T’i Mbash Paratë në Depozitë Bankare Njësoj si t’i Mbash “Nën Jastëk”, – nga Fatjon Bushi

Fatjon Bushi, Kontabilist i Miratuar

Nga Fatjon BUSHI, Kontabilist i Miratuar

Depozitimi i parave në depozita bankare, është parë gjithmonë si një mënyrë investimi pa risk. Në vendet me ekonomi në zhvillim, ku kërkesa për kredi është e lartë, normat e depozitave bankare me afat ose pa afat, në përgjithësi priren të jenë të larta.

Investimi në depozita kursimi është forma më e përhapur e investimit individual. Duke qënë se bankat ofrojnë mundësi të këtij investimi në shuma të vogla parash, dhe shans zero të humbjes së principalit të investuar, njerëzit janë të prirur të zgjedhin këtë formë fitimi.

Kjo mënyrë investimi e parave nuk është modeli më emocionues i investimit të parave, por ngelet modeli më i sigurtë për  investime.

Por cfarë po ndodh vitet e fundit?

Nga Janari 2011 deri në Shtator 2018 interesat për depozitat kanë zbritur nga rreth 5%, në nivelin e 0.65%, referuar Bankës së Shqipërisë.

Kjo ulje ka ardhur kryesisht nga ndërhyrja e Bankës Qëndrore, si autoriteti i vetëm me ndikim në politiken monetare të vendit. Dekurajimi i individëve apo bizneseve për të mbajtur paratë e tyre të mbyllura në kasafortat e bankave, ka bërë që këta të fundit të kërkojnë mënyra të reja investimi.

Gjatë periudhës Janar 2014 deri në fund të Shtatorit 2018, pakësimi i depozitave në bankat e nivelit të dytë ka qënë rreth 1.1 miliardë Euro, ose 137 miliarde leke, si pasqyrim i rënie së normave të interesit.

Banka e Qëndrore me anë të politikës monetare të deklaruar, ka paralajmëruar se norma bazë e interesit nuk do të ndryshojë.

Për këtë arsye rrjedhimisht interesat reale të depozitave do të vazhdojnë të mbeten negative, gjë e cila do të nxisë më shumë qytetarë që të kërkojnë alternativa të tjera për të investuar kursimet e tyre.

Nësë një depozitues do të çelë një depozitë në Lek, me një afat maturimi 12 mujor, në shumën 500.000 lekë, interesi bruto që do të përftohej në fund të afatit të maturimit, do të ishte 3200 lekë.

Duke zbritur tatimin 15%  mbi këto të ardhura, interesi neto i përftuar do ishte 2720 leke.

Referuar INSTAT, inflacioni në fund të muajit Shtator ishte në normën 2.1%. Pra, nësë do të bënim një skontim të shumës së depozituar për normën e inflacionit, në fund të vitit do të kishim një zhvlerësim në shumën 10 500 lekë.

Me fjalë të thjeshta, depozituesit në fund të afatit të maturimit të depozitës do kishin një kthim real negativ, në normën prej 1.46 %.

Shuma e interesit të marrë nga depozita bankare, vlen vetem për zvogëlimin e humbjes si shkak i zhvlerësimit të parasë, për shkak të inflacionit.

Pakësimi neto në fund të përiudhës për shumën 500 000 lekë, do ishtë 7300 lekë.

Pra investimi në depozitat bankare ngelet jo si një mundësi investimi për të sjellë përfitime financiare, por si një mënyrë investimi për të minimizuar humbjen nga zhvlerësimi.  

Për sa i përket depozitave në Euro, tregu bankar ofron norma më të larta interesi. Kjo vërehet si për periudhën afatshkrurtër dhe atë afatmesme. Referuar bankës së Shqipërisë, norma e interesi për kreditë 1-3 vite, në fund të Shtatorit 2018 ishte 5.64 %, me një mesatare të 9-mujorit në vlerën 4.487%.

Siç vihet re, depozitimi në këtë monedhë do sillte një normë më të lartë kthimi të depozitës. Risku i vetëm në këtë mënyre investimi, është risku i normave të këmbimit, i cili në vendin tonë është i paparashikueshëm në kohë.