Moti i mirë shihet në mëngjes…

1537

Ta themi haptas. Me gjithë morinë e lajmeve nuk dimë cilin të besojmë me shumë. Me gjithë morinë e opinioneve, nuk dimë cili është më i sinqertë dhe më afër të vërtetës. Ose më llamburitës deri në verbim është momenti kur na duket se të gjithë kanë të drejtë, e dy minuta më vonë na duket sikur askush nuk ka të drejtë.

Dyshimet lindin kur mendojmë se gjysma e parave në këtë vend harxhohen për t’i bërë gjërat të duken ashtu siç nuk janë. E kjo është një gjë shumë e mirë për demokracinë. Kur dyshojmë, sa herë që dyshojmë, mbi atë që na serviret në media sidomos, ne i shërbejmë demokracisë.

Pra themeli i vërtetë i demokracisë është dyshimi, është pikërisht akti i dyshimit, prej të cilit dalin filizat e mendimi kritik, e prej tij piqen frutat e një jete të shëndetshme demokratike. E kundërta ndodh kur nuk ka mendim kritik, kur gjërat pranohen ashtu siç na serviren, gëlltiten të pathërmuara nga filtrat e mendjes, prodhon armiken më të madhe të demokracisë: injorancën. E kur injoranca bëhet shumicë atëherë krijohet një sistem që është më agresiv e shumë më i poshtër se çdolloj sistemi tjetër: Diktatura e Injorancës.

Prandaj është e vlerësueshme dhe demokratikisht e shëndetshme prirja e njerëzve për të mos i besuar sondazhet, e as krijuesit e tyre.

Por a ka parashikuar gara zgjedhore një mënyrë tjetër më të saktë për të “nuhatur” fituesin apo humbësin pa u mbështetur fare tek sondazhet?

Sigurisht që po. Kushtetuta e ka krijuar enkas këtë instrument në dispozicion të qytetarit.

Është vetë fushata elektorale.

Fushata elektorale, është konceptuar si mënyrë për t’i treguar zgjedhësit, se është shumë e rëndësishme të bazohesh te ky princip: mënyra sesi dikush bën diçka është prelud i asaj se si bën gjithçka. Ose për ta thënë akoma më bukur, me urtësinë e popullit, “Moti i mirë shihet në mëngjes.”

Atëherë pra, meqë fushata është sondazhi më i saktë, dhe ka mbërritur në fundin e saj, le të bëjmë disa konstatime të cilat ajo na i ka dëftuar këto 30 ditë:

E para dhe më e rëndësishmja, programi:

Fushata është përballje programesh, kur dy skuadra zbresin në fushë për t’u përballur në media publikohet formacioni, skema e lojës, pozicionimi i lojtarëve, strategjia sulmuese ose mbrojtëse etj., nëse nuk ke program do të thotë se ke hyrë në lojë me parimin: “bjeri t’i biem”.

Socialistët, dhe kandidati Ndreu e patën një program me një nivel të lavdërueshëm detajimi mbi ato të cilat do jenë në fokusin e administratës së tij 2023-2027.

Demokratët, dhe kandidati Gjoni, as në faqen zyrtare as në web apo domain tjetër publik nuk ka prezantuar program. Ai vetëm ka folur – fjalët i merr era – për tema të shpërndara sipas zonave ku ka bërë takime si orvatje për të gjetur temën ku djeg më shumë, por jo si një çështje e veçantë e tërësisë së një programi. Pra jo diçka sistemike, por thjesht synim.

E dyta, mungesa e modeleve krahasuese

Mospasja e një programi të mirfilltë nuk tregon vetëm faktin se qytetari nuk ka çfarë të krahasojë midis dy ofertave politike, por tregon gjithashtu se qytetari kritik është në të drejtën e tij të mendojë: “aty ku nuk ka program nuk ka strukturë, nuk ka organizim, tregon se aty programi i vetëm është: t’i shkojmë nga pas rrokupujës.”

Një grumbull me tulla, nuk mund të quhet shtëpi. Struktura me të cilën vendoset ai grumbull me tulla formon atë që quhet shtëpi. Pra struktura, që është e kundërta e kaosit, është një element thelbësor që vuri në pah kjo fushatë. Ndreu udhëhoqi një fushatë të strukturuar mirë. Ndërsa Gjoni ishte kaotik.

E treta, takimet elektorale

Ndreu ka zhvilluar takime të ndryshme elektorale në zona të ndyshme të Lezhës. Fjala “ndryshe” është fjalë kyçe këtu, sepse në Zejmen është takuar me banorë të Zejmenit, në Pllanë me të Pllanës, në Shënkoll me të Shënkollit, Mylte, Ballre, Torovicë, Ungrej, Blinisht etj., në secilën me banorë të njësisë apo fshatit, pa import/eksport.

Gjoni nga ana tjetër, më shpesh sesa rrallë, ka zhvilluar të njëjtin takim në zona të ndryshme të Lezhës. Ku qartësisht shihej që rreshti i parë ishte gjithnjë i njëjti. Kjo nuk përbën bazë për të fajësuar kandidatin, por përbën bazë, për të përforcuar mendimin e shprehur mësipër: mungesa e strukturës.

E katërta, gjuha apo diksioni politik

Ndreu nuk është përfshirë fare në etiketime apo akuza ndaj kundërshtarit, ai në këto 30 ditë është fokusuar te komunikimi i tij me banorët e Lezhës.

Gjoni nga ana tjetër e ka kërkuar “ngrricjen” në mënyrë të përsëritur, duke ashpërsuar tonet, duke i fryrë klimës polarizuese të diskriminimit krahinor, me shpresën që ta tërhiqte kundërshtarin në një terren ku Gjoni, si i lindur në Lezhë, të ndjehej i avantazhuar. Pra ta shesësh si përparësi elektorale faktin që ke lindur në Lezhë, duke e hequr kështu nga vëmendja në mënyrë hileqare atë ndodhi në Bashki Lezhë në vitet 2015-2019. Kandidati Gjoni do t’i kishte shtuar shumë pikë vetes nëse në ndonjë moment do të kishte deklaruar haptazi që është kundër modelit 2015-2019 dhe nuk do të përsëritet kurrë nën drejtimin e tij. Por ai nuk e bëri kurrë një deklaratë të tillë.

Me pak fjalë fushatës së doktor Pashkut i mungoi Ted Kopliku, fushatës së tij i duhej medoemos një Ted Koplik në Lezhë, por fatkeqësisht nuk e pati, e kjo jo për fajin e tij.

E pesta, gara online

Ndreu ka zhvilluar një fushatë dixhitale të pakritikueshme. Ka postuar foto e video nga takimet, fragmente të fjalimeve dhe ka vënë theksin tek pikat kyçe të atyre që ai i konsideron të rëndësishme për zhvillimin e Lezhës në katërvjeçarin e ardhshëm. Kandidati Gjoni nga ana tjetër ka bërë të njëjtën gjë, por me kartë krediti.

Përsëri, këtu nuk ka asnjë faj, Facebook atë qëllim ka, të boshatisë sa më shumë karta krediti, ndaj përdorimi i saj për t’i bërë postimet të arrijnë sa më shumë njerëz është legjitim dhe i saktë, mesazhi që përcjell tek zgjedhësit pastaj ndryshon shumë, nga njëri rast prej tjetrit.

Konkluzione:

Një sipërmarrës i famshëm, Tim Ferris, ka një shprehje të tijën të famshme, që thotë, “Fituesit kanë sisteme, ndërsa humbësit kanë synime.”

Në përfundim të analizës sonë do të thonim se thënia e tij i shkon për shtat më së miri fushatës në Lezhë. Ku njëra palë organizoi me detaje një makineri të sofistikuar elektorale, strukturuan një program dhe plan veprimi, kundrejt një pale tjetër që risollën përsëri boritë e makinave, flamujt partiakë, dhe tymin e xhirimit të gomave të makinave.

Shënim: *** Na ndan vetëm një ditë nga heshtja elektorale, koha kur zgjedhësit duhet të reflektojnë mbi ofertat politike, koha kur ata duhet të vendosin nëse do të shkojnë te kutia dhe të vendosin nëse paratë që duhet t’i marrë Bashkia Lezhë do të përfundojnë në lagjet e Martaneshit, koha për të vendosur nëse paratë e nisura për Lezhën do e ngatërrojnë adresën me Korçën, koha për të vendosur nëse në garën e qyteteve si joshje për turizmin Lezha të mos mbledhë thërrimet por të jetë aktore e fortë në lojë. Koha që zgjedhësit të vendosin nëse do të shkojnë te kutia për të transferuar PD-në të PL-ja. Koha që lezhjanët të vendosin nëse do ta transferojnë Bashkinë te Ortopedia, apo do ta lënë Bashkinë te Bashkia dhe Ortopedinë te Ortopedia.

Për të gjitha këto, Kushtetuta e Shqipërisë pret të dëgjojë vullnetin e Lezhës me 14 Maj.