“Pëllumbat e trembur të turizmit shqiptar” – nga Juljana Kurti

Ashtu si çdo vit edhe per 2020-ën Qeveria Shqiptare ka bërë premtime në fushën e turizmit, mjedisit, infrastrukturës dhe fusha të tjera përsa i përket investimeve në vend.

Turizmi mbetet fusha prioritare edhe për këtë vit, ku sipas ministrit të Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi është rritur numri i turistëve dhe për pasojë ka sjellë dhe hapjen e shumë hoteleve të reja. Po si është cilësia e tyre, a ka një kontroll mbi shërbimet që ofrojnë, çmimet a u përshtaten kushteve që kanë, kush janë investitorët?

Sigurisht këto detaje që janë mjaft të rendësishme për të çuar turizmin përpara mbeten gjithmonë enigmë. Një rol të rendësishëm në zhvillimin e turizmit kanë dhe investitorët e huaj, të cilët sjellin një kulturë biznesi ndryshe në vend duke promovuar edhe Shqipërinë në arenën ndërkomnëtare. Por sa mbështetje u jepet atyre dhe si është klima e biznesit që u ofrohet?

“Ejani ne Shqiperi do të fitoni një pasuri të tërë”, kjo ka qenë edhe një nga pikat e forta që kryeministri Rama ka përdorur në daljet e tij publike per përthithjen e investitoreve te huaj, por sa e vërtetë ka rezultuar kjo retorikë? A ka lehtësira në bizneset e këtyre investitorëve? A u është ofruar atyre një konsulencë në gjuhën shqipe, sa te sigurtë kanë qenë për të ushtruar biznes, a kanë pasur ata një klimë të përshtatshme për të investuar këtu?

Kujtojmë këtu rastin e biznesmenit Italian Giorgio Borin, i cili vetëm pak ditë pas dhënies së kësaj interviste investitori Italian, ka lënë Shqipërinë, ndoshta për të mos u kthyer më kurrë për të investuar ketu duke marrë me vete një eksperience negative.

Borin është përballur me korrupsion masiv, gjoba të larta dhe fiktive, konkurrencë të pandershme, burokracira të mëdha në administrate. Kjo ishte një shuplakë e rëndë për turizmin shqiptar dhe qeverinë duke treguar qartë se ajo çka kryeministri Rama thotë në media nuk përputhet me realitetin.