Ai është ndryshe. Me stilin e tij, që i ngjan produktit të një pjekurie artistike që zakonisht arrihet kaluar të 50-ve. Me idetë e tij artistike ai u shmang nga rrjedha e madhe e artit të sotëm të prirur kah abstragimi apo estetika e kaotikes.
Markel D Capo është 31 vjeç, dhe mund të bënte ç’të donte me talentin e tij, mund të arrinte sukses duke përzgjedhur diçka prej mijëra nuancave dhe formave të artit bashkëkohor, megjithatë, ai nuk zgjodhi asnjërën prej tyre, në fakt, zgjodhi të kundërtën e modernes, për ta tejkaluar vetë modernen në art, ai vendosi në qendrën e punës së tij gruan, dhe e veshi atë me bukurinë dhe stolitë e zadrimores dhe mirditores.

Punimet e tij kanë minimimalizëm estetik të tillë që e ëmbëlsojnë syrin e vrojtuesit dhe të bëjnë të dashurohesh shpejt, në shikim të parë, me pikturat e tij.

Minimalizmi i Markel-it, me vijat e harkuara bukur, me ngjyrat e nurit të mirditores, me shndritjen e stolive të zadrimores, dhe kozmogoninë e Xhubletës së malësores formësojnë atë që shpesh përkufizohet me fjalën tradimoderne, duke nënkuptuar kështu një shkrirje të tipareve më të mira të tradicionales dhe modernes.

Do të ishte naive të ndalonim vlerësimin e artit të Markel-it vetëm tek pasuria estetike e pikturave të tij.
Mesazhi i tij në fakt është shumë më i fortë, me fuqinë e artit të tij ky artist po lartëson gruan e dikurshme për të thënë se koha ku jetojmë sot ka sërish aq shumë nevojë për to.

Ky mesazh, kjo filozofi e tij përcillet më së miri kur shohim gratë që mbajnë mbi kokë kalatë e qyteteve, të cilat janë shëmbëlltyra më e vërtetë e mënyrës se si funksiojnë realisht gjërat.

“Burrat nën hije, lozin kuvendojnë, pika që s’u bie se nga gratë rrojnë.”
“Botën e mban në këmbë, puna e papaguar dhe mundi i pashpërblyer i grave”, thoshte me bindje të plotë Minda Gates pa vite mëparë.
Pothuajse në të njëjtën kohë kur me gjasë në mendjen e Markelit merrte trajtë mendimi se:
“Kalanë e mban në këmbë, puna e papaguar dhe mundi i pashpërblyer i grave”.
“Qytetin e mban në këmbë puna dhe mundi i pashpërblyer i grave”.

Markeli po thekson me forcë se ato janë pra, heroinat e heshtura që e mbajnë botën në lëvizje, është ajo zonja që punon çdo ditë përtej orarit zyrtar, është ajo nëna që zgjohet më herët të ndihmojë fëmijën me detyrat e shkollës, është ajo dora e mjekes që ulet butësisht mbi ballin e pacientit, është ajo gruaja që sakrifikon çdo ditë sepse rrethanat e detyruan të ishte edhe nëna edhe babai i fëmijëve të saj. Ato janë të heshtura, nuk i njeh askush në veçanti, nuk i dimë emrat e tyre, por ajo që dimë, me siguri të plotë, është se ato janë aty, dhe se bota lëviz prej tyre. Ato janë lidhja jetike.
Në syrin e një kryefamiljari pra, thënia e Melinda Gates mund të tingëllojnë kështu:
“Shtëpinë e mbajnë në këmbë përpjekjet dhe sakrifica e paçmuar siç duhet e gruas.”
E kështu Markeli na çon drejt një Rozafe të re, të asaj që kalanë e mban mbi kokë dhe jo trup-murosur në të, që gurët e saj të mos bien.
Ky artist po thotë se kohët e sotme kërkojnë edhe atë vajzën e mençur të shkolluar (“me kokë”), edhe atë bukurinë e Instagramit, por sigurisht edhe karakterin, zellin, vullnetin dhe gatishmërinë për vetësakrifikim për familje të zadrimores, mirditores, dhe malcores.
E nëse ky kusht i fundit, nuk plotësohet, ajo zor se e mban mbi kokë, kurorën më të bukur të jetës, shtëpinë.
