Përmbyllja e fushatës në Lezhë, organizim spektakël i socialistëve në sheshin Gjergj Kastrioti

Socialistët e Qarkut Lezhë janë përbashkuar sot në Sheshin Gjergj Kastrioti në zemër të Lezhës për të formësuar një organizim spektakolar në përmbyllje të fushatës elektorale.

Në hapje të këtij takimi ishte kandidatja Shpresa Marndoj e cila foli për investimet e kryera nga Qeveria Rama në Qarkun e Lezhës, për vaksinimin, dhe për rindërtimin.

Menjëherë e mori fjalën kandidati Ndreca i cili e çoi në një tjetër nivel tempo-ritmin duke rrezatuar një nivel energjitik të cilin e përkreu me fjalën e tij.

“Nuk është kohë për të bërë bilancin sepse e kemi parë punën, Ne, Ju, e çdo Shqiptar, kudo e në çdo cep të këtij Qarku e gjithë Shqipërisë, do të arrijmë një fitore spektakolare me 25 Prill siç nuk është parë asnjëherë”, tha Ndreca.

Fjala kaloi për drejtuesen politike të Qarkut, dhe kryesuesen e listës socialiste të Lezhës Znj. Lindita Nikolla, e cila në fjalën e saj drejtuar grave, u bëri apel të gjithave të përdorin forcën e votës për të mbrojtur atë sistem vlerash e meritokracie të asaj të mire publike që solli platforma “Mësues për Shqipëri”, mos të kthehemi në kohën kur për t’u bërë mësuese duhej një njohje me dikë të rëndësishëm në parti dhe “lekë, lekë, lekë…’, tha Nikolla.

Fjalën përmbyllëse e pati kryesocialisti Rama i cili foli për investimet e reja, për vijimin e atyre që pandemia dhe tërmeti lanë përgjysmë, si dhe për investime të tjera madhore, siç është Porti Turistik i Shëngjinit.

Rama nuk ia përtoi të ironizonte kundërshtarin, duke e quajtur Lulzim Bashën një kukull me kurdisje, që ia rrotullojnë çelësin Saliu me Ilirin, dhe nëse ky guxon t’u dalë kundër, ata ia heqin bateritë.

Prezenca e shumtë e socialistëve në sheshin Gjergj Kastrioti mori një vëmendje të madhe midis komentuesve në faqen Lezha News, një prezencë që tregon se socialistët në të vërtetë kanë shumë mbështetje, dhe nuk po fshiheshin pas protokollit pandemik për të justifikuar numrin e kufizuar të pjesëmarrësve nëpër takimet elektorale të mëhershme.

Nuk mund t’i shpëtonte vëmendjes sot, një formë e re përshëndetje me katër gishtat lart midis të rinjve në shesh, një formë e bukur kjo për të treguar mbështetjen për numrin 4 të listës, kandidatin Gentian Malotaj.