Pushuesit e kanë kuptuar se ku bëhet ‘plazh për qejf’ në Lezhë

66

Dyndje pushuesish në Plazhin e Tales

Është e pamundur ta përftosh me sy të lirë të gjithë bregun e gjatë të mbushur me pushues. Qetësi, pastërti, ushqim, argëtim, diell, dhe një det aq ftues janë bërë magneti që po i përthith pushuesit me vrull të stacionohen për t’i kaluar ditët e lira dhe fundjavat e tyre në Plazhin e Tales.

Ndërkohë që të gjitha resortet e mëdha bëjnë fushata të pafundme marketingu për t’i drejtuar ata buzë brigjeve të plazheve të tjera të njohura të vendit, duket sikur, Plazhi i Tales vetëm sa vjen e bëhet më i frekuentuar.

Përveç atyre që përmendem më lart ndoshta një pikë tjetër e fortë joshëse për pushuesit është hapësira e madhe publike që ofron ky breg, duket se kjo është ajo çfarë realisht pushuesit duan më tepër sesa luksin e resorteve apo shezlongjeve ekstravagante të tipit sulltanesk.

Provën finale për këtë na e jep trafiku i krijuar në dalje në ora 18:00, kohë kjo kur fatkeqësisht të gjithë pushuesit largoheshin ndërsa ne po drejtoheshim për në Plazhin e Tales (nuk mund ta humbësh perëndimin këtu, është mëkat i madh nëse e bën!), vargu i gjatë i makinave është surrogat i vargut të gjatë të pushuesve buzë bregut.