Mëngjes. Është ora 7 e mëngjesit, nuk ka shumë që ka zbardhur drita, dhe zhurmat e para të jetës së qytetit akoma nuk e kanë nisur simfoninë e përditshme.
Me një shikim të thellë, me rrudha mjaftueshëm të thella në fytyrë për të treguar integritet e karakter, me një ecje të ngadaltë sikur po shkelte mbi pupla, duke mbajtur një qiri të ndezur në dorë, ky burrë i moshuar më ndalon përballë. Nga çudia marr guxim dhe e pyes:
Ku shkon me qiri ndezur në pikë të mjesit o njeri? , – i them, i bindur se diçka nuk shkon me këtë njeri.
Kam një javë që po kërkoj ndonjë lezhjan që s’i ka dhanë lekë doktor Pashkut?, – më thotë.
Sigurisht që kjo është një histori fiksionale, e sajuar, që nuk ka ndodhur vërtetë, e vetmja e vërtetë në këtë histori është se ajo çfarë thotë personazhi e thonë komentuesit pothuajse në çdo postim të kësaj faqeje.
Komenti i dytë më i lexuar është se Dr. Pashk Gjoni shërbimin më të lartë ndaj Lezhës, e bën, dhe duhet ta bëjë, si mjek.
Këto komente, që në fakt janë urtësi popullore, burojnë nga një e vërtetë e madhe e gjithëpranuar, majtas e djathtas, që Dr. Pashk Gjoni është një mjek i zoti.
Tani le ta nisim arsyetimin nga një drejtim tjetër e të vijmë përsëri në përfundimin se komentuesit tanë kanë të drejtë.
Do të nisemi nga ligjëratat e kandidatit Gjoni në takimet e tij të fundit në Blinisht e Shënkoll. Nëse i dëgjoni me vëmendje ligjëratat e tij, pa shumë vështirësi do të vëreni menjëherë 3 elementë që përsëriten rregullisht:
I pari: Kur thotë, dhe këtu po e citojmë, “Bashkia e ka në dorë me ba, i ka mjetet, por nuk i ka ba, rrugën, kanalizimet, etj, siç po më thoshin disa banorë…”
Lepuri këtu fshihet tek tri fjalët e fundit të fjalisë së tij, “po më thoshin disa banorë”…
Është shqetësues fakti që kandidati nuk ka njohuri paraprake për zonat dhe po mbështetet vetëm në perceptimet e krijuara përmes bisedave me njerëzit. Ndërsa është e rëndësishme të kuptojmë shqetësimet dhe opinionet e qytetarëve, është po aq e rëndësishme që një kandidat të jetë në brendësi të thellë të atyre, çështjeve dhe sfidave të qytetit.
Si mjek, kandidati mund të ketë ekspertizë të pagabueshme në kujdesin shëndetësor dhe shëndetin publik, por është thelbësore që ai të kenë gjithashtu një kuptim gjithëpërfshirës të fushave të tjera të rëndësishme si transporti, infrastruktura, arsimi dhe zhvillimi ekonomik, bujqësia, urbanistika, emergjencat etj.
Duke mos qënë një kandidat natyror pra, i mbrumur nga aktiviteti në bazë dhe me bazën, apo i afërt me hallet e problemet sociale, është i detyruar të ligjërojë me terma të përgjithshëm, si demokracia, bujqësia, emigracioni.
E dyta: Kur thotë që do të rikthejmë demokracinë.
Zgjedhjet lokale doktor, me gjithë respektin, nuk janë zgjedhje politike. Humbët apo fituat ju, Partia Socialiste do vazhdojë të qeverisë. Nuk ndryshon pra drejtimi politik i vendit në këto zgjedhje.
Ne nuk e besojmë se ju nuk e dini këtë. Ne besojmë se ju e thoni këtë për t’u shitur një kategorie demokratësh atë idenë se duke iu votuar juve, rrëzojnë Edi Ramën. Kështu ia thyeni të gjitha kockat logjikës.
E treta: Kur thotë “ju premtuan lugë floriri…”
Qofshim të gabuar, por në arkivën tonë nuk rezulton të jetë bërë ndonjëherë një deklaratë e tillë prej Ndreut. Nuk e kemi askund të regjistruar të ketë premtuar lugë floriri Ndreu.
Ajo që spikat ulëritshëm në ligjëratën e doktorit, është një mosnjohje e thellë e kapacitetit financiar të Bashkisë Lezhë. Kjo lexohet qartë kur u thotë njërëzve, “Bashkia i ka mjetet”, “ka mundësitë”, “i ka fondet”… në çdo takim të tij, siç e thamë, është një refren i njëjtë.
Bashkia nuk funksionon me Fonde Hyjnore. Pastrimin e qytetit nuk e bëjnë Zanat e Malit, shkollat e çerdhet, e rrugët, e lulishtet, e parqet, e kanalizimet, nuk i ndërtojnë Muji me Halilin.
(Në përfundim, gjëja e fundit që presim prej Jush është ta interpretoni këtë artikull, si sulm, apo si fushatë kundra jush. Ne mendojmë se duhet të na falenderoni nëse e lexoni këshillën e brëndashkruar.)
Kërkoni nga stafi Juaj një grafi më të detajuar të qytetit dhe njësive.
Kur të shkoni herës tjetër në Shënkoll mos thoni janë “hapur ca metra kanal dhe shiten si kilometra”, por shkoni me kamera dhe drejtoni gishtin fiks aty tek ato metra për të cilat flisni që të jeni i besueshëm.
Kur thoni Bashkia i ka mjetet, i ka fondet… jini konkret, sa fonde? Ku? Si? Qysh? Tek?
Bashkia ka fond vjetor X milionë, Y janë ofertë e kushtëzuar, Z janë shpenzim, T janë investime, dhe ne do të ndryshojmë këto apo ato zëra. Ky është lloji i ligjërimit që presim.
Kur bëni mbledhje për programin e sportit dhe kulturës, nuk është zgjidhje të diskutoni se si do të shpenzoni ndryshe, sekreti i Bashkisë është si të gjeneroni të ardhura, ta bëni fitimprurës si institucion, jo sesi do të bëni rokada me zërat e shpenzimeve.
Të thuash 3 vezë + 2 vezë bëjnë 5 vezë, është njësoj si të thuash 2 vezë + 3 vezë = 5 vezë. Pra në fund të ditës, 5 vezë janë ato të shkretat. Si do t’i bësh 8 apo 10 vezë? Kjo është çështja.
Këto janë gjërat që presim të dëgjojmë ne dhe lexuesit tanë, që të bindemi se e keni seriozisht.
Një këshillë: Shikoni doktor se çfarë bën Igli Cara në Durrës, që i di përmendësh të gjitha vendimet e Këshillit të Bashkisë Durrës, që është konkret, që faktet i vallëzojnë me logjikën e asaj që thotë, e që nuk është rastësi, pse në Durrës e respektojnë aq shumë.
Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar, nëse nuk jepni detaje do të thotë se nuk jeni në brendësi, e për rrjedhojë nuk mundeni dot ta çoni bisturinë deri në palcë të problemit.
Bisturia juaj doktor është shumë e vyer, në disa raste ka bërë mrekulli, në disa të tjera jo dhe aq, por gjithsesi mbetet simboli i profesionit dhe intelektit tuaj, dhe ja përse, siç thonë komentuesit, lezhjanët me votën e tyre, nuk do t’Ju lejojnë ta braktisni profesionin e mjekut. Ata do të të bindin se bisturia nuk e bën dot punën e sëpatës, as allçia punën e lopatës.