Dyndet Lezha! Dita e parë e lirisë shpërdorohet pa kriter!

“Kto si me pas dal prej burgu” – thotë një qytetar ndërsa tregon me gisht turmën e kalimtarëve.

“Ra muri i Berlinit”, – shprehet një tjetër në distancë, duke ngritur dy gishtat lart.

Sot me 11 Maj, mbi 70% e shqiptarëve janë shpenguar nga kufizimi plogështues i karantinës për t’iu rikthyer lirisë.

Në listën e qyteteve të gjelbra ishte edhe Lezha, rrugët kryesore të së cilës u tejmbushën me qytetarë në të gjithë gjërësinë e tyre, gjithashtu në akset automobilistike u rikthyen boritë e trafikut të bllokuar.

Të shumtë ishin ata që e kanë parë këtë ditë si një simbol të kthimit në liri më tepër sesa të kthimit në normalitet. Por kjo lloj lirie, nuk duhet të harrojmë, vjen bashkë me një peshë të madhe përgjegjësie, dhe nuk duhet shpërdoruar nga askush.

 

Nga ajo që u pa sot në rrugët e qytetit, liria e dhënë, u shpërdorua. Të paktë ishin ata që kishin vendosur maska, akoma më të paktë ishin ata që respektonin distancimin fizik.

Nga ajo që u pa sot, lezhjanët rrezikuan dhe luajtën me zjarrin më tepër se ç’duhet, ndaj duke mos dashur këtu të bëhemi kumtues të së keqes, mesazhi që duhet të marrim, që të gjithë, për ditët në vazhdim është se, lirinë që na jepet, të mos e luajmë bixhoz si sot.