Kush e fiton Lezhën?, – nga Indrit Vokshi

Lezha është si plaku 110 vjeç i cili i ka jetuar të gjitha kohët. Lezha ka jetuar kohëra, prej kohës së tiranit Dionis të Sirakuzës 300 vjet para Krishtit e po jeton edhe kohën e çuditshme ku ndodhemi sot.

Në të gjitha këto kohë është pasuruar me njerëz, me tradita, me folklor; secili ka sjellë me vete krahinën prej nga ka ardhur, traditë e cila, pastaj është martuar me traditat e vendasve dhe ka lindur fëmijë.

Diçka si populli i sotëm anglez. Bretonët vendas, vikingët dhe anglo-saksonët e ardhur, u bashkuan dhe nga bashkimi i tyre lindi një popull i ri, ai që sot njihet si populli anglez. Bashkimet në Lezhë, kanë krijuar popullin lezhjan.

Pyetjes “Kush e fiton Lezhën”, në planin partiak mund t’i japësh përgjigjje të kollajshme, 4-2-1, ose 3-3-1, ose 4-3-0, gjithkush simbas oreksit.

Ndërsa pyetja “Kush fiton në Lezhë”?, meriton trajtim dhe shtjellim.

Një grupim politikanësh dhe miqsh të tyre, do fitojnë, patjetër, sepse kanë fituar gjithmonë, si me të djathtën si me të majtën.

Po tjetërkush?

A do rikthehet Hydajet Lezha në shkollë model e me rezultate konkuruese në rang kombëtar e pse jo edhe rajonal? Apo do vazhdojë degradimi? A do vazhdohet të thellohet hendeku mes familjeve me lek të cilët i çojnë fëmjët në shkollat private dhe, familjeve pa lek për buk të cilët menzi i nisin fëmijët për në shkollë? Po të jetë në dorën time i çoj të gjithë në shkolla të shtrenjta private, nuk kam tendencë negative me ata që i çojnë, përkundrazi. Por përderisa po mbajmë shkolla publike, po paguhet për to, pse t’i lejojmë të degradojnë?

A do ketë fshatari lezhjan mundësinë për ta kthyer tokën e tij në biznes dhe për të jetuar me të? Apo do punojë tokat e fermerit grek e italjan? A do ketë i riu lezhjan mundësinë e punishtes për të prodhuar një produkt dhe për ta shitur në Itali, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni e pse jo edhe në Poloni e Indi? Apo do shkojë të punojë në punishten e tjetërkujt? Jo se është turp të punosh në biznesin e tjetërkujt, po pse, kur ke mundësi të ndërtosh disa biznese në vendin tënd!

A do ndërkombëtarizohet turizmi i Lezhës? Apo do mbetemi tek qindra emigrantët tanë dhe mijëra vëllezër e motra nga Kosova? E të tjerë e të tjerë shembuj. Sa është pasuria e Lezhës sot? E ka matur ndokush?

Shpesh kur diskutojmë me miq, të majtë e të djathtë, u them se Lezha si çdo qytet jokryeqytet, ka pak intelektualë e pak njerëz të zotët (ka Amerika pak), prandaj nuk e ka luksin për të qenë e përçarë e turinjvarur. Në Lezhë dihet se kush do fitojë politikisht, ska surpriza.

Ajo çfarë unë dëshiroj është fitorja e një mentaliteti, fitorja e asaj që sapo përmenda.

Fitorja e mundësisë për shkollim e mjekim cilësor edhe për ata që skanë lek, fitorja e mundësisë për biznes, fitorja e mentalitetit që kërkon prestigj. Dhe kjo arrihet me bashkëpunim, duke i investuar dhe shkrirë kapacitete dhe talentet të gjithë për ketë qëllim, të gjithë duke e kuptuar se nga kjo fitojnë të gjithë.