Deputeti i Lezhës propozon 2 Marsin si Festë Kombëtare. Alfrida Marku: Ishte ideja jonë!

251

Lezhë – Një lajm, i pakonfirmuar zyrtarisht, ka qarkulluar ditët e fundit nëpër disa kanale mediatike, deputeti Eduard Ndreca ka depozituar në Kuvend një kërkesë për vendosjen e 2 Marsit si Ditën Kombëtare të Unitetit.

Propozimi, i cili ka marrë vëmendje ditët e fundit, synon të promovojë unitetin dhe të bashkojë vendin në një kohë ndarjeje dhe polarizimi politik.

Deputeti Ndreca, mësohet se në kërkesën e tij ka theksuar nevojën për një ditë kushtuar promovimit të unitetit dhe paqes, duke u shprehur se: “Vendi ynë po përballet me një krizë përçarjeje dhe është koha që ne të përbashkohemi si një popull i tërë, 2 Marsi shënon një ngjarje të rëndësishme në historinë e kombit tonë dhe është një simbol i qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë së popullit tonë, dhe si shembull i asaj që  shqiptari mund të arrijë kur është i bashkuar”.

Ideja e deputetit Ndreca është në të njëjtën frymë edhe me atë që shpreh Kushtetuta e Shqipërisë, është gjithashtu në përmbushje të amanetit të madh të Gjergjit të Parë (Kastriotit është fjala) dhe Gjergjit të Dytë (Fishtës) për bashkimin e shqiptarëve. Besëlidhja e Lezhës shihet si një simbol i unitetit dhe bashkëpunimit midis shqiptarëve.

Në një reagim të fundit të saj, ish-zëvendës kryetarja e Bashkisë Lezhë Alfrida Marku u shpreh gjithashtu pozitive për mbështetjen në rritje për propozimin, e që sipas saj ka qënë propuzuar kohë më parë prej tyre, dhe se deputeti Ndreca thjesht ka kopjuar tekstin.

Meqënëse është e pamundur të gjurmohet kujt i shkrepi në mendje mëparë kjo ide. Ky fakt, ka pak, ose aspak rëndësi. Peshën në këtë punë nuk e ka të paturit idenë, por e ka konkretizimin i saj. Merita dhe përpjekja në këtë drejtim i njihet atij apo asaj që lëviz për ta jetësuar idenë, me peticione, me grupe interesi, konsultime, kërkesa, diskutime me anëtarë të Kuvendit dhe kabinetit.

Ky propozim nuk ka të bëjë vetëm me një parti politike apo një grup njerëzish, por ka të bëjë me të gjithë ne të bashkohemi si komb, dhe “lufta” që ishte ideja ime apo ideja jote, nxit pikërisht të kundërtën e asaj që vetë nisma synon.

Propozimi duket se ka marrë mbështetje nga të dyja anët e Kuvendit, me shumë deputetë duket se po shprehin mbështetjen e tyre për një ditë kushtuar promovimit të unitetit dhe paqes. Në një kohë kur vendi ynë është kaq i ndarë, është e rëndësishme që të mblidhemi dhe të festojmë atë që na bën të gjithëve shqiptarë.

Ndërsa propozimi ende duhet të kapërcejë një e nga një shkallët që parashikon ligji, ai pritet të fitojë mbështetje të mëtejshme në javët e ardhshme. Krijimi i Ditës Kombëtare të Unitetit do të ishte një hap i rëndësishëm në bashkimin e vendit dhe promovimin e paqes dhe unitetit për të gjithë qytetarët.

Ky artikull po përditësohet ndërsa ngjarja zhvillohet.