Një fjalë e mençur thotë, “Humbja është jetime ndërsa fitorja ka njëqind baballarë.”
Ndërkaq në kampin socialist ka nisur festa e fitores, e siç i shtyn natyra njerëzore, pothuajse të gjithë janë nën pushtetin e asaj prirjes së brëndshme të futen në një garë mburrjeje kush-e-kush ta paraqesin veten sa më shumë kontribuues në këtë fitore, e nga kampi tjetër, humbja është jetime, askush nuk del të thotë: “humbëm sepse fajin e kisha unë”, edhe kjo po ashtu nuk është asgjë më shumë veçse natyrë njerëzore.
Për këto mjafton një njohuri bazike e psikologjisë njerëzore dhe nuk është zor t’i dëshifrosh, ajo çfarë është e zorshme të lexohet e të kuptohet është fitorja brenda humbjes.
Urtësia e lashtë e një populli aziatik thotë se: “Çdo humbje fsheh brenda një fitore, dhe çdo fitore fsheh brenda një humbje.”
Ne besojmë se ky është rasti i kësaj thënieje. Ne besojmë se humbja nuk ekziston doktor, ajo është një koncept iluzor i përkohshëm, sepse në afatgjatë fjala “humbje” s’ka pikë kuptimi.
Ajo çfarë do të përbënte një ushtrim të dobishëm intelektual është hulumtimi pra, dhe gjetja e fitores brenda humbjes tuaj doktor…
Është pikërisht nën rrënojat shkatërrimtare të humbjes nga ku ngrihet filizi sekret i transformimit dhe rritjes.
Në këtë kuptim, doktor, mendojmë, se i keni bërë një shërbim të madh demokratëve dhe Partisë Demokratike të Lezhës. Rezultati i Kashnjetit i fshiu një elitë dështake nga zyrat e PD-së, i spastroi njëherë e mirë nga selia ca xhaketa të vjetra, ca bolshevikë si Saliu e ca Agamemnonë si Basha, që mund të bashkëpunojnë me njëri tjetrin aq sa bashkëpunon gjarpri me krokodilin.
Humbja jote doktor, dhe fitorja e Albert Mëlyshit janë tuneli dhe drita në fund të të cilit fillon rruga për Partinë Demokratike, e nuk ka sesi të jetë më i mençur se kaq populli. Populli përdori votën dhe u tregoi bash rrugën sesi të transformoheni në lartësinë e kohës.
Demokratët treguan, me sa forcë kishin, se i duan, si ajrin që thithin, të rinjtë, energjikë, ata të zotët e vetes, ata që janë bërë dikushi me forcat e veta, demokratët i duan ata të rinj të cilëve askush nuk ua ka servirur jetën e thjeshtë në pjatë.
Ata të rinj që u bën reaksion në trup e në mendje një lider PD-je që vjen në Lezhë dhe përdor shtatoren e Skëndërbeut – simboli i bashkimit – për të mbjellur dasi, një lider që bën anti-Skenderbeun duke përdorur vetë figurën e Skëndërbeut.
Populli i mençur i Mirditës doktor, u tha demokratëve të Lezhës se në mbledhjet e Partisë Demokratike nuk duhet të vijojë të vijë era pleq.
Doktor ti nuk je humbës i këtyre zgjedhjeve, ti ishe, ashtu siç ta thamë javë mëparë, i papërshtatshëm për to. I papërshtatshëm jo për fajin tënd.
U thirre në urgjencë doktor, t’i shkove me vrap te urgjenca ashtu siç ta kërkon instinkti profesional, dhe ata të thanë se nuk ka pacient. Pacientja ishte partia, në gjendje të rëndë, të cilës, i ishin thyer strukturat e jo kockat.
Partia Demokratike doktor ka nevojë të mblidhet një ditë në Mirditë. Ajo ditë që vlen sa të gjitha ditët e ekzistencës së saj.
Sepse fitoren do ta gjeni bash ditën kur do mblidheni të bëni analizen e humbjes? Do kisha qejf të merrja pjesë e t’ju degjoja, se dua të nxjerr rezultatin e zgjedhjeve që vijnë.