Poeti lezhjan merr vlerësimin e lartë, përgjatë dy viteve në krye të fushatës që do të promovojë poezinë shqipe

I pari për ta shpërndarë në faqen e tij të Facebook ka qënë Kryetari i Qarkut Lezhë Dr. Eduard Ndreca, lajmin për vlerësimin e lartë që i është bërë Z. Rudolf Marku, poeti dhe përkthyesit të kryeveprave në gjuhën shqipe.

Poeti lezhjan, Rudolf Marku, u shpall nëpërmjet një ceremonie mbajtur në Ministrinë e Kulturës, Poeti Laureat shqiptar. Përgjatë dy viteve, 2020-2022, ai do të jetë në krye të një fushate për të promovuar poezinë shqipe.

Komiteti i këtij vlerësimi e shoqëroi vendimin me motivacionin e mëposhtëm:

Motivacioni:

“Ka arritur të ndërtojë një vepër të pasur dhe koherente përtej konteksteve historike, politike dhe gjeografike në të cilat ka jetuar poeti, duke shprehur me gjuhën e përshtatshme atë çka është e qëndrueshme te njeriu. Në motivacionin për Poetin Laureat është vlerësuar edhe shërbimi i çmuar që i ka bërë ai kulturës kombëtare, duke sjelle në shqip shumë nga kryeveprat e poezisë botërore”.

©Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Dy Ministret e Kulturës së Shqipërisë dhe Kosovës, Znj. Elva Margariti dhe Znj. Vlora Dumoshi, në një ceremoni të organizuar në mjediset e Ministrisë së Kulturës, i dorëzuan poetit Rudolf Marku trofeun e të parit “Poet Laureat” shqiptar. Rudolf Marku do ta mbajë këtë mandat përgjatë dy viteve, 2020-2022, dhe do të jetë në krye të një fushate për promovimin e poezisë shqipe.

Ministrja Margariti shprehu dëshirën që pas dy vitesh “Poeti Laureat” të jetë një trofe i përbashkët me Kosovën. – “Nuk ka poetë të Shqipërisë apo poetë të Kosovës, por ka poetë të të gjithë shqiptarëve”.

Rudolf Marku ©Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit

Rudolf Marku (1952) ka lindur në Lezhë. Është diplomuar në Universitetin e Tiranës Ai ka punuar si redaktor në gazetën letrare “Drita” në vitet 1987-1990, nëpërmjet së cilës përfshiu dhe i dha zë shkrimtarëve të rinj, duke ia njohur ata lexuesit shqiptar. Në vitin 1996 emërohet atashe i kulturës nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë pranë Ambasadës Shqiptare në Londër. Vëllimi i parë poetik “Shokët e mi” (1974) u kritikua nga shtypi si një libër me gabime ideologjike, ç solli tërheqjen e tij nga botimi dhe bëri që ta dërgonin në fshat. Më pas kanë ndjekur botimin librat “Rruga” (’77), “Sërishmi” (’82) “Udhëtim për në vendin e gjërvae që njohim” (’89) etj.. Në vitet e fundit ka botuar disa romane, ku ndër më të rëndësishmit ndër ta është “Tre divorcet e zotit Viktor N.”, me të cilin fitoi Çmimin Kadare për vitin 2015, në edicionin e parë të këtij çmimi.

Rudolf Marku mbetet një ndër autorët më aktiv dhe të pranishëm në letërsinë shqipe. Është nderuar me çmimin e Poezisë Evropiane në Berlin në vitin 2007; me çmimin Naim Frashëri për vitin 2012 në Tetovë dhe Prishtinë; me çmimin At Zef Pllumi për librin poetik; me çmimin PEN dhe me çmimin Penda e Argjend, dhënë nga Ministria e Kulturës për vitin 2012.