Agostin Marku ju duhet… edhe pas datës 14…

766

E kemi thënë e do ta përsërisim: personat që kanë ushtruar detyra të rëndësishme në institucionet lokale të Lezhës, siç janë zv/kryetarët e Bashkisë apo të Këshillit e të Prefekturës janë, duam apo nuk duam, pasuri e jona kolektive.

Përvoja që merr një person i cili për vite e vite me radhë ka ushtruar detyrën e zv/kryetarit, nën/kryetarit, këshilltarit nuk mund të barazohet me zero sa herë që bindjet politike kalojnë stinë të vështira.

Këta njerëz përveçse i kemi me pakicë, janë edhe investimi ynë i përbashkët, njohuritë e tyre dhe përvoja e tyre institucionale, jo vëtem shërben për brezat e rinj në krye të detyrave të rëndësishme, por ata luajnë rolin e senatorëve të përjetshëm të qytetit.

Nuk mundet dhe nuk duhet të jetë viktimë e asaj që bota e zhvilluar e quan “Cancel Culture” thjesht sepse në një moment të caktuar, në përpjekje për të mbrojtur zërin e tyre, janë gjendur në anën e pafavorshme të motit politik. Ata na duhen jo për bukurinë, as për shtatlartësinë, por për njohuritë e akumuluara ndër vite në role të rëndësishme, që pak të tjerë i kanë.

Një ndër këta persona është edhe Agostin Marku, për të cilin nuk është fare e nevojshme të listojmë detyrat që ka patur ndër vite, por mund të themi se falë konsultimeve me të janë evitur shumë gafa ligjore, qoftë nga të djathtët po ashtu nga të majtët. Jo sepse është më i ditur se juristët, ekonomistët, artistët, por sepse pikërisht, ka më shumë përvojë. Përvojë e një lloji shumë të veçantë. E përvojën e tij ai e ndan bujarisht me ata që ia kërkojnë.

Në morinë e çështjeve dhe problematikave që duhen zgjidhur apo kërkohen zgjidhje, është kritike që përveç njohjes në thellësi me problemit, po aq, e ndoshta edhe më shumë rëndësi ka njohja e evolucionit të problematikës, që në gjenezë e deri në ditën që merret në shqyrtim. Ata që i njohin gjërat deri në gjenezë, fatkeqësisht janë pak, dhe ato pak na duhen të na përfaqësojnë dhe të ketë peshë mendimin dhe fjala e tyre.

Agostin Marku ju duhet, përtej bindjeve politike, edhe pas datës 14.