“Lamtumirë vendet e mia…” – nga Klodian Marku

Nga Klodian Marku

Të jetosh në vendin tënd apo të ikësh?

Kjo është një temë e cila diskutohet kudo dhe nga kushdo ! Pasi mbarova Liceun Artistik “Jordan Misja” dy ishin opsionet që unë kisha për shkollën e lartë, Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë ose Akademia e Breras në Milano, e si përfundim zgjodha të vazhdoj shkollën në vendin tim sepse në atë kohë ndihesha më i plotësuar këtu, në Vendin Tim !.

U bënë plot 6 vite që jam diplomuar dhe realisht sot jam penduar që nuk ika kur kisha mundësine, dhe ja arsyet !

Sot të rinjtë i shoh që shkojnë sa ktej sa andej pa pikë shprese e prespektive për të ardhmen, ku ndërkohë supozohet që nga ky brez i ri vendi im do të bëhet më i mirë !

Sot të rinjtë janë të orientuar drejt përçarjes e indiferentizmit të gjithçkaje që i rrethon !

Sot të rinjtë janë të fokusuar se si e si të sulmojnë te tjerët, duke mbrojtur terrenin e tyre fallco pa e kuptuar se çfarë pasoje ka në të ardhmen !

Sot të rinjtë bëjnë muhabete se sa i fortë e sa me lek ai, e jo se sa i zgjuar që qenka ai/ajo e si mund të marr një shembull pozitiv prej tij/saj !

Sot të rinjtë shembullin kryesor shohin rrjetet sociale, ku ndërkohë këto rrjete për ta sjellin vetëm dizinformacion sepse jeta nuk është aspak, ama aspak si ajo që të gjithëve ne na serviret online !

Sot të rinjtë po ikin edhe nga identiteti duke u fshehur pas profileve fallco, fshihen shpesh herë edhe të urdhëruar nga “dikush”, thjeshtë e thjeshtë për ti keqpërdorur, duke përhapur negativitet e ofendime kudo e për këdo !

Sot të rinjtë konfliktohen me njeri tjetrin për parti, pa e ditur se çfarë është partia !

Sot të rinjtë vrapojnë pas shembujve negativë të shoqerisë, madje duke i marrë si model e duke i përdorur shpesh herë edhe si justifikim !

Sot të rinjtë përdoren nga makineria e fuqishme e propagandës, por nga kjo makineri atyre ju venitet shpresa për të qëndruar në vendin legjitim që ata kanë !

Sot për të rinjtë risi është batuta, e jo produkti !

Rastësisht, 500 mijë lek të vjetra më tha njëri që kushton sot jeta e një njeriu në vendin tim !

E pra ja pse jam penduar, sepse jeta ime në vend qe të jetë e paçmueshme, sot kushton vetëm 500 mijë lek të vjetra !

Me fjalë te thjeshta, nëse dikush do të dojë që unë të mos jem më, thjeshtë duhet të paguajë tek personat e duhur kaq lek !

Thonë që shpresa është ajo që e mban njeriun gjallë, e pikërisht nga kjo shpresë unë sado që jam penduar prap se prap do vazhdoj të flas përballë padrejtësive e të “fortve” që kanë mbirë në vendin tim e për t’ju dhënë mesazhin që jeta ime dhe e ardhmja ime nuk kane çmim !

Shënim: Titulli i shkrimit është redaksional, titulli origjinal i autorit: “Pse po largohen Shqiptaret nga vendi i tyre?”