Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste z. Agron Duka ka zhvilluar ditën e sotme një takim në Lezhë me të rinj të angazhuar me strukturat e kësaj partie, në këtë takim Duka bëri publik ambicien e Partisë Agrare Ambientaliste për të patur një kandidat për Bashkinë e Lezhës në zgjedhjet lokale të 14 Majit. Por lajmi nuk është ky.
Lajmi është ai që qëndronte në krahun e djathtë të zotit Duka. Ish-Kryebashkiaku, ish-Prefekti i Lezhës z. Gjokë Jaku, i cili, ky i fundit, u prezantua nga Duka si koordinator i PAA në Qarkun e Lezhës.
Të dy bashkë ata theksuan, dhe e bënë të qartë se përfaqësimi në Këshillat Bashkiakë të Lezhës, Kurbinit, dhe Mirditës është kryeambicia e tyre elektorale.
Pra, që të flasim në një kontekst më të gjërë, jo vetëm PAA, por të gjitha partitë që kanë synime elektorale me 14 Maj e kanë fokusin tek Këshilli.
Duke parë se në popull dhe ambiente publike flitet e përflitet për punët që ka kryer Ndreu gjatë mandatit të tij, ka njëfarë dorëzimi, ose si të thuash, pranimi që Ndreu e gëzon simpatinë e elektoratit përmes punëve të kryera, dhe do të rikonfirmohet.
Çfarë mbetet?
Këshilli. Historiku i ndarjes së këshilltarëve në Bashkinë e Lezhës është shumë i larmishëm, dhe ka patur disa forca politike të cilat kanë marrë 2-3 apo edhe 4 këshilltarë duke u shndërruar kështu në faktorë deçiziv për arritjen e kuorumit për kalimin e projekt-vendimeve.
Shkurtimisht, e gjithë beteja me 14 Maj në Lezhë do të jetë për Këshillin, si e vetmja mënyrë për ta detyruar Ndreun t’ua ketë nevojën, që të kalojnë me shumicë votash projekt-vendimet në Këshill.