Kush po e fiton vëmendjen? Për kë kanë interes shqiptarët? Ja çfarë thotë Google…

Kanë mbetur 49 ditë e 14 orë nga 25 Prilli, dita kur Kushtetuta e thërret sovranin të shprehë vullnetin e tij.

Sa më shumë që i afrohemi ditës së zgjedhjeve aq më të shpeshta bëhen publikimet e sondazheve. Kjo sepse formula dihet… sondazhet ndikojnë psikologjikisht zgjedhësit.

Ajo çfarë e karakterizon këtë fushatë megjithatë është se në mungesë të takimeve dhe mitingjeve fizike, atëherë aktorët në lojë janë të detyruar ta kompensojnë këtë mungesë duke (mbi)përdorur ndikimin psikologjik edhe përmes strategjive digjitale.

Por cila është një strategji digjitale e suksesshme?

Përgjigjja është e thjeshtë. Ajo parti apo ai lider që merr më shumë vëmendje, që do të thotë se shqiptarët po japin më shumë nga koha dhe vëmendja e tyre për të ndjekur aktivitetin e tij, i përkthehet në interes, dhe nuk është e nevojshme të thuhet se aty ku shkon vëmendja shkon edhe vota. Pra një strategji digjitale e mirë është ajo që arrin të krijojë monopolin e vëmendjes.

Megjithatë, sistemi nuk është kaq i thjeshtë për t’u dëshifruar, sepse zgjedhësit tashmë i njohin manovrat e marketingut politik dhe e dinë se rezultatet e sondazheve gatuhen që të duken të sinqerta në dukje, por në fakt, dikush i kurdis ato.

Por a ekziston një sondazh i pavarur, i cili nuk mund të kontrollohet e as ndikohet nga asnjëra palë?

Përgjigja është po. Instrumenti matës është Google Trends, i cili përdoret nga stafet elektorale të politikanëve në mbarë botën.

Ky instrument, ose më saktë, të dhënat e mbledhura prej tij shfaqin një tregues të sinqertë të asaj se ku po shkon vëmendja në të vërtetë. Tregon pra, për çfarë kanë interes banorët e një shteti apo rajoni të caktuar, në një hark kohor të caktuar.

Magjia e këtij instrumenti është aftësia e tij për të kryer kërkime krahasuese.

Ne vendosëm të bënim një kërkim krahasues duke përdoru Google Trends, me Lulzim Bashën në njërën anë dhe Edi Ramën në krahun tjetër, dhe rezultati i asaj se nga ka shkuar vëmendja e shqiptarëve në 90 ditët e fundit është ky:

Krahasimi në 30 ditët e fundit

Nga analiza e të dhënave të grafikut të mësipërm vihet re një dominancë bindëse e Ramës ndaj Bashës, i vetmi moment në harkun e 90 ditëve të fundit ku Basha ia ka dalë të fitojë betejën për vëmendje ka qënë vetëm me datë 28 Shkurt, ditë në të cilën Basha premtoi ligjin për shfuqizimin e pronave dhe në po atë ditë kryeministri Rama ndodhej në Bruksel në takime me drejtuesit e BE-së.

Krahasimi në 7 ditët e fundit

Me një diferencë të vogël Basha ka arritur të tërheqë vëmendje dy ditët e para të prezantimit në formatin e ri të programit të Partisë Demokratike, dhe arriti të barazonte ditën kur publikoi foton duke gatuar. Në të gjitha ditët e tjera, pa përjashtim, Rama ruan monopolin e vëmendjes duke udhëhequr me shumë pikë diferencë kundrejt Lulzim Bashës.

Konkluzioni: Basha e fiton vëmendjen shqiptarëve vetëm kur Rama është jashtë vendit.