“Mos pretendoni që fëmija të mos gënjejë”, pediatrja Gjika ndan këshillën më të rëndësishme me prindërit

Pediatrja e mirënjohur shqiptare Lira Gjika ka ndarë pak minuta mëparë një ndër këshillat e saj më të rëndësishme në lidhje me atë sesi fëmijët mësojnë të përdorin gënjeshtrën dhe sesi fëmija nuk ndjek shembullin e asaj që prindërit thonë por të asaj që prindërit bëjnë.

Lexojeni si e përshkruan këtë dinamikë pediatrja Gjika:

Nëna duhet të shkonte diku, por nuk do ta merte me vete fëmijën. Fëmija e ndjen se nëna nuk do të rrijë me të dhe nuk i ndahet. Nëna nervozohet dhe i thotë fëmijës :-mos bëj kështu,-po ti do të ikësh, nëna i përgjigjet- jo, nuk do të iki. Po ti po vishesh. Nëna nuk përgjigjet. Në këtë kohë hyn gjyshja në lojë, dhe i thotë:- hajde te gjyshja se do të jap diçka.- fëmija shikon me trishtim, nuk beson as njërën as tjetrën, por nuk ka çtë bëjë. Shkon te gjyshja dhe ajo i jep një çokollatë, ndërkohë dëgjon derën, që hapet dhe mbyllet dhe fëmija kupton, që nëna iku dhe fillon të qajë me të madhe, përplas çokollatën, shkon me vrap te dera, por ajo është e mbyllur. Shkon te dhoma e nënës dhe ajo nuk është më aty. Këtë ngjarje ku unë isha spektatore, e kam postuar tre vite më parë dhe për fat të keq, po sot, unë isha prap spektatore e po të njëjtës sjellje të nënës dhe gjyshes me fëmijën. Të dyja, nëna dhe gjyshja, me gjakftohtësi dhe pa u menduar e gënjyen fëmijën. E keqja qëndron, se prindërit pasi i gënjejnë vetë fëmijët i etiketojnë dhe pretendojnë, që ata, fëmijët, të mos gënjejnë apo të jenë të edukuar. Sjellja është pasojë të nderuar prindër dhe ndërtohet e fitohet në familje sipas shëmbullit që i ofrojnë vetë prindërit. ©Lira Gjika/Facebook

Megjithatë komentues të shumtë e falenderojnë pediatren që e solli këtë situatë në vëmendjen e tyre por ata shprehen se mungon një orientim sesi prindërit duhet të veprojnë për ta kapërcyer një ngërç të tillë.

Në mungesë te shpjegimit nga pediatrja ne duam që lexuesit tanë të ndajnë përvojën e tyre duke na treguar se cila është zgjidhja e tyre më e mirë në një dinamikë të tillë.

Presim të lexojmë këshillat tuaja.