“Vetëm bukën nuk e marr në Lezhë…”

Kujtim Dashi, me vendim të Këshillit të Bashkisë Lezhë, merr titullin ‘Qytetar Nderi i Lezhës’.

Certifikata e titullit iu dorëzua z. Kujtim Dashi, gjatë ceremonisë së zhvilluar sot në ambientet e Bibliotekës Gjergj Fishta, nga Kryebashkiaku Ndreu.

“Një titull i merituar plotësisht për Kujtimin”, u shpreh Prefekti i Lezhës z. Gjok Jaku.

E me të vërtetë, Kujtim Dashi, sikur asgjë tjetër të mos kish bërë, sikur ta zhvishnim atë nga e gjithë publicistika që shkroi, t’ia hiqnim të gjithë veprimtarinë letrare, dhe mësuesinë, të gjitha t’ia hiqnim, por vetëm librat që shkroi për poetin Ndoc Gjetja, t’ia linim… ai me kaq, do të kish qënë i mjaftuar me lartësinë e titullit që mori sot.

Është përmes Kujtim Dashit, dhe përpjekjes së tij, që i madhi, poeti i Lezhës, Ndoc Gjetja, u përplotësua si figurë, si veprimtari, si jetë, e si njeri. Ishte Kujtimi pra, që nuk përtoi të ulej e të shkruante gjithçka për Ndocin, e kjo jo sepse ai e kish kohën me tepri, apo se nuk kish me çfarë të merrej tjetër, por sepse Kujtim Dashi e dinte se njerëz aq skajshmërisht modestë, e të përunjur, si Ndoc Gjetja u kanosej rreziku që krejt papritur të rrëshqisnin nga kujtesa kolektive e qytetit.

Kujtimi i ruajti të gjitha, i bashkoi, dhe i bëri libra, duke e përjetësuar dhe përplotësuar mozaikun e atij universi poetik me emrin Ndoc Gjetja.

Faleminderit Kujtim Dashi!