“Nuk keni zbuluar gjë akoma”/ Emisionit Opinion nuk i mjaftuan 120 minuta për të rrëfyer Lezhën mbrëmë

I paralajmëroi që në hapje. Menjëherë pas siglës, drejtuesi i emisionit, i njoftoi teleshikuesit se kjo do të ishte një prej puntatave më të jashtëzakonshme të Opinion.

Blendi Fevziu e tha me shumë dhimbje. Edhe pse ishin 110 minuta xhirime nga Lezha, shikuesit nuk do të mund t’i ndiqnin të gjithë ato pjesët e tjera të cilat u detyruan t’i shkurtonin, t’i prisnim, ose t’i hiqnim tërësisht.

Kjo për të treguar sesa i pamjaftueshëm është një emision i vetëm për të rrëfyer Lezhën.

Pse sot? Na vjen të pyesim pikësëpari. Pse jo para një viti, pse jo para dy vitesh, ky emision për Lezhën?

Epo para një viti nuk ekzistonte rruga që ta çonte Fevziun lirshëm anëkënd lagunës bashkë me ekipin xhirues me aq lehtësi, nuk shkonte as te Diella aq kollaj. Blendi nuk bënte dot asgjë në emisionin e tij për shtëpinë e At Gjergj Fishtës, sepse ajo ishte ende një ‘kasolle e kategorisë së dytë’. Emisioni Opinion nuk kishte çfarë të thoshte as për pushkët e vjetra të modelit karafil, as për sininë më të madhe, as për flamurin origjinal shtetëror të Princi Vidit, sepse Muzeu Etnografik në Lezhë pak më shumë se një vit mëparë ishte Bar Kafe dhe objektet muzeale gëzonin statusin e rrangallave që pengonin rrugën e minjve diku në një magazinë të humbur.

Për këto dhe për shumë arsye të tjera, Opinion pati një audiencë të lartë mbrëmë, deri pasmesnate.

Askush nuk donte ta humbte shpjegimin e bukur dhe plot informacione të veçanta të ekspertit të mjedisit Jak Gjini, përgjatë lagunës së VAIN-it (Vrojtim Ajror Informacion Ndërlidhje).

Nuk mund të mos ndiqej me kureshti ajo pamje magjepsëse nga ajri e Hotelit të Gjuetisë, madhështia e Kishës së Pllanës, e Kalasë së Lezhës, dhe të tjera pasuri historike, të cilat, të mbështjella me shpjegimet e zellshme të historianit Paulin Zefi, lartësoheshin të gjitha në një tjetër përmasë.

Shikuesit mbrëmë panë sesi Blendi Fevziu s’kishte lënë metodë pa provuar që ta bindë Diellën e Trendafilit Mistik t’ia shiste atë tavolinën e veçantë, por sërish pa sukses!

Që AgroFishta është tashmë një megaprojekt dhe se Fevziu, me rastin e këtyre xhirimeve, pati mundësinë të blinte edhe djathë të regjur në shegë tek Mrizi.

Që Pashk Përvathi është një brilant i ndritshëm në kurorën artistike të këtij qyteti. Që punimet prej qeramike në studion e Vasilit, dhe tezgjahu i Tereze Gegës janë një tjetër dëshmi e thesareve të këtij qyteti.

“Po më habit pastërtia e Lezhës, kam dëgjuar në disa raste se ka marrë emrin e qytetit më të pastër në Shqipëri”, e pyeti Fevziu kryebashkiakun Ndreu. Pyetje të cilës Ndreu iu përgjigj me modesti duke i thënë se “duhet të kishe parë gjatë sezonit veror dhe do të ishe bindur plotësisht”.

©Opinion.al

Nuk kishte sesi të mungonte edhe një bisedë mbi kulinarinë midis Fevziut dhe kryebashkiakut Ndreu, bisedë në të cilën, me shumë mprehtësi dhe elegancë, Ndreu nuk lejoi që të citoheshin vetëm dy emra restorantesh të famshëm në Lezhë, siç ndodh rëndom, por e shtriu diskursin e tij duke i përfshirë të gjithë, jo vetëm Mrizin dhe Rapsodinë, por edhe Oazin e Hyllinin e Dritës. Jo vetëm ato, por edhe Vilën Veneto, Hysen Selmanin, Hotelin e Gjuetisë, Poseidonin në Tale etj.

Mbrëmë pra, sytë e mijëra teleshikuesve ndoqën një Lezhë ndryshe, një emision që zgjati deri pas mesnatës për shkak se rrëfimi nuk kishte të mbaruar duke i lënë ndjekësit me dëshirimin për të parë më shumë dhe të mezipritur për ta vizituar atë…

Nuk mund të kalojë pa u thënë gjithashtu, se një realizim kaq i suksesshëm i një emisioni Opinion tërësisht për Lezhën nuk do të kishte qënë i mundur pa bashkëpunimin e ngushtë midis stafit të Opinion dhe stafit të Bashkisë.

Mijëra shikues panë se Lezha ofron shumë, madje disa komentues LIVE shkruanin se “të jesh nga Lezha është një gjë, dhe të dish ta shfrytëzosh këtë fakt është një gjë krejt tjetër”, duke nënkuptuar me këtë se vetë lezhjanët nuk e kanë shijuar çdo mrekulli të Lezhës akoma siç duhet, përfytyroni dikë që e viziton atë për herë të parë.

Në përfundim, nuk mund të mohojmë se në harkun e pak kohëve ky qytet ka ndryshuar për mirë, ata që e ndoqën emisionin mbrëmë e kuptuan deri në detaj.

Shpesh thuhet se Lezhën “e drejton një polic i thjeshtë”, i cili, për hir të së vërtetës përveçse ka qënë drejtues i lartë në radhët e Policisë, pedagog për çështjet e sigurisë, ka mbi supe vite të tëra përvojë parlamentare, dhe ka një bibliotekë personale të pasur me tituj dhe manuale ekspertësh që zor se gjenden në shtëpinë e një polici të thjeshtë, po shohim çdo ditë e më qartë që, edhe pse në Lezhë e solli politika, ai duket se është zotuar t’i bëjë vetes një vend të merituar në historinë e këtij qyteti.

©Pjerin Ndreu/Facebook