Një rastësi me Austrinë që ma zuri në fyt Shqipërinë! – nga Mark Alemi

Injoranca e krenaria shkojnë bashkë si shtati e hija! – Imzot Gjergj Fishta

Z. Alexander van der Bellen

Mes gjithë zallamahisë së lajmeve për skandale dhe arritje gjeniale të shtetit tonë të arnuar, me lloj-lloj karagjozësh prodhim tranzicioni, më ra në sy një video e cila shfaqte presidentin e Austrise z.Alexander Van der Bellen, i cili shkonte në një takim pune duke përdorur transportin publik.

Z. Alexander van der Bellen

Një shtet i cili më parë ishte një perandori me lavdi në Europë dhe më gjerë dhe sot një ndër shtetet më me rëndësi, kishte lënë “në këmbë”, presidentin e saj. Një president Profesor i Ekonomisë në University of Vienna, i themeluar që në vitin 1365.

Universiteti i Vienës

Për një moment delirova.

Imagjinova sikur politikanët tanë t’i ngjanin sado pak. Nuk shkova aq larg sa të imagjinoja “Parinë”. Një pseudo-elitë e tredhur mendërisht dhe kulturalisht, me tituj e grada arritjesh në punë e në shkencë.

Nuk shkova aq larg pasi e dija se sa do zhgënjehesha. Por imagjinova ca zyrtarë në miniaturë, zyrash pa emër e administratë, të cilët me fjalën “që punojmë në shtet” kuptojnë se sa influencë kanë në këtë vend lagje të Europës, pa asnjë vlerë ekonomike,kulturore dhe mos pretendojmë gjeo-politike.

Tranzicioni i cili në këtë vend ka humbur kuptimin etimologjik të saj, ka prodhuar lloj lloj speciesh jo-vertebrore, të cilët në këtë mjedis të ndotur shumohen në mënyrë eksponenciale. Kujtova se si në vitet 30 të shekullit të XIX, disa njerëz me mend e me zemër filluan një lëvizje kombëtare e nga e cila filloi ndërgjegjësimi jonë si komb.

Siç ndodhi atëherë, më duket se dhe sot, “NE” njerëzit që popullojmë këtë vend në dekadencë socio-ekonomike, nuk e ndryshojmë dot nësë nuk ndihmohemi nga bashkëkombasit tanë që jetojnë jashtë vendit.

Sikur themeluesit e levizjeve kombëtarë për liri dhe shtet, të kishin imagjinuar për një çast se shteti që ato ëndërronin të ndërtonin, pas thuajse 200 vitesh do kishte në rradhët e saj kaq shumë injorantë, servilë, spiunë, tradhtarë, të korruptuar, mendoj se do kishin zgjedhur më mirë një sundues. Sado i pamëshirshëm të kishte qënë, mbase nuk do ti kishte bërë kaq keq vendit tonë.

E nisa nga Presidenti i Austrisë, ndoshta shkova shumë larg, në shoqëri shtetformuese të emancipuara. Duhej të ndalesha dhe në këtë lagjen tonë problematike që quhet “Ballkan”, ku dhe fqinjët tanë më të “Lodhur”, kanë arritur të ndërtojnë Institucione dhe të marrin në dorë fatet e kombeve të tyre.

PO NE KU JEMI?

Ne që mburremi me eshtrat e të parëve, me lavdinë e disa Miteve që kanë ushqyer egon tonë të sëmurë. Pas pesë shekujsh vetëdije kombëtare dhe shkrimi, akoma varim fatet tona nga elita të pa arsimuara, pa atdhedashuri, të paskrupullt.

Nga njerëz pa të shkuar, e pa të ardhme, pa formim e pa vizione. Në këtë vend ku arritjet në arsim varen nga sa para ka buxheti jot, ku shumica e parlamentit është nën mesataren e formimit të 100 viteve më parë.

Në këtë vend ku tempulli i demokracisë, ku ka më shumë “Doktorë Shkencash” se në Gjermani, ku shkollime paraqiten edhe patentat e shoferit, dhe kurset e parukerisë, edhe seminaret për ngrohjen globale.

Në këtë vend ku idhulli është i pari dhe jo më i miri, ku demokracia është malli më inferior në treg, jetojmë ne. NE, një popull i lashtë që i rezistuam për mijëra vjet asimilimit nga armiqtë tanë, po asimilohemi dalëngadalë në këtë “Demokraci”, të shpëlarë nga normat e morali.

© schmitz_illustration / instagram

Pasi kujtova se të gjithë jemi futur në këtë rreth vicioz, pa shpëtim, thjesht admirova nga larg jo një President, por një Profesor të vertetë, një NJERI!

Shënim***: Mark-Alemi, autori i shkrimit, ka punuar për disa vite rresht si Nëpunës i Pallatit të Ëndrrave, në departamentin e seleksionimit të ëndrrave.