Pasionet, dëshirat, dhe marrëzitë e Rudi Bregut në Lezhë…

©alamy

Shënim***: Emrat e personazheve në rreshtat e mëposhtëm janë tërësisht të sajuar, ndërsa zhvillimi i ngjarjeve është ndërthurje e realitetit me imagjinatën krijuese të autorit.

Dita kishte nisur keq për Rudi Bregun. Pikërisht në ora 10:00, kur priste lajmin për pranimin ose jo të kërkesës për vizën gjermane, oferta e internetit i kishte skaduar. Ndërsa ecte në drejtim të Bar-t më të afërt, gjithë njerëzit pëshpërisnin të njëjtën gjë rrugës: sa mirë që gjermania i hapi dyert për të gjithë.

Bari ishte pothuajse i zbrazët. Ngaqë e kishte të thjeshtë ta shquante prej së largu, Rudi ia bëri me shenjë kamarierit për fjalëkalimin e internetit, dhe në atë çast, bashkë me kamarierin sytë i kapën edhe kokën e Genc Haxhisë, e cila sa vinte e bëhej njësh me ekranin e smartfonit. Sapo e kuptoi që ai po lexonte rezultatet, iu bë një si lëmsh në gjoks.

Më në fund, kur e pa që tjetri po e shpërndante bisedën nëpër ca tema palidhje, i tha: – Genc nuk të kuptoj përse llomotitesh kot, fol të shkretën, e kam fituar vizën apo jo? Nga skaji tjetër i tavolinës tjetri gati ulëriti: mëqe e dashke ashtu, ja ku po ta them: një mut ke fituar.

– O ta bëfsha nënën, me gjithë ambasadë, me gjermani, e kush ka bërë Gjermaninë. Rudi vazhdoi të shante një copë herë me fjalët më të ndyta që i vinin në mendje, derisa iu tha goja për ujë.

– More vesh gjë? – e pyeti nëna sapo u kthye në shtëpi. – Të doli ajo vizë e shkretë?

Rudi deshi t’i thoshte “një mut”, por e mbajti veten. Ë vështroi një grimë nënën dhe pastaj bëri “jo” me kokë.

– Mos mbaj merak fare, – tha nëna.

– Ka vende të tjera plot nëpër Europë.

– Mirë, mama, mirë… ndërrojmë temë.

Doli në verandë dhe u lëshua mbi kolltuk. Ndezi dy cigare njëra pas tjetrës. Ja, dhe fiksimi për të bërë një dorë të mirë me punë të ndershme në zanat sapo mori fund.

Nga pamja e verandës pikasi sesi Lezhën e kishte mbërthyer një mesditë pa zheg, një nga ato mesditët e rralla kur zhegu veror qëllonte që, për habinë e të gjithëve, ndonjëherë shpallte armëpushim dhe i lejonte njerëzit të ndjenin një si fresk të ëmbël në mes të ditës. Gati sa nuk ia bëri “ah” me vete.

Pa e ditur pse, ai u ngrit, ndërroi bluzën për të dalë dhe tek ecte nëpër rrugët e qendrës kushedi pse iu kujtua zysha e gjimnazit e cila kur po bënin përshendetjen e fundit për mbylljen e të mesmes, ajo ndryshe nga sa bëri me gjithë të tjerët, kur iu afrua Kreshnik Lepës, në vend që t’i jepte dorën, ajo u afrua dhe ia mbështeti buzët lehtë te ajo vija ndarëse midis faqes dhe qafës, si për t’i thënë që meqë lidhja mësues-nxënës përfundon këtu, gjithçka tjetër me horizont rozë ishte e mundur… siç u zbulua më vonë nga një shoqe e klasës, zysha kishte rënë në dashuri.

Te rruga përballë Bar Obeliskut i doli përpara Kreshnik Lepa.

– Ke humb fare mo Rudo, – i tha. – Siç duket, të paska dalë…

– Lesht, – u përgjigj Rudi.

– Ashtu?, – m’u duke sikur ishe në qejf, – ia ktheu tjetri.

– Mbase telepati, por ty të kisha në mendje… sa për vizën, hiç puna, – tha Rudi.

– Mos e çaj bythën, – ia priti Kreshniku.

Rudit i shpëtoi një psherëtimë.

Dëgjo, – vazhdoi Kreshniku. – Të kujtohet një kaçurrelse zeshkane e klasës B? Ajo hollakja, për të cilën u rrahën çunat me Range Rover te rruga e gjimnazit? Një shoqe e saj më ka thënë se të ka qejf ty.

Rudi u habit nga ajo që dëgjoi.

Mos më vështro ashtu si statujë… se ky nuk është rast për t’u humbur. Duket vërtetë e hollë nga pamja, s’mund të thuash se është yll, por atë plaçkën, thonë, e ka si llokum. Mblidhemi ndonjë të shtunë tek veranda jote, okej?

Oh, mos fol më, tani më kujtohet, është ajo simpatikja që ka ecjen e bukur, ecjen më të bukur në Lezhë. Sa bukur që ecën ajo plako, s’kam parë femër ta lëshojë hapin dhe lakojë trupin si ajo në të ecur, – u përgjigj Rudi duke lëmuar ngadalë qimet e mjekres me dorë.

Ika tani se më pret një rrotë trapi, dhe mos harro për të shtunën, – i tha Kreshniku ndërsa shpejtonte hapin në drejtimin tjetër.

Dy ditët që erdhën më pas, Rudit iu duk se po e merrte veten. As që i shkonte mendja se ç’e priste në fund të javës.

Para se t’i vendoste fishon e karikimit smartfonit, preku me gisht një njoftim në pjesën sipërme të ekranit. Ishte një email të cilin përpara se ta lexonte ai e përpiu shpejt me sy, nëpër tekstin e të cilit spikaste me shkronja kapitale fjala UNUM. U rikthye sërish që ta lexonte më imët tekstin, por pamja iku për shkak të një thirrjeje hyrëse në smartfon.

– Hë mo Rudo, e hape emailin apo jo, e pranuan aplikimin tonë për staff tek festivali në Shëngjin, – fliste Kreshnik Lepa gjithë eufori në telefon.

– Të shohim, kismet, më duhet të shkoj nesër te Credinsi të bëj gati letrat e bankës që t’i përgjigjem emailit, – tha Rudi.

– Pa merak Rudo, tani që u aprovua, të gjen lala ty, letra, laps, mjaltë, kurva, e hashash sa të duash, vetëm hajde, – ia priti tjetri.

Pasi vështroi nënën e tij që po i afrohej me një si pezm në fytyrë dhe me shpinat e duarve të mbështetura në bel, Rudi u kujtua se po fliste me viva-voce dhe fjala “hashash” e groposi.

– Festivali i Hashishit ëëëhhh… bukur, bukur, po e ndrit fare Rudo, – i tha nëna duke e parë drejt e në sy.

Rudi uli kokën dhe me gjysëm zëri iu përgjigj:

– Nuk është ashtu mama, mos i zmadho gjërat, – ndërkaq, me stil, zgjati gishtin te smartfoni dhe mbylli thirrjen që Berti të mos vazhdonte të dëgjonte në anën tjetër.

Rudi qëndroi një grimë herë ulur te cepi i shtratit, dhe ishte i dyzuar nëse duhet të ndjehej i zënë në faj në sytë e nënës, apo të shfrynte gjithë dufin e nervave me Kreshnik Lepën. Nuk duroi shumë, bëri siç ia dha truri. Zgjati dorën, kapi telefonin, e hoqi nga karikimi, hapi një mesazh të ri, u sigurua se po ia niste Kreshnikut, dhe i shkroi: Rrotë trapi!

Veranda Fest

Brenda pak minutave dhe kaçurrelsja zeshkane me ecjen e bukur, shoqja e Kreshnikut, bashkë me Kreshnikun do të bashkoheshin tek veranda. Ndërkaq Rudit i kishte zbritur një ëmbëlsim i paprovuar në trup që ia zbuste gjymtyrët e nuk i bëhej të lëvizte nga divani, dhe ashtu i shtrirë, vëmendjen e tij e mori pamja e perëndimit në Lezhë që i dukej si mjaltë i shpërndarë hollë përgjatë gjithë vijës së horizontit.

– Unë jam Melisa, shoqja e ngushtë e Kreshnikut, – i tha njëra sapo kaloi pragun e derës.

– Kurse unë Lea, shoqe jo dhe aq e ngushtë e Kreshnikut, – tha tjetra. Kjo e dyta edhe mund të mos prezantohej fare, tha me vete Rudi, kaçurrelat flasin vetë.

Gjatë pijeve dhe bisedave sesi mund të arrinin të fitonin ndonjë dorë të mirë me euro, duke u gjetur hashash të ftuarve në UNUM, ajo i shtrihej butë dhe ia vinte kryet te supi i Rudit. E quanin Lea, dhe i tha se qysh se e kishte parë njëherë te palestra e Ilirit, i kishte mbetur mendja tek ai. E pse? kishte pyetur Rudi, kinse shpërfillës. I kishte pëlqyer ngjyra e syve. Ajo vdiste për djemtë me sy jeshil.

Pas mbarimit të festës e shoqëroi deri te dera e jashtme dhe në vend që t’i shtrëngonte dorën, Rudi zgjati gishtin dhe i preku pakëz majën e hundës. U panë në sy një grimë herë pastaj Rudi i kapi dorën dhe e puthi në pëllëmbë, pastaj e puthi te hapësira midis gishtave të saj, pastaj në buzë. Ajo ia ktheu puthjen shumë ngadalshëm, por pastaj nuk dëshironte të ndalej.

Ata u puthën një copë herë në gjysmëterr. Vajza nuk kundërshtoi për asgjë, madje, i kishte hequr mbathjet vetë sapo Rudi i kishte pëshpëritur te veshi se donte të pinte pak shampanjë tek ai butoni poshtë belit të saj.

Si qëndroi një grimë herë të mirë me kokën të ngulur mes kofshëve të saj, ai ndjeu se iu bllokuan muskujt e qafës. Pas kësaj, ajo ishte përndezur e tëra, ia shtrëngoi me gjithë forcën këmishën e bardhë derisa u rrotullua që të dilte sipër tij, ia zbërtheu kopsat shkujdesur, pastaj e puthi gjithë epsh te buza, te qafa, në kraharor, te fryrja e muskujve të barkut, kurse ky, i shtrirë poshtë saj me sytë gjysmë të mbyllur nga kënaqësia, i përkëdhelte flokët dhe i thoshte fjalë të ëmbla.

Rudi nuk mundi ta lejonte veten të qëndronte më gjatë në pozicionin e të nënshtruarit. Ai nisi t’ia fërkonte majat e gjoksit asaj, me ca rrotullime të ngadalta, me të butin e gishtave, derisa ajo harkoi shpinën, pastaj shtriu qafën duke e peshuar kokën mbrapa, dhe lëshoi një ‘ahh’ prej kënaqësisë.

Rudi përfitoi nga kjo dehje e epshit që ta përmbyste dhe të gjendej sipër trupit të saj tashmë. Ajo ndjente se do të fikej nga kënaqësia ndërsa trupat e tyre ngjesheshin dhe buzët e tij ciknin butësisht lëkurën e saj, për të rrëshqitur më pas, shkarazi, në të gjithë gjatësinë e trupit të saj.

Sa shumë kishte pritur për ato buzë të bukura ta dorëzonin gjithë ëmbëlsimin e tyre në çdo qelizë të trupit të saj. Rudi e shfryu te veshi i saj gjithë frymën e ngrohtë të afshit, dhe në momentin kënaqësisë kulmore ai shkrofëtiu, “Ohh zot çfarë kënaqësie!”

Pasi mbaruan, ai ndezi një cigare. Të lëshuar mbi çarçafët e bardhë, nën dritën e verdhë të abazhurit, ata qëndronin përqafueshëm ndërsa shihnin tavanin, dhe kësaj here, atë ëmbëlsimin që ia zbuste gjymtyrët, ai e ndjeu njëqindfish.

– Përse nuk thua asgjë? – pëshpëriti ajo.

– U mërzite me mua?

– Jo… Aspak.

– Je mërzitur, e shoh, – ngulmoi ajo.

Vajza zgjati kokën dhe e mbështeti te kraharori i tij.

– S’di si të sillesh me djemtë. Të mos ua japësh, mërziten. T’ua japësh shpejt, prapë mërziten.

– Lea, na thuaj ndonjë gjë më interesante se nuk jam nga ata çunat birbo. Unë s’jam nga ata, – tha ai. – Më kupton? S’jam nga ata trapër që sa më shumë i sjell vërdallë femra aq më shumë e çmojnë. Përkundrazi.

– Po ç’faj kam unë, – tha ajo. – Unë thjesht dua nje lidhje si kjo, me të qeshura te forta dhe kafshime te lehta.

Rudit i pëlqente që në atë heshtjen e gëzueshme pas aktit, ndërsa rrinte ashtu shtrirë, ta kalonte dorën te supi i saj dhe me majën e gishtit, sikur të ishte pupul, e rrëshqiste ngadalë nëpër gjatësinë e krahut të saj.

– Sa i menduar që je, meshkujve u pëlqen të filozofojnë pas seksit – foli ajo.

– Jam, – u përgjigj Rudi.

– Nuk dëshiron ta thuash, – ia ktheu ajo si me një trishtim të ëmbël në fytyrë.

– Çuditem, – vazhdoi ai, – sa herë arrij kulmin e kënaqësisë, më vjen natyrshëm, në momentin kulminant të them “O zot çfarë kënaqësie!”.

Prej habisë, ajo ngriti shpejt kokën nga kraharori i tij, i kapi qendrën e shikimit dhe ia ngulit sytë.

– Çfarë do të thuash?

– Dua të them se pika kulmore e kënaqësisë seksuale… dhe zoti… universi… quaje çfarë të duash, janë e njëjta gjë.

– O trap, mos lexo kaq shumë Oshon! – shfryu ajo duke e mbështëtur përsëri butësisht kokën e saj, me kaçurrelat e dendura të lëshuara mbi kraharorin i tij, që i jepnin një si gudulisje të lehtë e që atij ia festonte i gjithë trupi.

Rona Bytyqi

Njeriu tjetër, i kësaj historie, Rona Bytyqi, kryeqytetase, njëzet e tre vjeçe. Ishte hera e dytë që vinte në Lezhë. Ashtu si herën e parë, edhe në këtë rast, ishte një thirrje për bashkëpunim, për një detyrë të fshehtë, do të infiltrohej si agjente e fshehtë në UNUM festival.

Ajo vazhdonte të ecte me kryet ulur, si gjithë ata që duan të mbrohen nga era ose nga vështrimet kureshtare. Në rrugën “Shtraus” nuk frynte erë, kurse kalimtarët ishin tepër të rrallë atë pasdite marsi.

Megjithatë, ajo e mbajti kokën ashtu, derisa iu duk se ishte larguar mjaft nga ndërtesa katërkatëshe, prej ku kishte dalë disa minuta më parë.

Ishte e njëjta ndjesi, si ajo e para një viti, kur për herë të parë, me zëmrën që i dridhej, kishte ngjitur shkallët e asaj ndërtese, duke përsëritur me vete “kati i tretë”, apartamenti numër shtatë.

Ishte e njëjta tronditje si ajo kur hynte një vit mëparë, mendueshëm, kur përpara se të futej në vaskë, u zhvesh ngadalë, hoqi të brendshmet e zeza transparente që me ato lulet e qepura imët, të cilat, u krijonin një si hije që i bënte vithet e saj të ngritura edhe më luksoze. I vari te doreza e derës së banjos, i pëlqente kështu, të bënte rolin e lozonjares së llastuar, e dinte që kjo e shkrinte fare ambasadorin, dhe do të përndizej keqaz sapo të mbërrinte e ta gjente aty.

Ujët e vaskës, ashtu siç e kishte parashikuar i mbulonte pjesën më të madhe të trupit. I mbeteshin jashtë vetëm gjinjtë dhe një pjesë e vockël e tatuazhit sipër seksit. E shtyu ujët e ngrohtë sipër tyre dhe mbylli sytë.

E preku ëmbëlthi të çarën e seksit, pastaj zbriti më poshtë, dhe si të donte të tregonte me anë të dorës qendrën e mendimeve të saj, ajo gati sa nuk klithi ‘i poshtër’!

Ajo s’kishte pasur kurrfarë faji, e megjithatë, ndërlikimi i jetës së saj e kishte pasur zanafillën pikërisht te ajo zonë e ngushtë. Atje në hapësirën midis të çarës së ëmbël dhe vrimës tjetër, asaj që ngjante e papërfillshme, strukur tinëzisht në fundajën e vitheve të bardha, atje pikërisht, në një natë me duhmë kishte ndodhur keqkuptimi, ndeshja e mbrapshtë, pas së cilës jeta e saj kishte ngecur si në një grremç, prej të cilët s’ndahej dot më.

Kishte ende ndjesinë se skuqej gjer në rrënjë të flokëve sa herë i kujtohej çasti kur njeriu përballë saj, burri me fytyrë të lëmuar, ambasadori të cilin kishte marrë urdhrin që ta peshkonte, i kishte shkaktuar këtë pikëllim të pandreqshëm.

Sigurisht që, inteligjenca e shtetit e kishte zbuluar këtë anë të errët të saj, këtë grremç, dhe tronditja i shtohej më tepër, sa herë që mendjen e saj e përshkonte mendimi se çdoherë kur bëhej fjalë për të gjurmuar të huajt, ajo ishte bashkëpunëtorja e preferuar, pikërisht, sepse në gjykimin e tyre, ajo mund t’i shkonte deri në fund çdolloj perversiteti të tyre, pa krijuar kurrfarë dyshimi.

Shëngjin

Ndërsa merrte kafenë e relaksit në flladin të pasditeve në Shëngjin, Rudi pikasi, dy tavolina më tutje, sytë e ngulitur drejt tij të një vajze që s’e kishte parë ndonjëherë vërdallë nga ato anë.

– Ca qenke ti, s’ti hiqkam sytë dot!?, – foli e para ajo, sapo takoi shikimin Rudit.

– Dukesh se nuk je nga Lezha, – i tha Rudi dhe qeshi duke ngritur pakëz cepin e buzës.

– Nga e kuptove?, – ia priti ajo.

– Epo, vajzat këtu nuk janë kaq guximtare, – u përgjigj ai.

Pa e kuptuar se ç’bekim, apo nga i kish ardhur tërë ai fat këtë ditë, Rudi u çua nga tavolina e tij, dhe një valë gëzimi ia pushtoi krejt trupin, saqë gjunjët filluan t’i jepnin një dridhje të lehtë. Nuk ishte ajo që quhej këputje gjunjësh. Ishte krejtësish tjetër gjë, një lloj shkurdisjeje e mekanizmit të ecjes. Një herë iu duk se hapat iu bënë trefish, pesëfish më të gjata, por aty për aty i ndodhi e kundërta, iu duk se ngeci dhe për të kaluar te tavolina e saj do t’i duhej një javë.

Për fat, nuk vazhdoi gjatë, ai zuri vend afër saj, megjithatë, kur kamarieri solli kafenë, kupëza i dridhej lehtas në dorë, si nga lëkundjet e fundit, të dobësuara, të një tërmeti.

– Si quhesh?, – e pyeti Rudi.

– Rona. Rona Bytyqi…,– u përgjigj ajo pasi i bëri një shikim hetues.

– E çuditshme që një lule e bukur tirane të mbijë në fillim-marsin e Lezhës? – ia priti Rudi.

– Do të jem këtej derisa të mbarojë UNUM. Po ti si quhesh? – e pyeti tjetra.

Në atë çast, pasi dëgjoi fjalën UNUM nga vajza, nga fundi i stomakut iu ngrit një shtjellë e zezë që e hidhëtoi dhe e mbështolli të gjithin.

– Rudi Bregu, – pëshpëriti ai, – me shumë mundësi do të jem dhe unë në UNUM këtë verë, – shtoi Rudi.

Ajo tha një “ah, ashtu?” të kotë, gjithë gëzim, nga ato që i merr era, në kohën që, lavdi Zotit, kamarier solli faturën. Rudi shfrytëzoi rastin ta kthente përmbys në anën e bardhë, ia tërhoqi stilolapsin kamarierit nga dora, e vuri sipër faturës, dhe i shtyu rrëshqitazi me dorë në krahun tjetër të tavolinës ku ishte Rona.

– Shkruaje numrin, – i tha Rudi me ton urdhërues.

E qeshura në sytë e shkruar të saj, ngritja e bukur e supit, kur ajo filloi të shkruante, peliçja e çelët që kishte veshur, një rrip i verdhë ngjyrë zjarri sipër flokëve ishin të mjaftueshme që dita e Rudit të thyhej bukur.

Pasi mbaroi shkrimin, ajo e rrëshqiti letrën e shkruar në drejtim të tij.

Pasi i hodhi një shikimi të shpejtë, për habinë e tij, Rudi nuk gjeti asnjë numër aty, por në vend të tyre, ajo kishte shkruar fjalët:

“Eja te dhoma ime.”

 

 

 

(Vijon…)