Çfarë trashëgimie gjeti Ilir Meta sot në Lezhë…

2011

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinj dhe banorë të Lezhës.

Lezha mbetet një stacion i rëndësishëm për Ilir Metën dhe partinë që ai drejton, edhe pas kaq vitesh shkëputje për shkak të detyrës si President i Republikës.

Partia e Lirisë nuk është më ajo LSI-ja e dikurshme në Lezhë, çdo ndjekës i vëmendshëm i aktualitetit mund ta konfirmojë lehtësisht këtë, e kjo nuk do të thotë se ata kanë marrë fund përgjithnjë politikisht në Lezhë.

Në skenarin më pesimist Partia e Lirisë trashëgon minimalisht 500 – 700 vota nga LSI-ja në Bashkinë e Lezhës, që për hir të së vërtetës, duke marrë në konsideratë emigracionin masiv, dhe për rrjedhojë një pjesëmarrje të ulët në zgjedhjet e ardhshme lokale, ato pak vota mund të bëhen vërtetë deçizive në konfigurimin e balancave të Këshillit Bashkiak të ardhshëm.

Partia e Lirisë e ka shpallur haptazi synimin e saj për Këshillat Bashkiak, jo vetëm në Lezhë, por në të gjitha Bashkitë e vendit.

Ilir Meta sigurisht që nuk është i kënaqur me numrat aktual në Lezhë, dhe afërmendsh që lëvizjet e strukturave të PL do të intensifikohen për t’i rritur ato. Duhet thënë megjithatë se nëse ka diçka që Ilir Meta e vlerëson më së shumti tek të vetët, tek ata që i mban afër, ajo është besnikëria.

Besnikëria ka emër!, në partinë e Ilir Metës, ndoshta ky ishte slogani i tij i pashpallur sot.

Dajana Kovaçi, ish-anëtare e Këshillit Bashkiak Lezhës, ish-kryetare e Këshillit Kombëtar LSI
Dajana Kovaçi, ish-anëtare e Këshillit Bashkiak Lezhës, ish-kryetare e Këshillit Kombëtar LSI

Kryetarin e PL e shoqëruan sot në takim edhe ish-deputeti Tushaj, kryetari për Lezhën Petrit Gjoni, përfaqësues të të rinjve si Vivian Golemi, ish-anëtarja e Këshillit Bashkiak Dajana Kovaçi, e cila, kjo e fundit, është ndoshta një nga figurat që fjalë-për-fjalë është rritur si mbështetëse e kësaj force (që nga fëmijëria), e që për kaq shumë vite opozitarizmi me siguri duhet të ketë refuzuar shumë oferta joshëse për të hequr dorë, për të ulur zërin, apo për t’u hequr si e zhgënjyer.

Por ajo nuk i ka bërë asnjërën nga këto. Nuk është rastësi që ajo ngjall entuziazëm aty dhe është vajza simbol e besnikërisë brenda asaj force politike, dhe sigurisht ka shumë leksione për t’u dhënë atyre që sot e mbajnë prapanicën midis dy karrigeve… politikisht!