Studiuesi nga Lezha zbulon ‘gafën e rëndë’ me paketën ligjore të pandemisë

Pak ditë mëparë analisti i njohur Z. Fatos Lubonja publikoi një shkrim të tijin kur vinte përballë njëra tjetrës në kohë, dy standarte të ndryshme të juristëve të Presidentit.

Lubonja argumenton se juristët e Presidentit që deri me 2 Mars e filtronin çdogjë që u shkonte në tryezë me shumë imtësi, dhe sapo diçka nuk përputhej me normat Kushtetuese ata ‘suleshin’ në media e facebook kundra qeverisë. Por me paketën ligjore, që ndërhyn në kodin penal, për situatën pandemike, juristët në fjalë, nuk u dëgjuan fare, edhe pse aty ka shumë gjëra në kontrast me frymën e Kushtetutës.

Nga ana tjetër, Dr. Vladimir Kola, i cili përveçse ekspert i së Drejtës Kushtetuese, mund të thuhet pa dyshim, se është edhe kampion kombëtar në fushën e të drejtës së autorit, e gjithë Shqipëria e njohu atë, kur publikoi me dhjetra e dhjetra plagjiatura.

Kësaj here Z. Kola e ndërton argumentin përtej asaj që thotë Z. Lubonja, në fakt, në terma Kushtetues, e gjithë paketa ligjore e ndryshimeve në Kodin Penal nuk ka bazë Kushtetuese. Kjo është shumë herë më e rëndë nga ajo që vihet në dukje nga Lubonja.

Ja si e argumenton Z. Kola në terma të Kushtetutës dhe të së Drejtës gafën e rëndë që është bërë:

IGNORANTIA SUPREMA LEX

E keni dëgjuar që kryeministri Rama ka folur disa herë me përbuzje ndaj juristëve?

Përbuzja kuptohet lehtësisht, sepse mjafton të lexoni nenin 242/a të Kodit Penal i miratuar pak ditë më parë mё datë 16.4.2020, me ligjin Nr. 35/2020, ku është shkruar “Moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo NËNLIGJORE të nxjerra nga organet shtetërore… përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj”.

Pra, sipas nenit 242/a të Kodit Penal edhe një veprim në kundërshtim me një AKT NËNLIGJOR përbën një kundrëvatje penale, por një arsyetim i tilli është në kundërshtim të hapur me nenin 27 pika 1 të Kushtetutës ku thuhet “Askujt nuk mund t’i hiqet liria, përveçse në rastet dhe sipas procedurave të parashikuara me LIGJ”.

Si rrjedhojë, sipas nenit 27 pika 1 të Kushtetutës një vepër mund të konsiderohet penale, vetëm në rastet e parashikuara në ligj dhe jo në akte nënligjore. Thënë ndryshe, sipas nenit 27 pika 1 të Kushtetutës nuk mundet kurrsesi që dikush të dënohet penalisht, sepse ka vepruar në kundërshtim me një akt nënligjor si për shembull një URDHËR MINISTRI. Sipas nenit 27 pika 1 të Kushtetutës, vetëm një veprim në kundërshtim me ligjin mund të konsiderohet vepër penale, por jo kurrsesi një veprim në kundërshtim me një akt nënligjor.

Jam i sigurt se nëse në të ardhmen do të shkojë çështja në Gjykatën Kushtetuese, nenin 242/a të Kodit Penal, ajo do ta gjykojë si të papajtueshëm me nenin 27 pika 1 të Kushtetutës.

© Vladimir Kola