Lezhë/ Fillon çertifikimi e të rinjve udhërrëfyes turistikë

@shutterstock

Në Lezhë nuk ka asnjë guidë turistike të çertifikuar për turistët.

Ky rol është kryer ose nga individë privatisht ose nga udhërrëfyes të vetë grupeve, por jo nga ata që vërtetë kanë njohuri për historinë dhe resurset e zonës.

Vizitorët dhe turistët që do të eksplorojnë Lezhën duhet të marrin me vete edhe udhërrëfyesit turistik. Është ndoshta qyteti me më histori e resurse në vendin tonë, por nuk ka asnjë guidë të certifikuar. Kështu vlerat e zonës nuk marrin vëmendjen e duhur.

Udhërrëfyesit turistik janë një mangësi dhe këtë e pranon edhe Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë Z. Ardian Laçi duke e vlersuar si një problematikë që po punojnë për t’i dhënë zgjidhje.

“Pasja e gjithë këtyre pikave dhe destinacioneve turistike që ka Lezha e ka të nevojshme që të ketë jo dy apo tre guida, por disa udhërrëfyes turistik. Deri tani këto i mungojnë Lezhës.” – Ardian Laçi

Nevojën që Lezha të ketë udhërrëfyesit e saj lokal e kërkojnë dhe operatorët turistike apo drejtuesit e arsimit profesional.

“Duhej të ishin bërë me kohë, pasi do të ishte shumë pozitive dhe të mundësohej nga njërëz që e njohin zonën dhe e dinë se ku i dërgojnë ata turistë dhe vizitorë që frekuentojnë Lezhën sepse kanë nevojë për informacion.” – Leonard Ndoka/Operator Turistik

“Lezha me gjithë këto resurse turistike, edhe pse vinë guida nga Tirana apo rrethe të tjera, kurrë nuk e kanë dhe nuk mund ta kënë atë pasion që mund të ketë një vendas për të gjitha këto pasuri dhe vlera turistike që disponojmë.” – Bardh Dedegjonaj / Drejtor i Shkolles Profesionale “Kolin Gjoka”

Petrit Kurbini është një emigrant i kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka zgjedhur për t’u bërë një udhërrëfyes turistik duke qenë i gatshëm për të operuar shumë shpejt.

“Duke qënë vetë lezhjanë pasi jam nga zona e zadrimës dhe duke parë se Lezha është një potencial turistik dhe pozicion gjeografik mjaft të mrekullueshëm janë arsye që më intrigojnë që ta bëj këtë profesion më shumë dëshirë dhe pasion por sigurisht edhe duke patur një mundësi punësimi.” – Petrit Kurbini / Udhërrëfyes

Me kalimin e sezonit vendorët duket se janë njohur me pasojat e kësaj mungese. Ndaj njoftojnë se do të ngrihet kursi dhe brenda pranverës do të certifikohen udhërrëfyesit e parë.

Oliana Moriseni ZV/Kryetare e Bashkisë Lezhë

Znjsh. Oliana Moriseni ZV/Kryetare e Bashkisë Lezhë shprehet se, “Lezha deri më sot e ka patur një problematikë të tillë, pasi udhërrëfyesit turistik janë edhe promotorë të zhvillimit të këtij sektori. Në bashkpunim me Zyrën Rajonale të Punësimit kemi bashkpunuar për të mundësuar hapjen e kursit për Udhërrëfyes Turistik dhe brenda pranverës së ardhshme ata do të jenë gati. Më vjen mirë që thirrjes së bërë zyrtarisht për të aplikuar dhe bërë pjesë e këtij kursi i janë përgjigjur 17 të rinj e të reja dhe kjo do të thotë se po pregatitemi për sezonin e ardhshëm. Brenda një kohë të shkurtër do të vendosen zyrat info në Lezhë dhe Shengjin dhe në bashkpunim me sektorin privat po përgatisim një strategji të plotë për turizmin.”

Zyra Rajonale e Punësimit ka kërkuar më shumë interesim të të rinjve për t’u certifikuar në profesione që mundësojnë një punë të sigurt nesër.

“Duke u nisur nga kushtet ku ndodhet i gjithë rajoni i Lezhës, ku turizmi është në fokusin kryesor, Zyra Rajonale e Punësimit në Bashkpunim më Bashkinë Lezhë dhe Shkollën Porfesionale “Kolin Gjoka” të mundësojmë këtë kurs 3 mujor që do të mundësoje të gjithë aplikantëve një punë të sigurt nesër.Probleme me guidat nuk ka vetëm Lezha. Edhe zona të tjera shfaqin mangësi apo mediokritet në këtë drejtim. Shumë turistë apo grupet nga vendet e ndryshme vijnë me udhërrëfyes më vete. – Fatmir Delishi / Drejtori i Zyrës Rajonale të Punësimit Lezhë