Te etur për të shfaqur fuqinë e turmës, demokratët lezhjanë mbështetës të Berishës e mbushën këtë mbrëmje plot e përplot sheshin qëndror, rrugicat, dhe hapësirën ku normalisht qëndrojnë karriget e tavolinat, të restorantit Orkidea.
Takimi, për hir të së vërtetës, pati një organizim dhe prezantim dinjitoz, por çaloi në misionin e tij.
Devijimi nga ajo që pritej nisi si gjithnjë me ato fjalimet rutinë e të mërzitshme për vdekje ku folësit përshëndesin emër-për-emër duke i shoqëruar me ovacione, kandidatët, deputetët, kryetarët, për meritën e tyre të veçantë, se ekzistojnë. (Shumë respekt, e të nderuar janë të gjithë, por një folës që predikon ndryshimin, herë pas herë duhet të ndryshojë edhe predikimin.)
Në prezantimin hapës, ishte deputetja Metaliaj e cila e bëri fakt të kryer, duke e thirrur kandidatin Pashk Gjoni, si kryetar të ardhshëm të Bashkisë. Pra kandidati (dhëndrri) ishte në dasëm, por nusja (Bashkia Lezhë) sado që ia thërrisnin emrin, nuk dukej gjëkundi, nuk u shkonte.
E për këtë do të duhet të presin lezhjanët të flasin me 14 Maj. Askush tjetër përveç votuesve të Lezhës nuk ka të drejtë të bekojë kryetar të ardhshëm të Bashkisë Lezhë, askënd, majtas apo djathtas qoftë.
Në podiumin e folësve është ngjitur edhe z. Tushaj, i cili mbajti një fjalim të shkurtër aq edhe të sinqertë, pa skaletë, dhe brilant. Tushaj tregoi edhe njëherë, pas kaq vitesh, se nuk e kishte humbur aspak instiktin e oratorisë.
Pas tij, në podium e mori fjalën kandidati Gjoni, i cili, edhe për shkak të emocioneve nuk e ruajti rrjedhshmërinë e ligjërimit, as me skaletë përpara. Është i falur pikërisht për shkak të emocioneve, sepse e dimë që nuk e pati seriozisht kur u shpreh se “lezhjanët do t’i ushqejmë me ujë”.
Padashur të biem në grackën e gjykimit më shumë se ç’duhet të detajeve (të cilat në të vërtetë thonë shumë), pritshmëria e çdo qytetari për kohën që i kushton ndjekjes së një eventi të tillë për të dëgjuar ndonjë plan, vizion, apo strategji, sesi palët në garë mendojnë të bëjnë ndryshe apo më mirë se Ndreu në krye të punëve të Lezhës, sërish nuk u kënaq.
Ne i nxisim qytetarët, çdo lexues, të nguten e të ngulmojnë në këtë kërkesë, për të dëgjuar nga kandidati, majtas, djathtas, apo pak-më-djathtas, programin, planin, vizionin që ka përgatitur për Lezhën 2023 – 2027. Kjo është kritike.
Dëgjojeni të plotë: