Finale e parakohshme, Kampionati i Kalçetos në Lezhë premton futboll të bukur sonte!

Po e thonë të gjithë. Përballja e sotme në fazën çerekfinale në Kampionatin e Kalçetos, midis të rinjve të Balldrenit dhe Laçit është një finale e parakohshme.

Një finale që po luhet shumë herët, sepse që të dyja këto ekipe, njihen për përformancën e tyre të lartë, për aftësinë sulmuese, për preçizionin me top, dhe mungesën e mëshirës përballë kuadratit.

Për shkak të kësaj, sonte në ora 8:00, tifozeria e të dy krahëve, por edhe sportdashësit e tjerë do ta mbushin sheshin përreth kalçetos.

Laçjanët, të cilët në fazën e grupeve dhuruan një performancë të shkëlqyer duke shënuar gola më shumë se asnjë ekip tjetër, do të duhet ta tregojnë zhdërvjelltësinë e tyre përballë ekipit të Balldrenit.

Këta të fundit, të cilët e kanë patur famën e ekipit të fortë edhe përpara se të zhvillohej ky kampionat, kanë dhuruar një futboll të bukur dhe do të hynë në ring me vetëm një mision: të kalojnë në gjysëm finale.

Takimet çerekfinale në këtë turne do të jenë gjithsej 4, dhe ditën e nesërme është caktuar me short, përballja midis Fanit dhe ekipit të Kallmetit, në vijim (pasnesër) Laçi B përballet me ekipin e Tales, dhe natën vijuese ekipi i Shënkollit do të ndeshet me Ilirët.