Qyteti i Lezhës takon gjysmën tjetër të vetes, rruga në Lalm të Ri një realitet i ri

Është e kotë t’i lutesh Zotit për infrastrukturë më të mirë. Ai nuk e zhvillon qytetin. Ai nuk pastron. Ai nuk përmirëson sistemin e kujdesit shëndetësor e arsimor. Ai ka vënë njeriun në krye të të GJITHA këtyre punëve.

Dhe njeriu duhet të jetë punëtor.

Rrugët janë damarët dhe venat që i japin jetë metabolizmit të qytetit. Një qytet pa rrugë i ngjan një trupi me venat e bllokuara, të munguara e të ngatërruara, dhe ashtu siç nuk ka doktor që e mban në jetë një trup të tillë, po ashtu nuk ka kryebashkiak që zhvillon një qytet pa i hapur rrugët.

Kafshimet e thonjve, kullimi djersës në fytyrë prej vapës, të qarat e fëmijëve, boritë kakofonike për shkak të trafikut të rënduar në hyrje të Lezhës, do të jenë më të pakta verës që vjen, tani që po shtrohet rruga në Lalm të Ri.

Tamam ashtu siç njëra anë e mushkërisë kërkon të ndihmojë tjetrën, edhe rruga e Lalmit të Ri do ta sjellë një ekuilibër të munguar në frymëmarrjen urbanistike të Lezhës, duke i lejuar pjesët e qytetit të komunikojnë me njëra tjetren.

Trafiku i rënduar në hyrje do të lehtësohet ndjeshëm, pasi qyteti do të ketë një arterie alternative për t’u aksesuar, një rrugë që e ndante në dysh dhe i bënte të fqinjëronin aq shëmtuar dy pjesët e qytetit, të ndara prej harresës, po bashkohen prej vëmendjes.

Një ekonomist amerikan thotë se “energjia shkon, aty ku shkon vëmendja”, e nëse vëmendja është tek zhvillimi, atëherë energjia shkon tek puna, te planet, te veprimi konkret. Nëse vëmendja është tjetërkund, edhe energjia do të shkojë tjetërkund.

Kjo rrugë po bëhet, sepse dikush po punon që të bëhet, kjo rrugë po bëhet sepse dikush ka dorëzuar një projekt që të bëhet, e ai që dorëzon një projekt, ka edhe një vizion. Projektet dhe vizionet janë të lidhura ngushtësisht me njëra tjetren.

Zoti e ka bërë Lezhën të bukur. Për të gjitha punët e tjera ka lënë njeriun në krye të tyre. E kur njeriu në krye të tyre qëllon punëtor, shtrohen rrugë, si kjo e Lalmit të Ri, e në vazhdim…