20 mijë pjesëmarrës që nga 5 Gushti, kush do ta mbushë sheshin në Lezhë sonte

984

A është Lezha një qytet i pasur?

Financiarisht është fjala…

Kjo është një pyetje relative dhe me përafri mund të themi relativisht se jo, Lezha nuk është një zonë e pasur pasi mesatarja e familjeve apo asaj që quhet shtresë e mesme nuk ka akoma peshën statistikore që duhet të ketë.

A është Lezha një qytet i lumtur?

Ose më saktë: a mundet një qytet i varfër të jetë edhe i lumtur? Sigurisht që po. E për këtë ka shembuj plot, një qytet mund të mos jetë i pasur por sigurisht që kjo nuk e pengon të jetë i lumtur.

Kur një qytet gëlon natë e ditë, që nuk fiket në ora 13:00 kur fshatarët kthehen në shtëpitë e tyre, sigurisht që është i lumtur. Kur një qytet i ka rrugët plot me fluks lëvizjesh dhe shkëmbimesh, sigurisht që është i lumtur. Kur ka një shëtitore që mbushet dhe njerëzit, kur njerëzit dalin, nuk kyçen në shtëpi, por derdhen lumë natë për natë, kur ka aktivitete, kur ka ndodhi, kur njerëzit kanë hapësira të njihen e të rrjetëzohen me njëri tjetrin këto janë simptoma bindëse të një qyteti të lumtur.

A është Lezha e lumtur pra?

Kësaj pyetjeje do t’i përgjigjemi më hollësisht në një artikull vijues, por ajo që ka ndodhur prej datës 5 Gusht, ka qënë me të vërtetë një përpjekje serioze për ta bërë këtë qytet të lumtur.

Mbi 20.000 vetë i kanë frekuentuar netët festive të muajit gusht në sheshin qëndror.

Në skenë janë ngjitur zërat më të mirë të muzikës shqiptare duke filluar me Alban Skenderaj, Majk, Gëzim Nika, Mateos Frroku, Fisnikët, Asgje Sikur Dielli etj etj.

Si shpjegohet që para një muaji njerëzit nuk dilnin kaq shumë, ndërsa tani bëhen 20 mijë?

Kjo ndodh sepse ata duan arsye që të dalin. Dalja e njerëzve nga shtëpitë është ajo që i jep energji qytetit, e gjallëron atë, është fundja, dashuria për qytetin. Nëse qëndrojnë të kyçur në shtëpi, mbetet energji e fshehur, e humbur e pashfrytëzuar.

Është për t’u vlerësuar përpjekja serioze e Bashkisë për ta bërë këtë qytet të lumtur, ajo krijoi shkakun që njerëzit të dalin dhe ata vërshuan lumë.

Sonte në shesh do të jetë Elita 5, dhe ata njerëz në atë shesh do të jenë të lumtur, por jo vetëm ata, do të jenë të lumtur edhe ata që po ecin në rrugë, sepse tingujt përhapen deri atje, por jo vetëm ata, do të jenë gjithashtu të lumtur edhe ata që e ndjekin nga ballkoni i pallatit, sepse edhe në mos pëlqefsh muzikën, gjallëria e të tjerëve të bën vetvetiu të lumtur.

Po përse Lezha nuk mund të jetë gjithë vitin e lumtur, por vetëm dy javë gushti?

Bashkia nuk e ka për detyrë ti bëjë lezhjanët të pasur, por patjetër e ka për detyrë ta bëjë këtë qytet të lumtur.

Ne e dimë se përgjigjja lidhet me ca çështje buxheti, por shpresojmë që ky të mbetet një objektiv për të ardhmen.

Fundja, qytetarëve nuk u intereson të dinë si funksionon shteti, si funksionon urbanistika, organizimet eventet, fondet për kulturën, artin.

Qytetarët në fund të ditës, ose në fillim të saj pyesin veten: a jam i/e lumtur në këtë qytet ku po jetoj?