, lartësimi dhe ndërtimi i pritave malore, gjë që do të ndalonte ardhjen e inerteve nga erozioni i madh malor.
7. Rritja e kapacitetit të pastrimit të kanaleve kulluese duke ruajtur një grafik për pastrimin e çdo kanali dhe jo sikurse sot që ka kanale që janë pastruar tre herë kur ka të tjerë që nuk janë pastruar asnjëherë. Parametrat aktual sjellin një grafik pastrimi një herë në 8 vjet, kur pastrimi kanaleve kulluese maksimalisht duhet rritur në një herë në pesë vjet,
8. Ndërtimi i një hidrovori shtesë në Balldre në një kuotë më të ulët deri në -4.6m nga -3.6m që është sot, kjo për arsye se toka torfike e Torovicës(ish këneta Kakarriqit) është ulur një deri në tre metër.
9.Rritja e kapacitetit hidrovorit Tale në 21 deri 31 m3/sek sikurse ka qënë para disa viteve, ku me investimet e bëra në ketë hidrovor është ulur kapaciteti nga 11 deri 15 m3/sek, njëkohësisht të rishikohet mundësia e një hidrovori të ri për zonen Tresh, Spiten, Markatomaj, kjo sepse rruga e thithjes e ujit me hidrovorin Tale është shumë e gjatë, për rrjedhojë edhe koha e largimit të ujit nga këto toka është po aq herë më e madhe në raport me largësinë nga ku thithet me ngritje mekanike.
10. Të çlirohen kanalet kulluese nga zëniet e paligjëshme me ndertime apo me pemë drufrutore, të jepet nje zgjidhje ligjore për tokat e ndara dhe të hipotekuara deri në kanal, duke mos lënë kështu rrugëkalim për eskavatorët që pastrojnë kanalet.