6 Kënaqësi të Vogla që Dua t’i Provoj në Tale të Lezhës

©shutterstock

E para: Kënaqësia e Tjetërsisë

Vetëm pak orë më parë, pa e ditur sesi, ti je këtu, në qendër të Lezhës me këmbët mbi trotuarin me pllaka guri. Pak metra përpara teje sheh një burrë, dukshëm më i moshuar se ty, ulur në një stol, me një furçë në dorë dhe disa këpucë të rreshtuara dhe një fron bosh me ndenjëse prej lëkure të zezë përpara vetes.

Kjo mund të ketë qënë jeta e tij këto njëzet vitet e fundit. Nga radioja e tij dëgjohet muzika e një këngëtari që ti nuk e njeh, por që me shumë gjasë është dikush vërtetë i famshëm, me një zë të fuqishëm që kumbon përsërit një fjalë që ngjason me ‘aman emine’.

Pak minuta më vonë gjendesh disa metra larg bregut të detit, në një bar të vogël në Tale në cep të shtëpizës ku ke prenotuar qëndrimin; është goxha i mbushur edhe pse është pasdite në mbarim. Disa qirinj të ndezur në tavolinat e drunjta; ngjitur me ty, një djalë dhe një vajzë e bukur që janë në një bisedë intensive prej të cilës fjalët Kulturë dhe Filozofi vazhdojnë të përsëriten shpesh; pak më tutje një grua në moshë të mesme me kapele kashte në kokë, syze dielli, dhe një revistë në duar, hiqet sikur nuk i intereson asgjë përreth, por në fakt, kjo është një lutje e saj që dikush t’i flasë dhe të bëjë një dorë muhabet shtruar e për qejf 15 ditë rresht.

Ajo që ne ndiejmë në këto çaste është një kënaqësi e thellë prej takimit me atë që quhet “tjetërsi’: praktika, sjellje, tradita, zakone dhe të folura që nuk kemi shansin t’i përjetojmë me ata që kemi në përditshmërinë e shtëpisë tonë.

Aromat, tingujt, buka, hyrja e muzgut, këpucët e njerëzve, mënyra e pjekjes së peshkut, palosja e çarçafëve dhe çorapeve, drita e diellit në 5 të mëngjesit…. gjithçka na është një “tjetërsi” që të kënaq. Të gjitha këto dhe të tjera mund të bëhen ftesa për të zbuluar forma alternative të të jetuarit dhe të menduarit. Përveç atyre që kemi njohur deri më sot, ka edhe shumë mënyra të tjera për të arritur lumturinë. Ndoshta mund ta bësh atë ndryshimin që të është dukur krejt i pamundur më parë.

Dëshira për Diell

Sunbathing in Tale Beach, Albania

Supozohet se jemi njerëz seriozë, me gjëra të rëndësishme në mendje. Por ne duhet ta pranojmë pa na ardhur turp: kërkimi i Diellit është kryesori, dhe më i rëndësishmi, i motiveve të pushimeve tona.

Ne kemi qënë, tek e fundit, në mot të ftohtë për shumë kohë. Për muaj të tërë, jemi përpjekur të mbrohemi nga era, shiu dhe dëshpërimi. Përgjatë dimrit të stërgjatë dhe pranverës së akullt, jemi mbështjellur në batanije. Rrallë herë na ka qëlluar t’i shohim këmbët tona – përveç ndonjë vështrimi shkarazi të zbehjes së tyre kur bëjmë dush. Kemi ngrënë prej stresit. E kjo, duket paksa. Por thellë brenda nesh, ne e dimë me gjak e me mish se jemi krijuar për ato mëngjeset plot diell, për ato mbasditet e ngrohta dembele, dhe netët e nxehta nën tingujt e gjinkallave.

Dielli nuk është thjesht “i këndshëm”. Ai luan një rol themelor në jetët tona. Ai është një përcaktor i cilësive tona morale: zemërgjërësisë, guximit, i ngritjes së vlerës së të tanishmes, dhe i mirbesimit tek mjedisi ynë rrethues.

Ne mund të jemi dëshmitar të asaj sesi karakteri ynë pëson ndryshime nën diell: duke u bërë dikush që e pëlqejmë shumë. Kur bota na duket dorëhapur dhe e bollshme, na duket e thjeshtë dhe sikur me kaq mjafton, ndjehemi të plotësuar saqë ajo ideja e pasurimit material fillon të duket më pak interesante dhe më pak nevojshme.

Ne mund të ndjejmë aq shumë kënaqësi veshur me një bluzë dhe të shkurtra duke bërë një gosti me djathë dhie sallatë domatesh, saqë ai vrulli i një jave mëparë në zyrë për të fituar një ngritje në detyrë e humb çdolloj rëndësie. Kur është kaq shumë Diell, dhe bën aq nxehtë, nuk ka kuptim as të përpiqesh të lexosh – madje as të mendosh fare.

Dielli mund t’i korrigjojë veset tona. Ne kemi nevojë të shtrihemi në diellin e plazhit jo sepse jemi mendje-lehtë apo bjerrakohës, por sepse në jetën tonë të përditshme është aq i pranishëm rreziku i mbingarkesës me njëqind punë e detyra, serioze, të rënda, që na shkëpusin nga trupi, dhe na e lodhin kokën deri në pëlcitje.

Dëshira për diell është një kërkim fisnik për urtësi dhe drejtpeshim (që është edhe qëllimi final i civilizimit) që na ka sjellë këtu ku jemi sot – në një botë mahnitëse me krem dielli, syze të errëta, shezlongje me çadra kashte, dhe kokteile me ngjyra të ndezura buzë detit.

Dobësia e perfeksionit përballë turbullirës së ndjenjave

Industria e turizmit harxhon shumë kohë dhe të holla për të na bindur se sa më shumë para të harxhojmë aq më të lumtur do të jemi.

Ky ekuacion shpesh herë duket thellësist bindës – dhe, ndonjëherë, nëse xhepi na e mban, ne bëjmë ashtu siç na është thënë. Ne përzgjedhin një vendqëndrim që ka një pamje magjepsëse nga deti, apo në një kodër të lartësuar bukur. Hoteli ka abazhurë të bukur anash krevatit, muret janë të veshur me finesë dhe punime artistike dhe tualeti është i gjithi veshur me mermer luksoz. Shërbimi është i patëmetë. Ne caktojmë se cila prej makinave do vijë të na marrë në aeroport. Ka aq shumë gjëra tërheqëse për fëmijët. Madje edhe një personal trainer për palestrën aty brenda. Ndjehesh vërtetë me fat: do të kalosh pushimet më të bukura të jetës tënde.

Por midis gjithë këtyre shpenzimeve të bëra, ka të ngjarë të kemi harruar një komponent vendimtar të kënaqësisë njerëzore. I gjithë kapaciteti i njeriut për kënaqësi bazohet në fillim dhe pikësëpari tek mirëqënia emocionale. Edhe më i vogli shqetësim psikologjik mund t’i asgjësojë benefitet e një hoteli multi-miliard-dollarësh. Nëse partnerja apo partneri bën një koment të dyshimtë, nuk ka pikë rëndësie sa e famshme ajo homard au champagne është; delikatesa e pasur e shijes së saj do të ketë pak efekt kur ti ke rënë viktimë e një komenti tallës në lidhje me zotësinë tënde në punë. Një fëmijë idhnak 13 vjeçar mund të shkatërrojë me shumë lehtësi përpjekjet e një skuadre të tërë kopshtarësh dhe kuruesish.

Apo nëse personi me të cilin kemi prenotuar nuk dëshiron të bëjë seks me ty ashtu siç ti vërtetë dëshiron, nuk ke për të gjetur aspak ngushëllim te fakti nëse disa prej tubacioneve të kondicionerit aty afër janë dizenjuar personalisht nga Donatella Versace, apo që një çokollatë e veçantë belge është vendosur poshtë jastëkut mbi të cilin tani ty gati sa nuk të vjen të shkrehësh në të qara.

Ky nuk është një argument kundër luksit – thjesht një analizë e limiteve të tij.

Kënaqësia e pushimeve familjare

Si fillim, pushimet e fshijnë atë hierarkinë ndërmjet brezave. Fëmija fillon t’i shohë prindërit në situata të pazakonta – shpesh herë të dobishme. Një baba duket i çuditshëm ndërsa noton me pajisje ndihmëse, një stomak i fryrë që nuk vazhdon të jetë i fshehur me aq kujdes prapa një kostumi elegant; apo një mama – e cila me aq shkathtësi i bën të gjitha punët – na del që është goxha e turpshme kur bëhet fjalë për të porositur nga një menu e huaj.

Me dobësitë dhe kufizimet e tyre që sa vijnë e dalin në pah, prindërit humanizohen. Një baba rezulton se bëhet tepër nervoz nëse i jep një të shtyrë për ta hedhur në pishinë, një mama është e padobishme për të ndërtuar një kështjellë në rërë. Fëmija ka shansin të jetë një i barabartë në nivelin e prindit, madje superior. Kur bëhet fjalë për të manovruar një varkë me rrema ose për të gjetur marketin e duhur, një fëmijë dhjetë vjeçar mund të jetë më adapt – ose më i aftë sesa – një prind; në shumë situata. Pushimet bëhen kështu përjetimi i një barazie të re. Ndoshta pak më vonë kjo do të na shtynte të kuptonim egocentrizmin dhe sjelljen e rezervuar në shtëpi.

Kënaqësitë e atij restorantit të vogël

Peshku i pjekur në skarë

Pothuajse të gjithë ne jemi, në kërkim të këtij vendit ideal: ai restoranti i vogël. Le ta përfytyrojmë pak. Është ndershmërisht i vogël, dhjetë apo dymbëdhjetë tavolina. Modest; dyshemeja dhe muret janë mjaft zhveshur dhe karriget të thjeshta deri në ekstrem. Por ky vendi sekret ideal nuk ka asnjë kompleks apo ankth me veten e tij. E ka të qartë se po e bën punën e tij më së miri dhe nuk e ndjen të nevojshme t’i magjepsë klientët.

Peshku i pjekur në skarë është mjaftueshëm i shijshëm që llambat ndriçuese në mur të jenë të ekspozuara pa asnjë turpërim. Menuja është jashtëzakonisht e shkurtër. Gjithçka është e thjeshtë, e freskët, dhe prap se prapë absolutisht i mrekullueshëm. Vijnë shpejt, kamarierët janë miqësor, nuk të shohin vengërt, uji mbase të vjen në shishe të vjetra vere – dhe fatura, kur vjen, është tepër modeste vërtetë. Ndërsa paguajmë, ne mendojmë se ky është vërtetë restoranti perfekt.

Problemi është se vende të tilla janë të rralla. Çdo pushues është në kërkim të tij, derisa mbërrin në Tale.

Duke reflektuar në prizmin e një restoranti të vogël ne takohemi me një të vërtetë të madhe kur jemi me pushime: ne nuk kemi as më të voglën ide të asaj që na bën të kënaqemi. Pritshmëritë tona shkojnë tek gjërat e shtrenjta, grandioze, sentimentale apo sipërfaqësore.

Kënaqësia e pastrimit të një plazhi

Pastrimi i plazhit të Tales, Qershor 2020

Ne i kalojmë shumicën e ditëve tona në rrugë të shëmtuara. Qysh prej kohës së zhvillimit të betonit, hekurit e plastikës, monstruozitetet janë bërë normë. Shumica e qyteteve dhe bregdeteve tona janë bërë të shëmtuara.

Në një shikim (optimist) të shpejtë kjo mund të mos na interesojë fort shumë. Mbase ne do të mbetemi përsëri të njëjtit njerëz cilado të qëllojë të jetë; ngjyra e tullave ose dizajni i dritareve sigurisht që nuk e ndryshojnë thelbin e jetëve tona.

E prap, ndërsa udhëtojmë, apo shkojmë me pushime ne dëshirojmë të shohim qytetërim dhe bukuri arkitekturore, sepse intuita na thotë sa shumë jemi nën mëshirën e mjedisit tonë arkitekturor. Ne e dimë shumë mirë se nuk jemi të njëjtit njerëz kudo që shkojmë. Shëmtia e disa lagjeve dhe pallateve të ndërfutura dhunshëm në ndonjë qytet bregdetar na e vret syrin dhe bjerr shpirtin. Dhe në hapësirën e natyrës së virgjër të Tales ajo pjesa zemërmirë e personalitetit tonë zgjerohet.

Nëse do ta kuptonim akomë më thellë impaktin që arkitektura e keqe ka në jetën tonë, duke na bërë të nxjerrim e të theksojmë tiparet më të këqija të vetes, sigurisht që do të bënim ligje më të forta për të.

Në një qasje utopike, arkitektura do të interpretohej më ndershmërisht si një degë e shëndetit mendor, e psikologjisë, me një rol vendimtar në mirëqënien publike. Dhe arkitektura e keqe – më e pakta – si një krim mbi shëndetin, dhe shpirtin kolektiv.

Në këtë kontekst, vrojtimi i pastrimit të plazhit për fillimin e sezonit, është një event madhor, lirshmëria dhe bollëku i natyrës në atë brezin e rërës së gjërë e të pafundme është një spektakël që natyra nuk e jep në shumë vende, Talja është një prej tyre.