Festivali i Gastronomisë në Lezhë, Këtë Vit i Hapur për të Gjithë

Ata ndryshojnë shumë nga ne. Ata nuk e shohin të shkuarën në mënyrë nostalgjike, kurrë nuk e shohin ashtu, ata e shohin të shkuarën në mënyrë kritike. Ata e kanë kuptuar aq bukur, dhe e kanë përfaqafuar me gjithë zemër parimin e traditës në evolucion.

Ata morën më të mirat nga e shkuara dhe i vendosën në të ardhmen. Ky është arti i tyre i vërtetë, çuarja e kuzhinës tradicionale në të ardhmen.

Ky është mbase përbërësi magjik i artit të tyre.

Altini i ushqen njerëzit me emocion, i ngjallur nga ai bashkimi i tradicionales së evoluuar në modernen e së ardhmes, u ëmbëlson sytë me dekorin mjeshtëror të pjatës, dhe përveçse në trup, shija e ushqimit e shtrin kënaqësinë deri në shpirt. Ky është arti i vërtetë i gatimit, aftësia për t’i ndërthurur artistikisht, dhe për t’i ushqyer të gjitha shqisat: sytë me bukurinë e pjatës dhe servirjen e saj, aromat unike për nuhatjen, shijen me gatimin, format unike dhe materialet e veçanta të enëve për të stimuluar prekjen, dhe një tingull i lehtë i violinës me notat e një këngë tradicionale në sfond, për veshët.

Të impresionosh italianët në gatim, është si të surprizosh një fizikan në fizikë. Por Alfred Marku e realizon magjinë e tij edhe për klientët me shijen më të stërholluar. Ndër shumë të tjera, ajo që bën Alfredi veçanërisht me “Piatti Degustacione”, me shumë gjasë do ta shtangte edhe Massimo Botturën.

Të mbushesh me frymë, pas një gllenjkë verë, nga ballkoni i “Hyllit të Dritës”, pasi perëndimi i Diellit e ka shpërndarë atë të verdhën e artë sikur ta kishte lyer me mjatë gjithë vijën e horizontit, të përcjell një ndjesi parajsore, që e tejkalon fuqinë e fjalës për ta evokuar.

Gatimi është tashmë brandi i Lezhës. Është ajo për të cilën ka marrë famë, dhe arsyeja pse njerëz nga gjithë Shqipëria, madje edhe nga gjithë Europa marrin rrugën për të ardhur në këtë qytet. Gatimi është arsyeja e re e famës së Lezhës.

Ne përmendëm vetëm 3 mësipër, por sigurisht, që Detari, Oazi, Peshkatari, Hani i Lekës… lista vazhdon gjatë, janë që të gjithë brilantë të çmuar të gjerdanit gastronomik që ofron Lezha.

Nuk është çudi kur i dëgjojmë miqtë të na thotë, “Ju që jeni në Lezhë jeni me fat, e keni larminë e restoranteve, ashtu siç është larmia e verërave”.

Është e vërtetë se secili kushinier, secili restorant formëson një karakter unik të tijin në gatim, ashtu siç edhe verërat kanë personalitetin e tyre, disa të vijnë si romancë, ku gëllenjka e parë papritur të vjen si “french kiss”; të tjera që i ngjajnë një miku të vjetër, një bisede të shtruar apo një libri të bukur, dhe të tjera akoma që janë iluminuese si Eureka e Arkimedit.

Një poet i madh gjerman njëherë pati thënë se “Jeta është shumë e shkurtër për të pirë verëra mediokre”. Ndaj edhe ne kemi bindjen e thellë se njërëzit vijnë në Lezhë sepse e kanë kuptuar se jeta është shumë e shkurtër për t’u ushqyer me gatime mediokre.

I kërkojmë ndjesë lexuesit që u zgjatëm kaq shumë, por ishte mënyra më e mirë në gjykimin tonë, për t’ju “hapur oreksin” përpara se të përcillnim lajmin se eventi Lezha Gatuan, nuk do të anullohet këtë vit, por do të realizohet në kushtet e pandemisë, që do të thotë se surprizat, ashtu si gjithnjë, nuk do të mungojnë.