Një grusht Parajse nga Plazhi i Tales…

Plazhi i Tales pa frikë mund të quhet Bregu i Diellit, biles që në këtë moment le të biem dakord që kështu ta quajmë të gjithë, Bregu i Diellit. Perëndimi në këtë hapësirë, në këtë grusht parajse, nuk është tjetër veçse puthja e fundit e çdo dite që dielli i jep Lezhës mu në vetull të saj.

Duket si një përdorim i marifetshëm metaforash për t’ia shtuar bukurinë artificialisht, apo si një ekzagjerim i tepruar… Por jo, besojeni!

Nëse gjatë kësaj vere, n’paçi një ditë të vetme që ta perëndoni pranë detit, le të jetë ai bregdeti i Tales.

Ka diçka të magjishme që natyra me ritualin e saj të përjetshëm krijon me diellin e me bregun këtu, në këtë cep, i cili të fal natyrë aq bujarisht, e që askush nuk e tregon pasi e zbulon, e mbajnë si një sekret të bukur, që kur të kthehen tek ai mos të ketë të tjerë, të jenë vetëm, ta mbajnë të gjithin për vete.

Hapësira e bollshme dhe ndjesia e pafundësisë të mbushin me frymë thellë.

Është i gjithi i juaji për aq kohë sa do të dini ta mbani sekret këtë vend.