Partia Demokratike e Lezhës ka festuar mbrëmjen e djeshme 32 vjetorin e themelimit, një festë në fakt e cila më shumë sesa festë u përftua si një shfaqje force apo epërsie numerike, duke publikuar pamje nga një kënd videoje ku tregohej një grumbullim i stërmadh anëtarësh e simpatizantësh, edhe pse në atë sallë ishin njerëz po aq sa kandidati ka ndjekës në faqen zyrtare.
Ky grumbullim, ose më saktë, pamjet e publikuara të këtij grumbullimi, ishin ndoshta sinjali që kërkohej të përcillej, masiviteti pra, ndërsa ajo që kuptohej, edhe kësaj here, ishte mospasja e një organizimi të mirfilltë për kremtimin e një feste të tillë, ose më saktë: i vetmi planifikim ishte mungesa e planifikimit.
Nuk pati pra tavolina të rrumbullakëta, as ovale, ku së bashku me elementët artistikë të spikasnin fjalët e mençura të demokratëve të vjetër. Të kishte të ftuar specialë, të shpërndaheshin kopje librash, ndoshta nga një kopje e “1984 të George Orwell”... jo-jo nuk pamë asnjë nga këto, por vetëm një turmë kaotike.
Çfarë thanë fjalimmbajtësit, dhe çfarë u dëgjua në të vërtetë?
Përsëri, fjalimet ishin të reja, por fjalët e vjetra. Edhe njëherë, si pëherë, ajo që spikati në fjalimet e rastit që u mbajtën ishin paradigma e rebelimit, e mosbindjes, e mospranimit të rendit ekzistues, e shembjes, e rrëzimit të sistemit aktual, me fokusin te shkatërrimi përkundrejt ndërtimit të diçkaje të re përtej nga aty ku horizonti i socialistëve mbaron.
Pra, rrëfenja, të prishim gjithçka ekzistuese dhe ta bëjmë Shqipërinë nga fillimi, edhe në këtë përvjetor, ishte filozofia sunduese.
Pa shumë zor, nga një analizë e përciptë e fjalimeve që u mbajtën, medoemos të shkonte mendja te ajo thënia e Gandit, “nëse dëshiron të ndryshosh botën nisja nga vetja”, thënie të cilën demokratët nuk po e zbatojnë dot, që për të ndryshuar Shqipërinë duhet të ndryshojnë veten, që për të ndryshuar Edi Ramën, duhet të ndryshojnë po veten, e kur themi veten, nuk është fjala për kostumet as podiumet, por mendësinë, elitat, liderët.
“Ushqimi” pra i shërbyer edhe në këtë përvjetor të linte me atë oreksin, me atë dëshirën për urrejtje, për të urryer dikë, ndjesi që sa vjen e zmadhohet veçanërisht në turma.
Në përfundim, ne sinqerisht urojmë të jemi të gabuar në të gjitha perceptimet e mësipërme, dhe demokratëve “Gëzuar Festën!”.