“Dokrra hini…”/ Kryetari i Bashkisë sqaron si është puna me taksitë

2970

“Furtunë në gotë”, me këtë frazë e ka filluar përgjigjen e tij Kryetari Ndreu, kur i kërkuam një sqarim në lidhje me këtë situatë.

Taksistët e Lezhës jo vetëm që nuk do të përjashtohen, por do të jenë të parët e radhës që do të ofrojnë shërbimin, dhe do të kenë të drejta lëvizjeje të plota, si mbretëresha në shah.

Madje, madje, shton Ndreu, edhe kur pati një sugjerim të ri për këtë pjesë, nuk ka lejuar në cilësinë e Kryebashkiakut të Lezhës, asnjë alternativë që do të mënjanonte taksitë e Lezhës.

Arsyetimi është shumë i thjeshtë, shprehet Ndreu, këta taksistë ushtrojnë aktivitetin e tyre brenda territorit të Bashkisë Lezhë dhe janë taksapagues të saj. Ndaj për asnjë arsye nuk do të mund të reduktohet hapësira që u jep ligji për të ushtruar aktivitetin e tyre.

Taksitë e Tiranës do të kenë vetëm rol komplementar, që do të thotë, se kjo kompani do të menaxhojë pjesën tjetër të kërkesës për transport të cilin taksitë e Lezhës nuk e mbulojnë dot.

Arsyeja tjetër është se me këtë metodë, do të kufizohen rastet e abuzimeve ku njërëz të papërgjegjshëm, veshin mantelin e taksistit, pa qënë asnjë ditë taksistë në jetën e tyre, me qëllim që të abuzojnë me çmimet e transportit dhe duke e shfrytëzuar këtë si një mundësi për të futur gjithfarësoj gjërash të tjera.

Kësaj here jo, taksistët e Lezhës, dhe taksitë e kompanisë nga Tirana do të pajisen me stiker UNUM dhe do të jenë lehtësisht të identifikueshme.

Ajo çfarë ndodhi dje para dyerve të Bashkisë Lezhë, ndërsa unë zhvilloja takim me përfaqësi të huaja, në zyrën e Kryetarit të Bashkisë, nuk ishte tjetër veçse një festival thashethemnaje i paskrupullt e që do të ndiqet në rrugë ligjore në rast përsëritjeje me baza të paqëna.